Qeveria në largim në kaos me funksionet dhe vendimmarrjen, ja si shprehen disa nga intelektualët në Kosovë…

0
110

Qeveria në largim e Kosovës nuk i di ende kompetencat e saj pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit.

Pas dorëheqjes së tij, më 19 korrik, Ramush Haradinaj i ishte drejtuar më 29 korrik edhe Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për definimin e kompetencave dhe funksionit të Qeverisë në rrethanat e krijuara pas dorëheqjes së tij. Kushtetuesja, ende nuk ka dhënë asnjë interpretim në lidhje me këtë kërkesë.

Ndërkohë, disa nga ministrat në dorëheqje të Qeverisë së Kosovës, edhe pas dorëheqjes se Haradinajt, si dhe pas dorëzimit të kërkesës në Gjykatën Kushtetuese, nuk kanë pushuar me marrjen e vendimeve të ndryshme.

Përderisa ministrat në largim të Qeverisë së Kosovës marrin vendime duke besuar se ato janë në harmoni me Kushtetutën dhe ligjet, përfaqësuesit e shoqërisë civile më shumë preferojnë që të pritet aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në mënyrë që më pas të mos kontestohet legjitimiteti i këtyre vendimeve.

Vetë kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj, në seancën e shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës nuk ishte i ulur në vendin e kryeministrit. Ai tha se nuk e ka të qartë nëse ende është kryeministër.

“Unë nuk jam kryetar qeverie, nuk kam të drejtë të jem në sallë, isha në grup parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Jam kryetar i partisë politike. Nëse Gjykata Kushtetuese parasheh që duhet të kryejmë funksionet e Qeverisë në dorëheqje, kuptohet nuk kam dezertuar, rri gati për çdo detyrë që të mos ndalet jeta në vend në veçanti në ato sfera që janë emergjente”, ka thënë Haradinaj në një prononcim për media.

Ngjashëm me Haradinajn, edhe ministri i Financave Bedri Hamza ka deklaruar se pa vendimin e Gjykatës Kushtetuese nuk mund të ndajë mjetet e nevojshme financiare nga buxheti për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Por, përderisa Haradinaj dhe ministrat, si rasti i Bedri Hamzës nuk e dinë nëse mund të vazhdojë apo jo me funksionet e tyre, disa ministra tjerë, kanë vazhduar me punën e rregullt, duke marrë vendime për çështje të caktuara.

Më 21 gusht, Ministria e Inovacionit përmes një komunikate kishte njoftuar se do të investojë 200 mijë euro për hapjen e Qendrës Multifunksionale Inovative në Shtime. Njoftime të ngjashme, mediave u janë adresuar edhe nga disa ministri tjera.

Profesori i çështjeve juridike kushtetuese, Mazllum Baraliu, thotë për Radion Evropa e Lirë se Gjykata Kushtetuese do të duhej sa më parë të dalë me një interpretim të kërkesës së Haradinajt.

Sipas tij, nuk ka shumë për të bërë dhe për t’u thelluar në këtë çështje, pasi që Kushtetuta e Kosovës, sipas tij, është e qartë në këtë pikë.

“Do të duhet që sa më parë Gjykatat Kushtetuese të ketë një mendim lidhur me këtë kërkesë në mënyrë që nëse kanë të drejtë ministrat e dorëhequr dhe qeveria e rënë bashkë me kryeministrin e dorëhequr që të sjellin vendime, të marrin vendime, atëherë është dashur kabineti të vazhdojë të mbaje mbledhjet e rregullta dhe të marrë vendime si deri më tani, sa ka qenë brenda mandatit. Por, këtë nuk po e bënë Gjykata Kushtetuese dhe shpresojmë që do ta bëjë sa më parë në mënyrë që të hiqen dilemat”, thotë Baraliu.

Sipas tij, deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese nga fryma e Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, Qeveria e dorëhequr ka të drejtë t’i kryej punët vijuese teknike administrative, ka të drejtë dhe obligim që t’i zbatojë vendimet që janë marrë nga kabineti qeveritar në mandat derisa nuk është dhënë dorëheqja dhe të kontrolloj, mbikëqyrë zbatimin e vendimeve dhe projekteve të ndryshme.

“Marrja e vendimeve do të duhej bërë në kabinet. Do të duhet të mbahen mbledhjet e qeverisë dhe do të duhej të trajtoheshin ato çështje për tu marrë dhe votuar vendimet e qeverisë. Kjo është praktikë juridike pasi që Kosova nuk ka më tepër se kaq pasi që nuk e kemi Ligjin për qeverinë ku më saktësisht do të duhej të përcaktoheshin obligimet dhe detyrat e qeverisë në çdo situatë juridike, pra edhe në këtë situatë të vakuumit institucional pas dorëheqjes së kryeministrit”, thotë Baraliu.

Më 29 korrik, kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për definimin e kompetencave. Nga ajo ditë Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka afat ligjor prej 60 ditësh për t’i dhënë një përgjigje.

Në Kosovë gjatë javës që lamë pas Kuvendi i Kosovës është shpërndarë dhe brenda 45 ditëve do të mbahen zgjedhjet e parakohshme për përbërjen e re të legjislaturës së shtatë të Kosovës./rel

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here