Pas zyrtares gjermane javën e shkuar, në Tiranë ka mbërritur sot edhe një tjetër zyrtar i lartë amerikan në përpjekje për të zgjidhur krizën politike në vend.
Bëhet fjalë për David Kostelancik, Drejtori për Evropën Qendrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit. Ai do të takojë nesër pasdite kryeministrin Edi Rama dhe më pas zyrtarë të tjerë të opozitës.
Për momentin nuk dihet ende nëse do të ketë takim me presidentin Ilir Meta apo jo. Prej muajit shkurt të këtij viti vendi ka hyrë në një krizë të thellë politike pasi opozita dogji mandatet në Kuvend dhe doli në rrugë. Kriza u thellua më tej me zhvillimin e zgjedhjeve lokale, pa pjesëmarrjen e partive kryesore të opozitës.