Prokuroria e Tiranës kërkon arrest me burg për 7 nga 8 të arrestuarit për falsifikimin e biletave të transportit urban në kryeqytet. Kujtojmë se arrestimet u kryen dy ditë më parë nga policia në kuadër të operacionit “Bileta e falsifikuar”.
Organi i akuzës ka kërkuar masën e arrestit me burg për F.I. dhe djalin e tij A.I., si dhe për të arrestuarit: F.V., E.V., K.Q., A.D., si edhe L.A., ndërsa për A.V. Prokuroria ka kërkuar masën e detyrimit me paraqitje.
F.I ka mohuar mohuar akuzat duke u shprehur se nuk ka dijeni për biletat e falsikuara. Para prokurorëve, ai u shpreh se biletat e gjetura në makinën e tij janë të vjetra dhe nuk ishin në përdorim.
Në operacionin e ndërmarrë dy ditë më parë, policia arrestoi 8 persona, nën dyshimin se duke bashkëpunuar me njëri -tjetrin kanë falsifikuar bileta të transportit urban në kohë dhe periudha të ndryshme, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore dhe përfitim financiar të disa shoqërive operatore në trasportin urban në Tiranë. Gjatë operacionit u sekuestruan 150 000 bileta të transportit urban të falsifikuara.