Nëpërmjet kamerave të fshehta, Fiksi arriti të provonte se për lirimin e qytetarit ishin paguar plot 3 mijë euro. Madje, këtë e deklaron vetë avokati Vladimir Sadikaj. Ndërkohë, në biseda, avokati Baftjar Rusi i thotë qytetarit se duhet të paguajë edhe 1 mijë euro, shumë që të mundësonte pezullimin e çështjes.
“Në polici më thanë se do firmosësh ca letra dhe unë s’kam pranuar t’i firmos. I kam lexuar letrat dhe s’kishte asnjë lloj prove. Kishte vetëm 1.3 gramë kokainë, lëndë narkotike gjatë arrestimit tim. Këtë lëndë e kisha për përdorim vetjak, jam përdorues. Në këtë zonë janë vjedhur vegla dhe materiale dhe siç është vjedhur në shtëpinë time. Në gjithë Vunoin ka vjedhje edhe sot e kësaj dite. Dhe asnjë nuk është zbuluar. Unë dyshoj që shefi i komisariatit dhe shefi i krimeve e kanë bërë personale, s’e di ku bazohen te x banor, më kanë marrë peng. Kanë nxjerrë dy dëshmitarë, babë e bir” thotë ai.
“Për vjedhjet s’më kanë thënë asnjë gjë. Për dosjen e vjedhjeve unë jam thirrur vetëm një herë në prokurori. I kam thënë të gjitha këto që pretendoni, është loja e Policisë së Himarës. Hetimi vazhdon, unë s’kam informacion se ç’bëhet me atë dosje. Unë komunikoj me prokurorinë nëpërmjet avokatit, Vladimir Sadikaj. Është avokat në qytetin e Vlorës, kurse në Tiranë kam Baftjar Rusin. Unë s’kam tërhequr asnjë dokument nga prokuroria dhe s’kam asnjë info nga prokuroria. Prandaj ju drejtova dhe emisionit tuaj se unë s’kam besim te kjo prokurori dhe te kjo polici,” shprehet më tej qytetari/Tch