Rrota e Pirro Manit dhe Rrota e Edi Ramës

0
163

Nga Ermal Mulosmani

Pirro Mani është regjisori më i njohur në historinë e Teatrit shqiptar. Do të duhej një shkrim i plotë për vendin e tij në panteonin e artit shqiptar por nuk është ky qëllimi i këtij shkrimi.

Në mesin e viteve 70, Teatri po jetonte ditët më të errëta të tij.  Shpesh fati i regjisorëve teatrorë tejkalonte dramën e personazheve që ata vinin në skenë. Kështu ndodhi me dy regjisorët tjerë të mëdhenj, Mihal Luarasi e Kujtim Spahivogli, tendencat moderniste të të cilëve i degdisën ata në ferrin e punës së krahut dhe ia ndaluan krijimtarinë artistike…

Në ato kohë, drama më e madhe ishte pikërisht ajo që sot është kënaqësia më e madhe, nata para premierës ose prova e përgjithshme. Të deleguarit e Komitetit të Partisë, disa aparatçikë të pakulturuar por shumë të zellshëm për të bërë gjëmën, vinin e uleshin në radhën e parë me ndjesinë e pushtetit të zi e fuqiplotë në jetën e tjetrit. Ismail Kadare u ka kushtuar këtyre tipave poezinë, “Romanvrasësi” ku ndër të tjera thotë :

“Dhe shkruan fjalët: “ekuivoke”, 

“Ka aludim”, “kuptim dyfish”

ndërsa ndien si spërkat duart

gjaku i romanit që jep shpirt

E në atmosferën e zymtë të atyre arrestimeve, internimeve dhe linçimeve publike, Pirro Mani do vinte në skenë një pjesë që mbante era modernizëm. Mundet të ishte edhe vetëm në mendjen e regjisorit ai modernizëm por, frika se mos aparatçikët e zellshëm do të thonin fjalën e tmerrshme “ekuivoke” ishin thellë në psikikën e të gjithë të mbijetuarve të sulmit të parë.

Atëherë, Pirro Mani bën një veprim krejt të pashpjegueshëm nga askush, vendos në qendër të skenografisë një Rrotë të madhe makine të lidhur me litarë. Të deleguarit e Komitetit vijnë ditën e provës dhe, sapo shohin Rrotën e madhe në qendër të skenës, fillojnë me pyetjet dhe vërejtjet për Rrotën. Çfarë simbolizon ajo Rrotë? A është në përputhje me parimet e artit socialist një Rrotë e madhe në mes të një skene teatri? Ku do të dalë autori me këtë figuracion borgjez?

E kështu me radhë, i gjithë diskutimi u vërtit rreth Rrotës. Në fund, Pirro Mani i madh, u thotë censorëve: “U zgjidh puna, do e heq Rrotën nga skena”!

Të gjithë morën frymë të lehtësuar. Në fakt, më i qetësuari ishte Pirro. Ai e kishte vënë Rrotën në qendër të skenës pikërisht për të marrë vëmendjen që mund të merrte në kushte të tjera teksti apo gjetjet regjisoriale. Kështu, Rrota e Pirro Manit hyri në manualet teatrorë si mjeshtria për të spostuar vëmendjen e të fuqishmëve në një çështje dytësore, njëfarë karremi për trupeshqit.

***

Kryeministri Edi Rama dje hodhi një status të çuditshëm në publik. Ai thoshte:

“Një ide në diskutim është: çdo student denoncues që sjell provë për gjest korruptiv nga kushdoqoftë, zeron tarifën e merr bursë njëvjeçare”.

Pra, Kryeministri, duke ditur urrejtjen publike ndaj spiunëve të çfarëdolloji e sidomos të atyre me përfitim, bën publike një ide të tillë. Shumë prej njerëzve, publikë ose jo, u morën me këtë ide dje. Kjo ma kujtoi fiks Rrotën e famshme të Pirro Manit…

Kryeministri është në hall të madh këto kohë.  Janë disa çështje që po ia sterrojnë ditët.

1.

E para është që një Gjykatë Ndërkombëtare e ka dënuar me 110 milionë Euro gjobë për një dëm të shkaktuar ndaj një Televizioni kundërshtar. Vendimi është paralizuar por vetëm për çështje kohe. Shpejt do t’i duhet të përballet me këtë tmerr. Është si ai kryefamiljari bixhozxhi që ka lënë shtëpinë në kumar dhe akoma nuk ia ka thënë gruas e fëmijëve. Kreditorët mund të vijnë nga momenti në moment…

2.

Skandalet financiare kanë shpërthyer keq dhe nuk po dinë të ndalen. Në tenderin e rrugës Kardhiq-Delvinë, ka plasur një konflikt publik mes Drejtoreshës së Përgjithshme të Rrugëve dhe një prej klientëve të Kryeministrit, ndërtuesit me koncesion të Rrugës së Arbrit, firmës Gjoka. E para akuzon për mashtrime e falsifikime me volumet e punimeve ndërsa tjetri akuzon për favorizim absolut një firmë italiane që ka ofertë mbi 4 milion Euro sesa Gjoka. Skandali është bërë publik në media. Ndërkohë, Ministria kujdestare e Rrugëve i vë kapakun duke e anulluar tenderin si “jo prioritar”. Një vit më parë u zbulua një firmë offshore, me pronar një sportelist hoteli që kishte fituar tendera 40 milion Euro! Edhe atëherë skandali u zbulua nga Opozita dhe Media. Ka kaluar pothuaj  një vit dhe ritenderimi nuk ka përfunduar. Janë kudo të njëjtat firma fituese që ofrojnë 99.99% të fondit limit. Kur e pyet Drejtorin e Rrugëve se pse ndodh kështu, përgjigjet: “Edhe në kohën e PD-së kanë ndodhë këto gjëra”. Pra, kanë vjedhë ata pse mos të vjedhim edhe ne. Prokuroria i dëgjon në Televizor këto çudira dhe nuk vepron. I njëjti Drejtor thotë që “Projektin e Unazës së re me vlerë 1,2 milion Euro na e fali një studio projektimi”!

Kontrolli i Shtetit, edhe ashtu i paralizuar e pa Kryetar i bën thirrje Parlamentit të mos miratoje PPP-të e rrugëve sepse ka abuzime. Situata duket totalisht jashtë kontrollit. Duket që Kryeministri po zien nga këto skandale financiare.

3.

Pasi i mori 61 Bashkitë e Shqipërisë, po i dalin kriminelë e me identitete të shumëfishta të zgjedhurit e rinj. Shkodra ra, po bie Vora, diskutohet Vau i Dejës dhe kushedi se sa të tjerë. Partia Demokratike, ashtu siç është, po ia kap lepujt me qerre. Bëhet fjalë për 11 të zgjedhur socialistë ose 18% e totalit. Një shifër e tillë përjashton çdo probabilitet normal, edhe sikur t’i kishte zgjedhur 61 njerëz nga rruga nuk do kishin dalë kaq të njollosur. Kjo vërteton tezën e përfolur vazhdimisht të përafrisë së kryeministrit tonë me njerëz të botës së krimit. Edhe partnerët ndërkombëtarë do fillojnë ta shohin si një Padrino të krimit.

Atëherë me çfarë të merret më parë Kryeministri? Shpik një lodër për kalamanjtë, pikërisht si Pirro Mani me Rrotën e tij. Rrota e djeshme e Kryeministrit ishin spiunët që do shpërbleheshin me bursa. Pastaj është shkarkimi i Presidentit e Rrota të tjera pirromaniste.

Gazeta Express

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here