Kandidatja për kryeministre nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se idea për ndryshim kufijsh nuk do të jetë pjesë e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë.
Ajo ka shtuar më tej duke u shprehur se, ka bindur edhe nënkryetarin e LDK-së, Lutfi Hazirin që nuk mund të ketë ndryshim të kufijve.
“Duhet të më besoni sepse deri më tani jam kundërvër kundër idesë së ndryshimit të kufijve. Po ashtu, deri më tani kam arritur që ta bind shefin e shtabit zgjedhor, z. Haziri i cili tashmë në plotëni respekton vendimin unanim pa asnjë votë kundër të Këshillit të LDK-së cili e ka hartuar platformën për dialogun Kosovë- Serbi që numër një është mos ndryshimi i kufijve”, ka deklaruar Vjosa Osmani në Debat Pernime.
Sipas kandidates për kryeministre nga LDK, ideja e Lutfi Hazirit ka qenë ndryshe për ndryshim kufijsh prej asaj të presidentit Hashim Thaçi.
“Z. Haziri edhe ashtu ka pasur një ide plotësisht ndryshe ndaj asaj që ju e quani e z. Thaçi që në fakt nuk është ide e z. Thaçi, është ide ruso-serbe të cilën LDK e ka kundërshtuar historikisht”, ka thënë kandidatja e LDK.
Osmani: Nuk do të ketë më qeveri të shantazhueshme
Kandidatja e LDK-së, Vjosa Osmani, tha se nëse LDK merr mandatin për të qeverisur Kosovën, nuk do të ketë më një qeveri të shantazhuar.
Këto deklarata Osmani i bëri deri sa tregoi për veprimet e para që do të ndërmarrë nëse merr mandatin e kryeministres.
“Partneriteti ndërkombëtar është ekzistencial për Kosovën. Në radhë të parë është se vetë themelet e shtetit i kemi ndërtuar me partneritet ndërkombëtar dhe e dyta sepse fuqizimi i subjektivitetit është i mundur vetëm nëse i mbajmë dyert e hapura te shtetet demokratike. Tani ne besojmë si LDK siç kemi besuar gjithmonë që vetëm një shtet nga brenda mund të reflektoj një fuqi të tillë edhe nga jashtë, pra kjo nënkupton që nëse ne i bëjmë reformat e brendshme kjo automatikisht do të ndikoj në imazhin shumë më të mirë të vendit. Kjo nënkupton se nëse ne bëjmë reformat e nevojshme përbrenda në veçanti në luftimin e krimit dhe korrupsionit do të ndikoj në imazhin shumë më të mirë për vendin tonë. Poashtu nëse përfaqësohemi me njerëz kredibil këtë e ofron vetëm LDK, Bashkësia Ndërkombëtare më në fund do të ketë një partner kredibil për të quar përpara proceset që kanë të bëjnë me Kosovën. Do të ofrojmë një qeveri që do të jetë e përgatitur për t`u marrur me temat tejet të rëndësishme, po ashtu një qeveri dhe kryeministre që do të jetë e pa shantazhueshme. Pra nuk do të kemi njerëz që mbi tavolinë flasin për fatin e Kosovës, e nën tavolinë flasin për fatin e tyre politik apo personal”, është shprehur Vjosa Osmani.