Tentativa e Ramës për puç ligjor e kushtetues, në bashkinë e Shkodrës

0
143

Edhe pse i kapur “me presh në dorë” me rastin e Valdrin Pjetrit në votimet moniste për kryetar bashkie të Shkodrës, Edi Rama, duket se ka vendosur që të ecë përpara me planin e tij që të uzurpojë edhe këtë pushtet lokal. Kështu pasi e pezulluan vetëm për pak ditë konstituimin e këshillit të ri bashkiak, duke shpresua te “harresa” e skandalit pas dorëheqjes së Pjetrit, prefekti i Qarkut të Shkodrës ka thërritur përmes një dokumenti zyrtar mbledhjen për ligjërimin e këtij këshilli të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, por që opozita dhe mjaftë ekspertë ligjorë e cilësojnë të jashtëligjshëm.

Mësohet se mbledhja e thërritur nga prefekti Cesk Millja, do të mbahet në ambientet e Rektoratit të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, ditën e hënë në orën 11:00.

Por ky plan-skenar i Ramës për të uzurpuar bashkinë e Shkodrës nëpërmjet emërimit nga këshilli i ri të një nënkryetari që do të ushtrojë kompetencat e kryetarit të dorëhequr. pasi u zbulua se ka qenë i dënuar për trafik droge, është një shkelje flagrante e ligjeve që rregullojnë pushtetin vendor.

Ligji për Vetëqeverisjen Vendore përcakton qartë rastet, kur mund të komandohet një nënkryetar në krye të bashkisë. Nenit 61 përcakton se kur kryetarit të bashkisë i mbaron mandati përpara kohe, për çfarëdo lloj arsye, vendin e tij, deri në zgjedhjen e një kryebashkiaku të ri, e zë një nga nënkryetarët:

“Me përfundimin para kohe të mandatit të kryetarit të bashkisë, sipas këtij neni, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, funksionet e tij i kryen zëvendëskryetari i bashkisë.”

Pra sipas ligjit komandimi i një kryetari bashkie në Shkodër që do të tentohet ditën e hënë nga Rama mund të bëhet vetëm kur mandati mbaron “para kohe”. Kjo do të thotë; vetëm kur kryetari i bashkisë ndërron jetë, dorëhiqet apo pushohet pa plotësuar mandatin 4 vjeçar të përcaktuar nga ligji.

Ky nuk është rasti i Bashkisë së Shkodrës, pasi kryetarja aktuale Voltana Ademi, i plotëson të gjitha kushtet për ta përfunduar normalisht dhe në kohë mandatin e saj edhe pse nuk mund të qëndrojë më në zyrë formalisht. Por në këtë rast alibia e Rilindjes është, se mandati i saj ka mbaruar që me zgjedhjen e Valdrin Pjetrit pas certifikimit nga KQZ.

Kjo nuk është e vërtetë. Ligji për Qeverisjen Vendore përcakton qartë, se kur mbaron mandati i një kryebashkiaku. Neni 60, pika 4 thotë:

“Ushtrimi i mandatit të kryetarit të bashkisë fillon në çastin kur bën betimin dhe përfundon, kur bën betimin kryetari pasardhës.”

Kjo nuk ka ndodhur ende dhe pas zhvillimeve me Pjetrin, as që ka gjasa të ndodhë. Mandati i Voltana Ademit sipas ligjit përfundon në momentin, kur do të betohet kryebashkiaku i ri i dalë nga zgjedhjet lokale dhe pikë.

Sipas propagandës së Rilindjes, data 20 gusht është edhe data e mbarimit të mandatit të Ademit, por kjo do të ishte ligjore vetëm nëse atë ditë do të betohej Valdrin Pjetri, i cili faktikisht ka dalë nga skena me dorëheqjen e tij.

Kështu nëse, Rama, do ti shkojë deri në fund skenarit të tij mëngjesin e të hënës dhe Këshilli Bashkiak i ri i Shkodrës do ta zëvendësojë Ademin me ndonjë nga nënkryetarët apo çdo person tjetër të komanduar, do të kemi një shkelje të hapur të ligjit, si  në frymë edhe në germë.

Kjo sepse ligji në asnjë pikë të tij, nuk lë shteg që Këshilli edhe pas konstituimit të ushtrojë këtë  kompetencë. Në rastin ekstrem ai njësoj si kryetarja aktuale e baskisë, Voltana Ademi, duhet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, por tashmë dihet kjo histori, ajo nuk ekziston.

SYRI.net

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here