Dalin pamjet e tmerrshme të sulmit ndaj turistëve spanjollë në Porto Palermo nga pronari i një lokali, Mihal Kokëdhima. Pamjet nuk kanë nevojë për koment.
Dje, Policia e Sarandës i ka vënë prangat pronarit të lokalit Mihal Kokëdhimës, 51 vjeç. Kokëdhima akuzohet tani për ‘kanosje’, “dëmtime të tjera me dashje’ dhe ‘shkatërrim prone’.
Kokëdhima, me një agresivitet të parë, sulmoi grupin e turistëve spanjollë që kishin shkuar në lokalin e tij dhe në fund fare, u shkatërroi edhe furgonin me të cilin ata udhëtonin. Ai hipi mbi kofano dhe u godiste me grushta xhamin e përparmë për gati 3 km, skenë kjo që u filmua nga turistët e tmerruar. Skena paraqitet sa qesharake, e pabesueshme, aq dhe tronditëse.
Turistëve nuk u kishte pëlqyer shërbimi në lokalin e tij, ndaj Kokëdhima që s’e ka duruar t’i kthenin shpinën, u është vërsulur atyre në një akt të paprecedentë.
Policia e Sarandës njoftoi se në bashkëpunim me Policinë e Himarës, pas hetimeve të kryera mbi konfliktin e djeshëm në një lokal në Himarë, e kanë arrestuar 51-vjeçarin.
Kokëdhima, për motive të dobëta, ka kanosur me fjalë një grup turistësh spanjollë dhe më pas ka dëmtuar mjetin e transportit privat të tyre. Ai është konfliktuar fizikisht me ta duke u shkaktuar dëme në trup, por më shumë është dëmtuar shtetasia spanjolle K.R.
Klosi, me lule, tek turistët që i rrahën në Himarë: Nuk është në traditën shqiptare të mikpritjes …
Këta janë turistët spanjollë, që përjetuan momente tmerr në një lokal në Porto Palermo, ku nuk u shërbyen si duhet. Mëngjesin e së premtes, tek ata ka shkuar Blendi Klodi, ministri i Turizmit, me një tufë lule në dorë për t’u kërkuar ndjesë për atë sjellje që shokoi mbarë shqiptarët më shumë se të huajt.
Klosi, krahas fotove të publikuara, shkroi në Fb: “Në mëngjes, me familjen e pushuesve nga Spanja, që dje përjetuan një eksperiencë konflikti në Himarë, që nuk është as në traditën shqiptare të mikpritjes dhe as në kulturën tonë për trajtimin e miqve.
Por siç e tha edhe përfaqësuesi i familjes Galdon, një njeri i vetëm nuk përfaqëson Shqipërinë, sikundër vlerësoi reagimin e menjëhershëm të autoriteteve dhe interesimin e drejtëpërdrejtë të qeverisë.”