Familja Çelaj në fshatin Ngraçan të Fierit ka hapur dyert e mortit. Djali i tyre Indrit Çelaj u vra me plumb në kokë në vilën tre katëshe ku kishte shkuar për të instaluar një kondicioner.
“Kjo që më ndodhi mua mos i ndodhtë asnjërit . Kjo është fatkeqësie madhe në Shqipëri. Ti nisesh në punë dhe kthehesh i vdekur është fatkeqësi” të thotë Baftjari, babai i Indritit.
Tregon se vdekjen e djalit e mori vesh nga media.
“Kjo është fakteqësi e madhe. Djali ishte në punë, punonte me kondicionerë se ka mbaruar edhe elektriken. Montonte kondicionerët. Cuni është vrarë ne 11 paradite une e mora vesh në orën 19:00 në darkë. Rrallë gjen djalë si ai , nuk dinte të ofendonte ishte i matur. Ma morën djalin në moshë të re. Në fillim të shtatorit do bënim bufenë. “
Mes dhimbjes babai ka dhe një pyetje që autoritetet duhet të japim përgjigje: “Ku do kërkoj drejtësi?”
Indrit Çelaj, i cili punonte si teknik kondicionerësh u vra dje në mesditë në vilën ku kishte shkuar për të instaluar një kondicioner. Policia ka shpallur në kërkim dy djemtë e pronarit të vilës.
OraNews