Nga Artan Fuga
(Informacioni masiv në kushte katastrofash natyrore)
Mediat amerikane dhe të Europës Perëndimore, rreth dy javë më parë, kishin ditë që përgatisnin publikun se një uragan po afrohej drejt bregut të kontinentit amerikan. Specialistët kishin llogaritur shpejtësinë, forcën e tij shkatërruese dhe sasinë e rreshjeve, shpejtësinë e erës dhe dëmet që ai do të sillte. Një javë përpara dihej gjithçka. Në fakt, uragani kapriçioz zbarkoi pak më tej vendit të parashikuar, në Bahamas, dhe pothuajse e rrënoi gjithçka të ngritur atje me mund dhe përpjekje. Dhjetra vite më parë ishte e pamundur të parashikohej me saktësi kjo gjë, por ja që sot bëhet. Disa herë rresht zona të tëra në Floridë janë boshatisur nga popullsia për ta mbrojtur atë nga urgane të tillë me fuqi shkatërrimtare të paparë.
Më kujtohet kjo gjë kur ndiqja këtë javë debatin e madh te ne nëse mund të parashikohen apo nuk mund të parashikohen katastrofat natyrore, konkretisht tërmetet? Ndjeja shpesh edhe mendësinë e vjetër të një kohe më pak të zhvilluar teknikisht sipas së cilës tërmetet janë krejt të paparashikueshëm, jemi në dorë të Zotit! Por edhe kur të tjerë pretendonin se kishin informacione për kohën dhe vendin e tërmeteve të tjerë.
Me thënë të drejtën kisha edhe një ndjenjë fajësie sepse një popullsi qytetarë me formim të mirë në filozofi sot në botë nuk ka hezitime dhe nuk ka nevojë të shtrojë pyetje naive si ato që shtronin njerëzit parahistorikë. Por, ne kemi dekada që filozofinë e kemi hequr nga programet shkollore parauniversitare. Edhe ajo që bëhet është për të vënë kujën! Më kollaj, kam thënë, në Shqipëri gjen vend pune për prift dhe hoxhë, sesa për filozof. Dhe ja çfarë e gjen një popull që humbet lidhjen jo me filozofinë mekaniciste apo deterministe të ngurtë të viteve 45 – 90, por me arritjet e mendimt filozofik kritik bashkëkohor.
Debat i madh ka qenë sepse shpesh është menduar se mendja njerëzore i parashikon proceset natyrore, por nuk parashikon dot ngjarjet në histori, sepse, thuhej të parat janë të përsëritshme, kurse të dytat janë të papërsëritshme: lufta luftës nuk i ngjan. Pastaj qysh herët, nga shekujt vjen edhe një pozicion tjetër debatues. Disa thonë se njeriu i njeh dot ngjarjet shoqërore, sepse i krijon vetë, kurse ato të natyrës janë kaotike. Kështu historicistët në filozofinë e historisë pretendojnë se kanë zbuluar ligjin e zhvillimit të historisë dhe dinë se ku shkon ajo, pra njohin edhe atë që do të vijë pas një shekulli e më tepër.
Por, duke filluar nga gjysmat e fundit e shekullit të kaluar, dhe ndofta disa dekada më herët, filozofë dhe mendimtarë e ndanë mendjen për këtë gjë. Edhe shoqëria edhe natyra i nënshtrohen të njejtave potenciale parashikueshmërie dhe joparashikueshmërie. Sigurisht nuk dua të bëj këtu leksione filozofie, por më vjen keq që ne popullit tonë këtë dituri nuk ja kemi dhënë. Dhe pasojat janë të tilla që mund të prodhojnë katastrofta sociale me pasoja edhe humbje jete.
Që filozofia mund të shpëtojë jetë njerëzish këtë e besova këtë herë dhe isha krenar. A dëgjon ministria e arsimit? Këtë nuk e di. A dëgjon Aklademia e Shkencave që nuk ndërhyn në këtë debat? As këtë nuk kam nga ta di.
Përgjithësisht pati mendimtarë që i ndanë proceset, nuk ka rëndësi, shoqërore ose natyrore, në :
a. Stagnativë – atyre nuk ke çfarë u parashikon, ata janë dhe mbeten ata që kanë qenë, pak a shumë.
b. Ciklikë, ose pak a shumë të tillë sikurse janë lëvizjet elipsoide të planeteve ose trupave qiellorë. Këtu shkalla e parashikimit të asaj që do të vijë më pas është më e lartë dhe parashikimi më i sigurt sepse janë cikle që përsëriten prej pafundësisht kohësh.
c. Procese me gjendje stacionare ku proceset kanë dinamikën e tyre të luhatjes rreth një gjendje të qendrueshme, ose pak a shumë të qendrueshme. Edhe këto gjendje stacionare janë të parashikueshme kurse luhatjet e sistemeve rreth tyre kanë nevojë për korrigjime.
d. Stokastike, ose ajo që quhet “gjendjet e kaosit”, sepse ndodh që sistemi që është i parashikueshëm në thelbin e vet, pëson fillimisht ndryshime të papërfillshme, një pjesë të të cilave i stokon në dinamikën e vet, ndikohet prej tyre, devijon nga rregulli i zbuluar më parë, dhe nuk plotëson pritshmëritë e parashikimeve të bëra.
e. Këtu futet edhe “teoria e lojës” që sociologjikisht mund të shprehet që çdo individ kur hyn në një proces, qarkullim rrugor, treg, etj, ndryshon të dhënat e sistemit që ai ka studjuar përpara këtij veprimi, pra e ndryshon sistemin duke shkaktuar pasoja të papritura. Të gjitha këto sot modelizohen dhe u ngjajnë parimeve të papërcaktueshmërisë në të njejtën kohë të parametrave të ndryshëm. Sikurse është e papërcaktueshme në të njejtën kohë vendodhja dhe energjia e një mikrogrimce.
f. Sikurse ka parashikime që nuk lidhen me pritshmëritë e lëvizjes të një pjesëze të veçantë të një sistemi, por parashikueshmëria lidhet me fenomene masive, me agregate elementësh, në forma probabilitesh gjendjesh kolektive, sikurse përdoren në rastin e shkencave kuantike. Por metodat kuantifikuese sot përdoren për të njohur masën e sjelljes kolektive si rezultat bashkëveprimesh individuale.
Sigurisht ka edhe raste të tjera modelore por ajo që është e rëndësishme ka të bëjë me faktin se parashikueshmëria ose jo e proceve nuk varet nëse ato janë shoqërore ose natyrore, janë të lumtura ose katastrofike, janë me pasoja të dëmshme ose me pasoja të mira, shihen ose jo me sy. Lidhen me gjendjen në të cilën ndodhet sistemi.
Sot parashikohen gjithnjë e më mirë uraganet, klima dhe ndryshimet e saj, ndotja e mjedisit dhe evoluimi i saj, sikurse edhe dukuri të tjera të cilat më përpara as nuk bëhej fjalë të dihej se ku do të shkonin. Aq më shumë sot nëpërmjet analizës të të dhënave numerike të big datave veç prediktimeve, bëhen edhe devijime të ngjarjeve të pritshme në të ardhmen. Ndryshohet e ardhmja. Pra, nuk është thjesht ideja për të parashikuar, por që duke parashikuar të devijohet ta zemë një epidemi, sjellja e klientëve, etj., drejt një objektivi ose stacioni që i intereson menaxherëve.
Për tërmetet sot gjithnjë e më tepër studjohet dinamika gjeofizike e shtresave të tokës ku teknologjitë që bazohen te instrumentat matës të sinjjaleve sizmike nëpërmjet gjeofonëve na lejojnë të njohim, modelojmë, vizualizojmë me saktësi gjithnjë e më të madhe lëvizjen e tyre. Pra, në rastin më të mirë edhe të parashikojmë rrisqet sizmike.
Por tjetër është të kesh mundësi të parashikosh dhe tjetër të parashikosh vërtet. Sepse hyjnë në llogari elemente që njeriu njeh por jo ata që ai nuk njeh akoma, dukuri të rastit, kontekste të rinj të paparashikueshëm më parë.
Prandaj debati sot nuk është më ai dogmatiku midis parashikueshmërisë dhe jo parashikueshmërisë, por çështja është të gjendet një ekuilibër midis dy të kundërtave përjashtuese. Në këtë mënyrë krijohen mundësitë e njjë parashikueshmërie probabël, e një horizonti parashikueshmërie, e një parashikueshmërive të korrigjueshme hap pas hapi sipas metodës të ndryshimit inxhinjerik të modelizimeve prediktive.
Në këtë mënyrë specialistë në sizmologji theksojnë se parashikohen gjendje dinamike sizmologjike. Kjo është arësyeja që edhe funksionojnë qendrat e vrojtimit dhe observimit sizmologjik dhe që mbajnë sidomos në vëzhgim zona me rrisk sizmik të lartë. Por, askush nuk pretendon prej tyre se mund të parashikojë orën, ditën, shkallën e intensitetit me saktësi. Madje ka pritshmëri që nuk rezultojnë fare duke u futur në kategorinë e pritshmërive probabël.
Kush pret që tërmeti të bjerë në orën që ai ka parashikuar mund të zhgënjehet rëndë. Por, kjo nuk do të thotë që teoria rriskut si metodologji menaxhimi parashikueshmërisht të injorohet dhe t’a mbyllësh ditën duke ja futur kot: Nuk di çfarë do të ndodhi, pra nuk merrem me këtë punë! Dhe të qendrosh brenda që të të zerë çatia duke shpresuar se do të të mbrojë jastiku që ke vendosur në kokë.
Po kështu parashikueshmëria si evitim i rriskut është një tjetër formë e parathënies të ngjarjeve me rrezikshmëri të lartë ose të ulët. Kështu merren probabilitetet që ngjarja të ndodhi dhe ato që ngjarja të mos ndodhi, efektet e tyre, dëmet e secilit prej tyre dhe merret vendimi brenda parametrave të sigurisë. Sipas ligjit të formuluar nga Edward Murphy, ky inxhinjeri i aeronautikës, amerikan, i cili ka vërtetuar që këtu duhet të mbahet parasysh ajo që nëse parashikohet që do të vijë një pasojë e papëlqyeshme, ajo do të vijë medoemos. E keqja e tërheq botën drejt vetes!!! Kjo justifikohet me shumë argumente por një prej tyre është prirja e sistemeve të mbyllura për të shkuar drejt entropisë, domethënë drejt kaosit.
+++
Më ka ndodhur dy herë të jem në zona urbane perëndimore, në qytete të zhvilluar dhe me popullsi shumë të kulturuar dhe mendje kritike kur ka pasur panik kolektiv. Çfarë kam parë?
Do të kalonte kometa Halley. Dhe pati parashikime se ajo në mos do të përplasej edhe me Tokën, mund të sillte ndryshime klimatike. Një thashethem urban që përhapej me shpejtësinë e lëvizjes të kometës sado që specialistët në mediat serioze e mohonin këtë mundës. Dy ditë përpara vura re se njësitë e shitjes ishin boshatisur nga uji, buka, konservat.
Kështu ndodhi njësoj edhe edhe në vititn 2000, kur u përhap thashethemi se kompjuterat nuk dinin ta bënin kalimin e vitit nga 1999 në 2000 dhe për pasojë do të dilnin jashtë loje. Priteshin katastrofa në centralet atomike, etj. Ekspertët e mohuan por përsëri vija re që në njësitë e shitjes nuk kishte më oriz, makarona, konserva peshku, midhjesh, madje as sardele!!!
Po të mos kesh lexuar psikologjinë e Jungut sigurisht habitesh. Por, njeriu ja që e ruan arketipin e tij milionavjeçar që është aty, i pazbutur as nga dija, as nga kultura, as nga shkencave. Frika është atje e fshehur dhe shpërthen.
Mirë nuk ndodh, por po ndodhi? Më mirë po mbledh ca ushqime, nuk më bën keq! Pra, në këtë rast sjellja joracionale bëhet probabilisht racionale. Frika se mos ndodhi diçka dhe menaxhimi i së keqes paraprakisht konsiderohet një masë paraprake racionale. Ja kështu është njeriu. Dhe mirë bën që është kështu.
Merr masa, mban rezerva individualisht, familjarisht, shoqërisht, është i moderuar në harxhime, nuk merr rrisqe të kota, mbrohet.
Gjithë industria e sigurimeve mbështetet te frika e njeriut, te ky instikt milionavjeçar që nuk zhbëhet as nga shkenca dhe as nga e vërteta!
Hap llaf se do të bien zjarre në katund, nëse do që të rrisësh numrin e klientëve në agjencinë sigurimeve që sapo ke hapur!
Prandaj duke ditur arketimin jungian bëhet kujdes që informacionet që mund të rrisin shkallën e frikës kolektive që prodhon panik masiv të trajtohen me kujdes. Sa filma të Hollywood-it ka me këtë temë. Shkencëtarja që e di që do të ketë një tërmet e do të shkatërrojë qytetin, me shumë mundësi, por mundet edhe jo. Poqese lajmëron popullsinë të gjithë do panikosen dhe në atë qytet të madh për shkak të atij që quhet “efekt lajmërimi”’ të ndodhin katastrofa shumë më të mëdha në humbje jetësh, ndërkohë që rreziku realisht mund të jetë i kotë.
Prandaj këto informacione administrohen me shumë kujdes nga autoritetet publike.
+++
Dhe mbi të gjitha është për t’u mbajtur parasysh edhe një element tjetër. Ai që Bill Kovaç ngre në një nga tekstet e tij të famshëm. Gazetari kurrë nuk duhet t’a harrojë statusin e tij. Por, te ne nga padurimi, protagonizmi, nga fakti që shoqëria është ende e papjekur në profesionalizimin e saj nuk i respekton rolet, të gjithë bëjnë punën e të gjithëve.
Ti sheh dikë me shkollë profesionale ende të pambaruar që të flet për vrimat e zeza sikur të kishte qenë bashkëpunëtori i Anjshtajnit.
Flet me dikë që e di që nuk ka lexuar kurrë një libër sociologjie që të tregon se cilat janë problemet e mëdha të shoqërisë shqiptare.
Diskuton me dikë që nuk merr vesh asgjë nga politika, por trajton problemet e sigurisë politike të kombit shqiptar sikur të kishte qenë Kisingeri!
Edhe në rastin e tërmetit e njejta që ndodh.
Ministra që gjoja inspektojnë ndërtesat!!! Elektoralizëm dhe propagandë të pastra. Nuk ka inxhinjerë ministria për të krijuar komisione ekspertize dhe për të dalë me përfundime? Kush e mban përgjegjësinë që edhe një soletë e krisur të thyhet dhe na vret shkollarët e vegjël!
Madje edhe ndonjë sizmolog që me siguri, pa mbajtur parasysh modelet e prediktimit na thotë: Rreziku i madh kaloi! Por do të ketë lëkundje të vogla!
Përse merr veten në qafë vëlla! Ku je kaq i sigurt?
Këtu kam parë ndonjë deputet me dy klasë shkollë, gjysmë çmendanik, gjysmë sherr – budalla që bënte formulime për ligjin për akademinë e shkencave.
Cfarë është tërmeti përpara kësaj!
Bjer tërmet m’a hidh tavanin në kokë!
Budallai po diskuton për shkencë.
Sepse Bill Kovaç thekson se edhe eksperti gabon kur abuzon me statusin e ekspertit. Në vend të argumentit media jep titullin e tij : SIZMOLOG. Dhe në këtë mënyrë prodhon FakeNews sepse nga argument shkencor induktiv na jep argument mbështetur në autoritetin e titullit. Ku i ke provat zotëri? A ka shërbime sizmologjike shteti? Ato janë të çertifikuara dhe kanë përgjegjësinë të japin informacione. Po ata gabojnë? Patjetër! Por, nuk kemi çfarë bëjmë. Sikurse e ka shkruar prej një shekulli Walter Lipmann nëse institucionet publike degjenerojnë do të degjenerojë edhe media. Media nuk i korrigjon dot institucionet publike. Watch dog është një iluzion i ëmbël, por hajde t’a përsërisim në korr se na bën mirë!
Ministri merr rolin e muratorit, kryeredaktori të gjeologut, analisti të zjarrfiksit, sizmologu rolin e Zotit, kleriku të trapmosçarësit, dhe këtu nis edhe nxitimi i gazetarit: Gazetari bën ekspertin sepse nuk e verifikon burimin nga i ka ardhur informacioni. Ai nuk mund ta dijë vlerën shkencore të informacionit, por duhet të dijë se në raste katastrofash, me rrezik paniku kolektiv, vetëm aturtoritetet publike shkencore kanë të drejtën e informacionit që rregullon sjelljen qytetare.
Se çfarë thotë edhe ai greku – edhe kjo është e pasigurt. Kush është ai? Cfarë provash ka ai? Sa gabon ai? Edhe ai duhet marrë me skepticizëm.
Sa herë dreqi ta marrë flasim në leksione për atë që në profesion gazetari i mirë nuk beson asgjë, nuk i beson as të intervistuarit, as dëshmitarit, as ekspertit. Bën, sikur i beson. Vetëm verifikon pa fund. Cinizmi të shpëton, skepticizmi të shpëton.
Por në këtë shoqëri që ngjan me ato ekipet ku luhet futboll total, të gjithë i bëjnë të gjitha rolet. Sepse jemi shoqëri e opinionit. Nuk ka të vërtetë, por ka vetëm opinione. Ashtu dua unë të jetë! Në këtë media të deklamimit ku gazetari vetëm i zgjat mikrofonin politikanit dhe raporton çfarë thotë ai, e quan informacion, mësohet që të njejtën gjë mund të bëjë edhe me të vërtetat shkencore me pasoja sociale. Tjetër deklaratat e politikanit dhe tjetër informacioni teknik dhe shkencor. Nuk raportohen njësoj. Ja përse ka shtyp politik dhe shtyp informacioni të vazhdueshëm objektiv. Por, tani ka teoricienë amatorë si predikues shkretëtirash që predikojnë se gazetari është bindja ime e brendshme dhe kaq. Nuk ka të vërtetë shkencore!!! Lloj lloj delirantësh!
+++
Na ra bretku duke u lutur te dera e ministrisë së arësimit prej vitesh: Fusni mediologjinë në programet mësimore!
Po, po, bjeri teneqes!
Foli mureve! Nuk mundet që në një shoqëri të komunikimit masiv publiku të mos edukohet me mënyrën si përdoret, menaxhohet informacioni, si trajtohet dhe kuptohet media!
Kujt i flet se!
Dhe ja publiku që thonë se i besoi një mediaje dhe doli në rrugë!
O Zot një shekull shkenca komunikimi e hedhin në erë! Injorantët!
Dhe i shkon polici në derë gazetarit të ri të shkretë?
Hajde pak me mua në hapsanë zoti gazetar! Ta tregoj pak ty atë tërmetin atje te shtatë penxheret!
O zotërinj, shkencat e komunikimit nuk pranojnë që media mund ta ndikojë publikun kështu sipas vullnetit të vet!
Publiku ndikohet kur ka qejf vetë, kur është në hall, kur do të ndikohet, atëhere po!
Se media opozitare i thërret publikut që hajde hedhim në tuç qeverinë, por publiku nuk është se vjen!
E njeh polici i gjorë teorinë e Shkollës së Kolumbias se publiku e lexon median dhe e ndjek, influencohet prej saj, vetëm nëse grupi rreth liderit lokal të opinionit, i krijon besimin se media duhet besuar!
Nuk ka faj polici që kryen detyrën, por as ne nuk duhet të ngatërrojmë rolet!
Media më thotë që pushimet t’i bëj vetëm në Jug, por unë nuk bindem për qamet!
Media e propagandës më thotë të shkoj të votoj! Por unë nuk bindem për qamet! Më pëlqen të abstenoj – më thoshte Qenan K.
Sikurse shkruante Zhak Elyl, i manipuluari manipulohet sepse ka dëshirë të manipulohet nga manipuluesi.
Prandaj një mediologji sepse po i ngjajmë shkollave komuniste ku nuk u flitej vajzave në moshë për menstruacionet. Turp! Dhe ne nuk u flasim të rinjve për mediat, si duhet asimiluar informacioni mediatik. Dhe prandaj ka që e besojnë se po e tha televizori është e vërtetë!
Iluzion që i duhet politikës!
E keni parë sesi ,politika bën kujdes që njerêzit të mos kenë probleme me sinjalin televiziv prandaj nuk e këpusin transmetimin analog! Të gjithë në darkë me kokë te televizori!
Ose si thërrsite ai kujdestari, pastaj : Gjumë qafira!
Për këtë arësye në atë panik u implikuan katër elemente:
Mungesa kulturore lidhur me teoritë dhe modelet prediktive.
Mungesa e analizës jungiane për arketipin instinktiv që në rast katastrofash ka prirjen të bëhet model i zgjedhjes racionale.
Ngatërrimi i roleve dhe statuseve në një shoqëri tranzicioni ku askush nuk e di se kush është. Si tha dikur aktori Naim Frashëri, i ndjeri, u prezantua duke thënë : Quhem Naim Frashëri. Ky që e dëgjoi iu përgjigj : Pershëndetje jam Skënderbeu!
Dhe pastaj mungesa e kulturës mediologjike në shkolla.
Vazhdo vazhdo bërtit! Bjeri legenit! Ne kemi tekste nga Harwardi!
Prandaj mos i zgjidhni problemet me policë dhe me hetuesi sepse këtu nuk di kujt t’ja çosh më parë policin te dera e shtëpisë. Sidomos në kohë katastrofash natyrore. Të gjithë çmendemi, kush më shumë e kush më pak!
Juve jo???