Opozita po përgatitet për një vjeshtë të nxehtë kundër qeverisjes së Edi Ramës. I ftuar në A2, sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Çlirim Gjata, çështjet Pjetri dhe Kajmaku i cilëson si elementë të vegjël, janë pasojat. Sipas tij, asnjëri nuk emërohet pa dijeninë e të së kaluarës së Edi Ramës.
”Pse i dalin Ramës njerëzit e tij të inkriminuar, përse të kaluarën e tyre ia gjejmë gjithmonë ne si opozitë, dhe Qeveria nuk e gjen dot? Gjithë Shkodra e dinte kush ishte Pjetri, gjithë Vora kush ishte Kajmaku”, thotë Gjata. Sipas tij, Rama këto tipa i zgjedh sepse ia dikton krimi i organizuar, si dhe oligarkët, trinia e Rilindjes.
Kur persona problematikë dolën në pah në 2015 edhe në radhët e PD-së, për Gjatën ”ajo pati burrërinë politike që të distancohet nga ato figura, në mes të fushatës. PD ka prezantuar një listë me 12 emra problematikë, nuk ka asnjë vend ku opozita merret me gjetjen e krimeve, por Qeveria nuk bën detyrën e vet”.
Largimi i Ramës para zgjedhjeve është një element i domosdoshëm dhe përjashton që PD mund të futet ne zgjedhje me kryeministrin e tanishëm si kandidat. Për aleatët, veçanërisht LSI-në, ai thotë që “duhen pyetur ata, por nuk kam dëgjuar asnjë deklaratë ku thuhet se nuk duhet të iki Rama”, dhe duket i bindur që koalicioni “është i njëjti që ka qenë që me 16 shkurt, me të njëjtat kushte dhe me të njëjtin qëndrim“.