Real Madridi i këtij sezoni ka shumë probleme. Pavarësisht 8 pikëve të grumbulluara në 4 javët e para të kampionatit, kundërshtarët në La Liga nuk kanë qenë të nivelit të lartë dhe sërish skuadra ka çaluar.
Megjithatë në provën e parë të vërtetë, atë ndaj Paris Saint Germain në Champions League, skuadra e Zidane u “shkërmoq” si mos më keq, pavarësisht se francezët luanin pa tre yjet e sulmit, Mbappe, Neymar e Cavani.
3 gola të pësuar dhe asnjë i shënuar, por statistika që e bën akoma më dramatike këtë humbje nuk ka të bëjë me rezultatin, por me faktin se në këtë ndeshje Los Blancos nuk goditën asnjëherë kuadratin e portës, diçka që nuk ndodhte që nga sezoni 2003-2004, pra plot 15 vjet më parë.
Edhe 2 golat që shënoi ndaj skuadrës franceze u anuluan nga gjyqtari, kështu që madrilenët e mbyllën këtë ndeshje me një rekord vërtetë negativ që shqetëson jo pak trajnerin Zidane.