21 shtator 2019
Durrës
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta vizitoi në mbrëmje qytetin e Durrësit, epiqendrën e tërmetit të fortë që goditi sot vendin, për t’u njohur në detaje me pasojat që la pas kjo fatkeqësi natyrore.
Kreu i Shtetit zhvilloi një takim me Prefektin e Qarkut të Durrësit, z.Roland Nasto dhe strukturat vendore të emergjencave civile, dhe u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të ruajnë qetësinë. Ndërsa u apeloi të gjitha autoriteteve shtetëtore përgjegjëse për të evidentuar dëmet e shkaktuara nga tërmeti dhe për të marrë masat për të shmangur pasojat në të ardhmen.
Prononcimi për mediat i Presidentit Meta nga Durrësi:
“Mesazhi që unë dëshiroj të përcjell është për të ruajtur qetësinë, për të qenë të vëmendshëm në raport me informacionet që jepen nga të gjitha strukturat shtetërore, të qeverisë, qendrore e vendore, dhe për të bashkëpunuar ngushtë me to, për të evidentuar pasojat e tronditjeve të deritanishme dhe njëkohësisht për të ndjekur situatën me gatishmëri por edhe me qetësi e vëmendje maksimale.
Unë u njoha nga Prefekti dhe përfaqësuesi i Shtabit të Emergjencës këtu në Durrës, për punën që ata po bëjnë në terren në koordinim dhe me strukturat qendrore shtetërore dhe të qeverisë.
Është e rëndësishme të evidentohet çdo dëmtim dhe të merren masa për të verifikuar pasojat që mund të kemi dhe për të ardhmen, sidomos në drejtim të banesave apo të objekteve që mund të jenë dëmtuar dhe që mund të jenë problematike për akomodimin e qytetarëve.
Gazetari: Zoti President, a jemi në kushtet e një emergjence kombëtare në rastin konkret apo është herët të flasim?
Presidenti Meta: Jemi në kushtet e një vigjilence të vazhdueshme dhe të përhershme, sepse jetojmë në një rajon problematik. Është e rëndësishme gjithashtu të jemi në bashkëpunim të vazhdueshëm me të gjitha vendet fqinje sa i takon shërbimeve sizmologjike në mënyrë që të jemi të përgatitur për çdo situatë.
Gazetari: Ju e paralajmëruat tërmetin, a mendoni se u morën masat e duhura pas atij paralajmërimi?
Presidenti Meta: Tani është koha për të qenë gjithmonë të vëmendshëm. Është e rëndësishme të punohet me një koordinim efikas nga të gjitha strukturat shtetërore, vendore e qendrore, në bashkëpunim me komunitetin.
https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/videos/410792146238988/?t=3