“Procesi i zgjedhjeve të 30 qershorit ishte i rregullt dhe brenda normave demokratike të vendeve ku ne aderojmë”. Kjo fjali e dini se nga kush është thënë? Ai është “erudit” (njëri i ditur), gjeni i vëtëshpallur, politikan me 15 vite karrierë të jashtëzakonshme politike, ka emrin e një mbreti Ilir, flet mirë shqip, por artikulohet në fraza të gjuhëve të huaja. Mjaftojnë këto të dhëna për të kuptuar se bëhet fjalë për zëvendësministrin e Jashtëm me autorizim ministri Gent Cakaj.
Në daljen publike mbi raportin e OSBE/ODIHR, Cakaj nxorri nga repertori folklorik perla të padëgjuara dhe pashkruara: “Zgjedhjet ishin demokratike, legjitime dhe përmbushën standartet”, tha ai.
Por çfarë thuhet në të vërtetë në raport.
“Zgjedhje të papërfaqësuara; të zhvilluara klimë të ashpër politike; vota u deformua; KQZ shkeli praktikat ligjore; Kolegji Zgjedhor i ndikuar për shkak të vettingut; nuk u mor parasysh dekreti i presidentit në kundërshtim me ligjin; administrata u kërcenua për të marrë pjesë në votime”.
Këto janë disa nga gjetjet e përfaqësuesve ndërkombëtar që monitoruan procesin e 30 qershorit në Shqipëri.
Po çfarë e detyron një ministër të ri, vetëm 28 vjeç, që të dalë në një konferencë të gjatë shtypi dhe të krijojë një tymnajë, mbi asnjë fakt dhe për më shumë të vendosë në ligjëratë të drejtë shprehjet: “zgjedhjet ishin demokratike dhe të ndershme”, kur ajo nuk gjendet në asnjë rresht të raportit prej 34 faqesh?
Padyshim që ai di të lexojë shqip dhe anglisht, thotë se ka tre mastera, që i ka realizuar për një vit, që ka nisur karrierën politike që 14 vjeç. I detyruar me urdhër? Duket se as kjo nuk qëndron. Nëse kryeministri do e urdhëronte vartësin e tij të dilte në konferencë dhe mbante një qëndrim për të mbrojtur votimet e 30 qershorit, përsëri kishte një formë tjetër. Me nuanca diplomatike mund ta vishte më bukur atë mbrojtje të pambrojtshme. Por Cakaj fatkeqësisht për të, po i beson edhe vetë ato që thotë.
Dhe faji nuk është i tij, por i “Lavatriçes së Rilindjes”. Para se të marrin poste të rëndësishme, ministra të tillë (dhe nuk është i vetëm), kalojnë në procesin e larjes me “90 gradë”, shpëlarjes në cetrifugë dhe tharjes së trurit… Shqisa e të menduarit u ikën përfundimisht dhe për ta duket se funksionon vetëm ai çipi kontrollues që si ideal, apo fe ka vetëm Rilindjen dhe liderin e madh shpirtëror, Edi Ramën.
Idhulli për liderin që i drejton, deri në mohin të personalitetit, dinjitetit, apo normave shoqërore nuk është e re për vendin tonë. Janë të shumta ato raste kur ish-anëtarë të Byrosë Politike, apo ministra, edhe kur partia i çonte para togës së pushkatimit në fjalën e pyesnin: “A është mirë me shendet shoku Enver”?
Bataret e armëve zbrazeshin mbi ta me urdhër të Enverit, por ata ikën nga jeta e të gjallëve me mendjen tek udhëheqësi, partia dhe diktatura e proletariatit. Sot nuk mund të shkohet deri në ekstremizma të tillë, por në mënyrën e të gjykuarit, vepruarit dhe krijimit të miteve idhull asgjë nuk ka ndryshuar.
Të jetosh e studiosh në vendet ku ka lindur dhe është rritur demokracia, të kultivohesh me kulturën e atjeshme dhe në fund të gjykohet se: “votimet e 30 qershorit ishin të lira, demokratike dhe të ndershme”, është edhe më shumë se një çështje posti!
Por ministri i Jashtëm me autorizim nuk duhet anatemuar, faji nuk është i tij, pasi tenton edhe të shprehë edukatë, që nuk i mungon, përgjegjësia është tjetërkund, tek “Lavatriçja Rilindje” që po zbaz vendin nga intelektualë dhe njerëz me dinjitet, për ti zëvendësuar në krye të vendit me individë që kalojnë testin e së “vërtetës”, larje, shpëlarje dhe tharje të trurit.
Nga Boldnews.al