Nisma Thirrje ka reaguar lidhur me tragjedinë e ndodhur dje në Tiranë, ku dy punëtorë humbën jetën dhe 3 të tjerë u plagosën pas shembjes së një skelë në një pallat ku po punohej në fasadën e jashtme.
Nisma bën një paralelizëm lidhur me qasjen e qeverisë, mes rastit të turistëve spanjollë, makina e të cilëve u dhunua nga një biznesmen disa ditë më parë dhe ngjarjes së djeshme në kryeqytet.
Reagimi i Nisma Thurrje
Ergysi dhe Orjani humbën jetën dje teksa skeleria ku ata punonin, për të rregulluar fasadën e pallatit ku banon Zv. Kryeministri i vendit, u shëmb dhe i zuri nën vete.
Ergysi dhe Orjani punonin në të zezë edhe pse qeveria i ka shpallur “luftë” pa kompromis informalitetit.
Ergysi dhe Orjani punonin pa masa mbrojtëse, pa kokore, pa jelek, pa asgjë veç teshave që i kishin veshur shkujdesshëm mëngjesin e fundit të tyre kur dolën nga shtëpia.
Ergysi dhe Orjani punonin nga mëngjesi deri në darkë për të çuar në shtëpi 26 mijë lekë në muaj. Me ato, duhet të ushqeheshin familjarisht, të visheshin, të paguanin dritat dhe ujin e të shtynin muajin.
Projekti ku ata punonin financohej nga Bashkia, dmth që në buxhet kanë qenë të përfshira edhe siguria teknike, edhe sigurimet shoqërore e shëndetësore edhe paga më e lartë.
Ja ku janë të gjitha: Informalitet, evazion, vjedhje, korrupsion të përmbledhura në këtë histori tragjike e megjithatë askush nuk foli për ta.
Media heshti, folën disa portale dhe kaq.
Qeveria heshti…
E njëjta qeveri që nxitoi tu çonte lule familjeve spanjolle të dhunuara nga një pronar lokali në jug të vendit, shoqëruar me kamera e fotograf sigurisht, zgjodhi ti injorojë trupat pajetë të dy punëtorëve.
Asnjë fjalë për Ergysin dhe Orjanin.
Fundja ata ishin veç shqiptarë, e aq më tepër të varfër…