Ish-kryetari i KQZ dhe konstitucionalisti, Kristaq Kume, shprehet se, pavarësisht dorëheqjes së Vladrin Pjetrit nga mandati i kryetarit të bashkisë Shkodër, Këshilli i ri bashkiak mund të konstituohet.
Kume sqaron nga ana ligjore, se detyrën e kryetarit të bashkië do të vazhdojë të kryejë zonja Voltana Ademi. Për të cilën thotë se nuk mund ta shkarkojë këshilli bashkiak.
“Dorëheqja nga mandati i kryetarit të bashkisë të Valdrin Pjetrit, menjëherë hap pas saj nevojën e zhvillimit të zgjedhjeve të përsëritura në këtë bashki. Kjo për faktin se ky ka qenë kandidati i vetëm që ka kandiduar në zgjedhjet e 30 qershorit. Nëse do të kishte një kandidat tjetër mundet që KQZ përsa kohë që procesi nuk konsiderohet i përfunduar deri në betimin e tij të shpallte vakancën dhe ti kalonte mandatin garuesit tjetër. Është shumë e rëndësishme të theksojmë faktin tjetër se kjo dorëheqje nuk afekton fare rezultatin e zgjedhjeve në bashkinë e zgjedhjeve sa i përket këshillit bashkiak.
Këshilli bashkiak konstituohet dhe pas konstituimit të këshillit bashkiak kryetari i zgjedhur mund të ushtrojë detyrën si i tillë vetëm në rast se betohet përpara këshillit bashkiak. Këshilli Bashkiak i ka të gjitha mundësitë në Shkodër që të mblidhet të konstituohet dhe të fillojë punën. Ndër punët e para që bën ky organ i zgjedhur është zgjedhja e nënkryetarëve për bashkinë e Shkodrës. Ndërkohë duke iu referuar ligjit të qeverisjes vendore detyrën e kryetarit të bashkië do të vazhdojë të kryejë zonja Voltana Ademi si një kryetare në detyrë dhe këtë ta ushtrojë derisa i zgjedhuri nga procesi zgjedhor i ardhshëm si kryetar bashkie në Shkodër do të betohet për të marrë këshillin bashkiak.
Këshilli Bashkiak nuk ka fuqi ligjore për të shkarkuar kryetaren e bashkisë Shkodër, cilado qoftë situata. Kryetari i bashkisë merr mandatin si një i zgjedhur direkt nga populli. Kryetari i bashkisë është ekzekutivi i pushtetit vendor. Kryetarit i bashkisë i ndërpritet mandati vetëm atëherë kur plotëson kushtet e përcaktuar në ligj. Ligji në asnjë rast nuk ka parashikuar që një ndër mundësitë e ndërprerjes së mandatit të kryetari të bashkisë të jetë një vendimmarrje e këshillit bashkiak”, deklaroi Kristaq Kume.
Ora News