Talenti shqiptar Arstidi Kolaj ishte një nga protagonistët e fazës përgatitore me skuadrën e Sasuolos. 20-vjeçari u grumbullua me ekipin e parë duke spikatur teksa shënoi në ndeshje miqësore.
Në këtë formë, ekipi italian kërkoi ta huazonte për të fituar më shumë minuta në një klub tjetër. Për Kolajn ka pasur interes nga Salernitana por edhe Padova e Piza.
Megjithatë, në fund sulmuesi ka surprizuar jo pak pasi është huazuar në Serinë C te skuadra e Pro Patrias. Emri i kësaj skuadre nuk ishte përmendur si pretendente për shërbimet e futbollistit të shpresave, megjithatë për Kolajn i rëndësishëm është aktivizimi dhe marrja e minutave të plota. Kështu, për Kolajn tashmë nis një fazë e re në karrierë, pasi nuk do të jetë më pjesë e skuadrave të të rinjve.