Pas Valdrit Pjetrit dhe Agim Kajmakut, PD-ja pritet të denoncojë të tjerë kryebashkiakë të dalë nga votimet e 30 qershorit, që sipas sajë kanë probleme me ligjin e dekriminalizimit. Në një intervistë për A2, nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho, paralajmëron se: ”Edhe në javët e muajt e ardhshëm do të vazhdojmë këtë lëvizje”. Sipas tij, ”jemi të bindur që është një aksion i vështirë, por do t’i qëndrojmë deri në fund”.
Pas 30 qershorit, denoncimet e të zgjedhurve vendorë të dyshuar për rekorde kriminale mbajtën peshën kryesore të kauzës së opozitës por shtatori risjell protestat. Zgjidhja e krizës vijon të kalojë nga një qeveri tranzitore, pohojnë demokratët, për të cilën palët duhet të ulen më parë në dialog.
Spaho shpjegon se prania e Edi Ramës në tryezë nuk përbën pengesë. ”Ne nuk e zgjedhim kryetarin e Partisë Socialiste, është Edi Rama dhe është përgjegjësi të strukturave të PS ta zgjedhin. Dhe në një tavolinë të forcave politike ai do të jetë si përfaqësues i Partisë Socialiste”.