Pse e refuzova dokumentarin për mua kur u përfshi Rama dhe miku i tij…

0
123

Nga heronjtë e rremë, te disidentët e rremë. Maks Velo është i shqetësuar. Sipas tij, me vuajtjet e komunizmit abuzohet për përfitime të veçanta dhe përjashtim nuk bëjnë as artistët. Arkitekti rrëfen rastin e piktorit Hila dhe përzgjedhjen e padrejtë sipas tij, të artistit për të ekspozuar në Muzeun e Artit Modern në Varshavë.

“Nuk ishte as Galeria që e caktoi, por një njeri me pushtet, i cili ua caktoi detyrimisht Edi Hilën, pa lënë për ta asnjë mundësi që të takonin edhe artistë të tjerë e të zgjidhnin vetë studiuesit polakë”, tregon Velo për “Panoramën”. Ekspozita “Piktori i transformimit” u hap më 2 mars (deri në 6 maj) të vitit të kaluar në ambientet e Muzeut të Artit Modern në Varshavë dhe u kurua nga drejtori i Galerisë Kombëtare, Erzen Shkololli, si dhe Kathrin Rhomberg, Joanna Mytkoëska etj. Është mbajtur në vazhdën e një serie ekspozitash që përfshijnë artistë, të cilët kanë mbajtur qëndrime kritike ndaj sistemeve të artit ku kanë jetuar e çka sipas Velos, e bën edhe më të dyshimtë përzgjedhjen e Hilës. “Hila ishte një piktor i aftë, por jo disident. Nuk ka një fond me vepra që ishin ndryshe realizmit socialist”, tregon Velo. Madje për të, edhe “Mbjellja e pemëve” apo “Parakalimi” janë të socrealizmit, pasi siç shpjegon ai, u bënin jehonë thirrjeve politike të partisë.

Një tjetër peng i Velos është bashkëpunimi i lënë përgjysmë me producentin belg, Sergio Ghizzardi, me të cilin prej vitit 2001 ishin duke punuar për të realizuar një dokumentar për jetën, burgun e veprat e artistit. Velo ruan ende sinopsin e skenarit, materiale të tjera që do ndihmonin për realizimin, si dhe bisedat me producentin. “Puna nuk nisi nga realizimi se ndërhyri Kryeministri Rama e unë menjëherë hoqa dorë”, rrëfen Velo. Sakaq, dokumentari do të vijonte edhe me Edi Hilën dhe Kryeministrin Rama, e në këtë pikë Velo refuzon të vazhdojë bashkëpunimin me Ghizzardin. “S’mund të bashkëpunoja me Hilën, se ai s’ka qenë i burgosur politik”, thotë Velo, duke theksuar se Rama dhe Hila duhet të mbajnë përgjegjësi për falsifikimin që bënë. Një fakt tjetër që piktori sjell në vëmendje është përmendja e Hilës mes të burgosurve në botimin “Ëorld literature” të albanologut të ndjerë Robert Elsie. Informacion i rremë, njësoj si shkaqet e bëra publike në lidhje me riedukimin e Hilës, sipas Velos. “Nuk luhet me burgun”, thotë arkitekti. Për më tepër atë të diktaturës, që ai e provoi në lëkurë. Sprovat çnjerëzore përndoqën edhe familjarët e tij. Vdekja e të atit mjek, përjashtimi nga puna i të vëllait, tronditjet që shpunë të motrën në spitalin psikiatrik, janë një peshë e rëndë. “Pastaj më dogjën edhe veprat! Në asnjë diktaturë nuk i janë djegur veprat artistit, por mua më ndodhi edhe kjo. Ku ka vuajtje më të madhe për një artist?!” – thotë arkitekti. Për këto arsye, edhe siç rrëfen, “në emër të rezistencës intelektuale, që iu kundërvu ideologjisë mashtruese komuniste”, ai vendosi që të thyejë heshtjen dhe të tregojë mashtrimet, që sipas tij janë bërë mbi plagët që la diktatura më e ashpër staliniste.

Zoti Velo, para disa ditësh ngritët shqetësimin mbi disidentët e rremë. Biseda që patët me përkthyesen, e cila ju shoqëroi në takimin ndërkombëtar në Varshavë gjatë fillimit të qershorit, ju nxit të thoni se edhe piktori Edi Hila mund të jetë i tillë. Çfarë ju tha konkretisht zonja Stolarska?

Është e vërtetë. Ka kohë që shoh me shqetësim se si po falsifikohen faktet për atë periudhë, që e kam jetuar intensivisht. Atëherë ishin me dhjetëra e dhjetëra piktorë e skulptorë që përbetoheshin për Partinë dhe që u angazhuan me denoncime e spiunime për të më futur në burg. Janë 105 dokumente të botuara së fundi në librin “Jetë paralele”. U përmbysën epokat dhe po këta njerëz duan tani të quhen disidentë dhe të përfitojnë nga burgu im. Kur dola nga burgu, ata ishin të pakënaqur që mbeta gjallë, tani duan të bëhen bashkëvuajtës.

Në datën 4 qershor ishim ulur në darkën zyrtare në Kështjellën e Varshavës. Ishim ftuar si disidentë me rastin e 30-vjetorit të zgjedhjeve të lira nga Senati i Polonisë unë dhe Visar Zhiti, bashkë me gruan e tij, Edën. Në një moment, përkthyesja Malgorzata Stolarska më pyet:

– Edi Hila, me Ju ka qenë në burg?
– Jo, me ne jo, por ai as nuk ka qenë në burg fare, – i përgjigjem unë.
– Nuk ka mundësi… e keni gabim, – ngulmon përkthyesja.
– Nuk e kam gabim, e di mirë, – i them.
– Po unë e kam të shkruar që ai ka qenë i burgosur politik në biografi, pastaj, ne prandaj ia bëmë ekspozitën, jo për punët, – më tregoi Stolarska.

 

Me pak fjalë, kjo ishte biseda për këtë problem. Unë pak a shumë e dija që më herët, kur erdhën studiuesit Polakë dhe u caktua nga ana e Galerisë Edi Hila. Madje, nuk ishte as Galeria që e caktoi, por një njeri me pushtet, i cili ua caktoi detyrimisht Edi Hilën, pa lënë për ta asnjë mundësi që të takonin edhe artistë të tjerë e të zgjidhnin vetë ata. Është caktuar një mënyrë e çuditshme për të paraqitur atë periudhë. Nga një anë iu thuhet nga ana e disa artistëve konceptualë se nuk ka pasur fare një disidencë e nga ana tjetër shtohet: Ja, kemi vetëm Edi Hilën. Kjo sjellje është përsëritur edhe kur kanë ardhur kërkesa nga Qendra “Pompidu”.

Përse bëhet kjo?
Duhet të kuptojmë se vitet e fundit, Europa, sidomos qendrat kërkimore të artit, duan të dinë për disidencën në art gjatë periudhës së komunizmit. Sidomos në Shqipëri, meqenëse ata nuk i njohin problemet e asaj periudhe. Disidenca në art dhe letërsi është një nga format më të vështira, por dhe më të rëndësishme të rezistencës intelektuale. Ajo iu kundërvu ideologjisë mashtruese komuniste. Ata që e bënë këtë janë të vlerësuar lart dhe do të shkruhen në analet e antikomunizmit europian. Meqenëse kanë kaluar 30 vjet nga rënia e komunizmit, shumë disidentë kanë vdekur, pastaj ka filluar falsifikimi i ngjarjeve dhe prandaj kërkohen të identifikohen dhe respektohen. Për këtë arsye, edhe trysnia e falsifikimit është rritur te ne.

Edi Hilën, ju e gjeni si të dënuar të diktaturës edhe në një botim të Elsies, bërë në fillimet e viteve ’90, ku renditet ndër artistët që “kanë qenë në burg apo kampe përqendrimi”. Kush mund t’ia ketë dhënë sipas jush një informacion të tillë studiuesit?

Robert Elsie erdhi tek unë në dimër të 1990-ës. Unë kisha dalë nga burgu dhe punoja si punëtor në Abrazivi. Ishte mbasdite dhe erdhi bashkë me Perikli Jorgonin, një poet dhe studiues shumë i dhënë pas artit dhe poezisë moderne. E takoja për herë të parë Elsin, që do mbetet një nga albanologët më të veçantë, që jetoi me intelektualët shqiptarë kohët e tyre më të vështira. Ai besonte te çdo njeri. Unë i dhashë vendimin e gjyqit dhe i dhurova një vizatim. Ai vjen mbas një viti, në dimrin e vitit 1991, dhe kish me separatin e botimit të tij në Oklahoma (“Ëorld literature today”) në pranverë të atij viti, të cilin ma la mua. Me këtë botim, Elsi hyn në historinë e letërsisë dhe artit si i pari që u mor, studioi dhe e bëri të njohur në botë disidencën letrare dhe artistike shqiptare. Jam i bindur se atë informacion djallëzor për Edi Hilën ia ka dhënë vetëm ai: Edi Hila.

Këtë bindje e kam sepse është diçka që ai e ka përsëritur edhe në dhjetëra raste të tjera, sa herë që vinin studiues, profesorë dhe piktorë të huaj. Ai më ka kërcënuar mua kur shkrova për këtë problem para Galerisë së Arteve. Hila është njeriu i pëshpësheve, intrigave, kërcënimeve, servilizmit. Për sa i përket riedukimit të piktorit Hila, si shkak është bërë i ditur deri më tani tendenca e tij antikonformiste kundër artit socialist, e ngritur si akuzë. Konkretisht, tipare të shfaqura në dekorin e Festivalit të 11-të dhe te “Mbjellja e pemëve”.

E vërteta lidhur me riedukimin e tij, sipas jush është një tjetër. A mund të na e rrëfeni? Unë kam botuar 120 dokumente, ai nuk ka botuar asnjë. Përse nuk boton dokumentin se përse u dërgua në Pularia? Administrata komuniste ish shumë e rregullt, çdo gjë është e dokumentuar. Përse e lë të pasqaruar?
Ai ka shkuar në Pularia jo vetëm, por bashkë me operatorin B.D., me të cilin ndanë bursën e UNESKO-s për në RAI. Hila ka dalë jashtë shtetit 3 herë gjatë periudhës komuniste. Hila ish njeriu i besuar i Partisë dhe Sigurimit. U caktua shef i piktorëve gjatë ndërtimit të Muzeut “Enver Hoxha”. Me sa di unë, kur u kthyen nga Italia, dikush iu kish dhënë një shumë paresh për t’i çuar në familje, këta me nxitjen e Edit, blenë televizorë dhe lavatriçe. Familja u ankua në Televizion dhe mbledhja e Partisë i dërgoi në Pularia për riedukim. Kjo vazhdoi pak kohë, derisa Kristaq Rama u interesua dhe e rivendosi në punë. Asnjë burg politik nuk kemi këtu, përveçse një veprim ordiner.

Pra, janë këto arsyet që ju bëjnë të mendoni se Hila, më shumë se i privuar, ka qenë i favorizuar nga sistemi…
Po, sigurisht që ish i favorizuar nga sistemi dhe e meritonte këtë. Ishte piktor i aftë, por jo disident. Kish miq dhe njerëz që e vlerësonin (me të drejtë), por nuk ka një fond me vepra që ishin ndryshe realizmit socialist. Edhe “Mbjellja e pemëve” dhe “Parakalimi” ishin piktura të realizmit socialist. Sepse ato plotësonin kushtin e parë edhe më të rëndësishëm: Iu bënin jehonë thirrjeve politike të partisë. Unë isha që i lavdërova (bashkë me Epikën e Edison Gjergos), sepse ishin më artistike. Kish vepra shumë të dobëta nga ana artistike në atë ekspozitë. Pastaj mos harroni, Edi Hila, pas tyre bëri “Hedhja e trakteve në Kinema Nacional”, një pikturë shumë e dobët dhe tërësisht pllakateske. Me këtë i bënte qejfin Nexhmije Hoxhës dhe Fiqret Shehut, vajzave të Pedagogjikes. Ku është disidenca këtu?

Me Hilën, siç tregoni, ju lidh dhe një tjetër histori, ajo e një dokumentari për ju që do të realizohej nga Sergio Ghizzardi dhe që në fund pati si protagonist dy “Edat” artistë. Pse nuk e çuat deri në fund punën e nisur me producentin belg?
Sergio Ghizzardi më dërgoi 4 letra nga viti 2001 deri në 2004, si dhe sinposin e skenarit EPIC SONG, që ai donte të realizonte si një dokumentar me mua për jetën, burgun dhe veprat e mia. Hila këtu nuk kish lidhje fare, por si edhe në raste te tjera, ai është vigjilent për të të shkatërruar çdo gjë dhe për të dalë vetë. Puna nuk nisi nga realizimi se ndërhyri Kryeministri Rama, unë menjëherë hoqa dorë.

Nëse Kryeministri Rama nuk do të ishte pjesë e atij dokumentari, do të pranonit ta realizonit bashkë me Edi Hilën?
Jo, nuk mund të pranoja të bashkëpunoja me Edi Hilën, se ai nuk ka qenë i burgosur politik. Është çështje parimi, do shkelja mbi burgun tim, mbi burgjet e gjithë intelektualëve të vërtetë. Ata të dy ta mbajnë përgjegjësinë vetë për falsifikimin që bënë.

Ndihet një frymë konkurrence me Hilën. Krahas pjesës së diktaturës, si e shikoni si artist?
E keni gabim, unë nuk kam asnjë konkurrencë me Hilën. Arti është personal, aty dhe e ka vlerën. Unë bëj tjetër pikturë nga ajo që bën Edi Hila. Dhe jam i bindur që veprat e mia janë shumë më lart se të tijat. Kjo frymë në dukje ka të bëjë me atë që Edi Hila ka marrë dhe vazhdon të marrë në mënyrë të pamerituar, epitete dhe vlerësime disidente që ai nuk i meriton. Të gjithë kanë frikë, unë ia kam thënë gjithmonë ballë për ballë.

Po Ramën piktor, sa e vlerësoni?
Ramën do ta vlerësojë koha, koha kur të jetë i vetmuar dhe jo i plotfuqishëm. Fakti që e ngatërroi politikën me artin në kohën që është Kryeministër, është i kritikueshëm.

A ka përveç Hilës raste të tjera të artistëve të artit pamor që ju njihni, ku për një arsye apo tjetër janë konsideruar si të përndjekur nga sistemi, disidentë, pa qenë të tillë?
Jo, nuk ka. Duhet kuptuar se piktura dhe skulptura janë arte të vështira. Gjendja e tyre në vitet ‘50 ish profane. Kishin ikur kohët e studiove famëmëdha, virtuoze të artit bizantin. Degradimi osman na la me mure bosh. Realizmi socialist te ne ka qenë një fatkeqësi kombëtare. Në vitin 1955 shkova me grupin e piktorëve polakë me autobus në Shkodër dhe Durrës. Doja t’i shihja si punonin, aty ish edhe profesori i Danish Jukniut nga Krakovi. Më dha dy punë: një ÇATI NË DURRËS dhe një PORTRET, që e bëri në Milot (ia kam dhuruar ambasadës polake). Po arti polak nuk iu nënshtrua asnjëherë realizmit socialist, pllakati i tyre zuri vendet e para në botë bashkë me pllakatin e Francës, atë zviceran e japonez. Pllakatistët Henryk Tomaszeëski, Jan Lenica, Jan Mlodozeniec janë nga më të shquarit. Tomaszeëski ish në grupin që erdhi në Shqipëri, unë 20-vjeçar e shihja me adhurim. Kjo injorancë vazhdon. Është e vështirë të deshifrosh imazhet.

Zoti Velo, rastet që ju sillni në vëmendje lënë të kuptohet se mungon transparenca rreth asaj që ndodhi në diktaturë edhe për sa i përket njerëzve të artit e kulturës. Çfarë duhet bërë në këtë drejtim sipas jush, që e vërteta të dalë në pah?
Po, mungesa e transparencës është dukuri e popujve të pazhvilluar dhe me trauma të rënda historike. Mungesën e vlerave dhe të punës e zëvendëson me llafe, intriga, zjarre, zhdukje, shtrembërime, ndërrime identitetesh, duke i atribuuar vetes vlera të paqena. Kemi mungesa studiuesish, historianësh (edhe të artit), si dhe kritikësh. E vetmja gjë që duhet bërë është të ruhen faktet e të mos i shtrembërojnë sipas dëshirës./Panorama/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here