Serbia e Maqedonia konkurrojnë me industri, Shqipëria me koncesione…

0
164

Nga Ornela Liperi/Monitor

Ekonomitë në Europën Juglindore (EJL) po i gëzohen rritjes së të ardhurave të konsumatorëve, që po i nxit ata të shpenzojnë më shumë dhe kompanitë gjeneruan rekord të shitjeve dhe fitimeve. Rritja e shpejtë përfshiu të gjithë ekonominë, ku sektori automotiv ishte arsyeja më e madhe për brohoritje, sipas raportit vjetor të renditjes së kompanive më të mëdha në Europën Juglindore, të publikuar nga njësia bullgare e inteligjencës, SEE News. Industria e naftës u rimëkëmb dhe kompanitë e metaleve përfituan drejtpërdrejt nga rritja e prodhimit të automjeteve dhe sektorëve të tjerë, pasi zgjerimi ekonomik fitoi shpejtësi dhe çmimet globale të metaleve u rritën.

Era që po fryn në rajon u ofron bizneseve në EJL një mundësi për të mbyllur hendekun e tyre të konkurrencës në tregjet më të zhvilluara perëndimore. Sidoqoftë, për të shfrytëzuar këtë potencial, është e rëndësishme që ata të akordojnë më shumë para për kërkime. Shëndeti i mirë i industrive themelore të rajonit siguron baza të forta për një fokus më të mprehtë në inovacione.

Qeveritë në rajon gjithashtu mund të japin një ndihmë. “Inovacioni dhe sipërmarrja janë një seri dështimesh të shumta dhe një sukses i madh. Pyetja është: A ka një mjedis që lejon njerëzit dhe kompanitë të dështojnë dhe pastaj të shërohen dhe të provojnë përsëri”, thotë Arup Banerji, Drejtori Rajonal për Vendet e Bashkimit Europian për Grupin e Bankës Botërore, në një intervistë për SEE News. “Ju duhet të keni kompani inovative, me një tolerancë më të lartë ndaj rrezikut, një strukturë rregullatore që u lejon atyre të marrin rrezik dhe një strukturë financiare që ndan rrezikun me investitorët e tjerë”.

Sektori i automobilave është ndër industritë më të shpejta në zgjerim në të gjitha vendet e rajonit për sa i përket kontributit ndaj PBB-së, rritjes së kapacitetit prodhues, vëllimit të investimeve dhe krijimit të vendeve të punës. Sektori, i cili përfiton drejtpërdrejt nga kërkesa në rritje në tregjet e brendshme dhe globale, tërheq investitorë me kosto të ulët të ndërtimeve, tokës dhe shërbimeve, subvencione të rëndësishme shtetërore dhe afërsinë e rajonit me tregjet kryesore.

Maqedonia është ylli në ngjitje i Ballkanit Perëndimor, sipas një vlerësimi që “Monitor” bëri bazuar në renditjen e kompanive më të mëdha sipas qarkullimit vjetor në Maqedoni, Mal të Zi, Serbi, Bosnjë-Hercegovinë dhe Shqipëri. Ndryshe nga Shqipëria, ku vëmendjen kryesore e kanë marrë koncesionet, në Maqedoni po rritet me ritme të shpejta industria automative, e nxitur nga stimujt fiskalë që ofron qeveria për investitorët e huaj, duke filluar nga toka e deri te subvencionet për punonjësit. Rezultatet e kësaj politike po bëhen më të dukshme vitet e fundit. Tre prodhues pjesësh automjetesh në shtetin fqinjë renditen ndër 11 më të mëdhenjtë), ndryshe nga Shqipëria që ka në këtë listë tre subjekte që tregtojnë karburante me shumicë, një aktivitet pa vlerë të shtuar dhe pa kontribut në punësim.

Ndryshe nga Shqipëria, ku rritjen dyshifrore po e njohin vetëm koncesionet, në Maqedoni, sipërmarrjet prodhuese po njohin zgjerim dyshifror dhe rritje të fortë të punësimit. Të tre kompanitë, “JONSON METI”, “KROMBERG &”, “VAN HOOL” kishin një qarkullim vjetor të kombinuar prej 2.1 miliardë eurosh në 2018-n (sa 88% e totalit të eksporteve shqiptare) dhe mbi 8,000 të punësuar në total. Vetëm në 2018-n janë shtuar mbi 2000 vende pune në industrinë automative. Serbia është një tjetër shtet konkurrues në rajon, edhe për shkak të traditës që ka në industrinë automotive, ndonëse 2018-a nuk ka qenë shumë i mbarë për kompaninë kryesore, “Fiat”, që po vuan nga rënia e kërkesës.

Në këtë garë rajonale, Shqipëria është në fillesa. Katër sipërmarrje kanë hyrë në këtë sektor vitet e fundit, “Forschner”, “PSZ Albania” dhe së fundmi “Delmon” dhe “Yura” (kjo e fundit në fazë investimi). Por asnjëra prej tyre nuk ka arritur ende të hyjë në listën e “Monitor 200”. Krahu i lirë i punës, pozicioni gjeografik i favorshëm dhe maturimi i tregut të fqinjëve me fabrika të industrisë automotive që kryejnë procese të thjeshta fasoneri, po shërbejnë si shtysë në vendimet e investitorëve që të hedhin sytë nga Shqipëria. Por, sektori po has vështirësi në gjetjen e punonjësve të kualifikuar. “Forschner Albania” mbetet më i madhi, me 747 të punësuar gjithsej në fund të 2018-s dhe dyfishoi qarkullimin vjetor në gati 4 milionë euro në 2018-n, sipas bilancit zyrtar. PSZ Albania GmbH kishte rreth 2 milionë euro të ardhura në 2018-n, sipas bilancit zyrtar.

Në renditjen e “Monitor 200” këtë vit në hyrjet e reja mbizotëronin kompanitë koncesionare. Në total janë 9 të tilla në listën e 200 më të mëdhenjve, duke ia kaluar nga numri dhe sipërmarrjeve që kategorizohen në sektorin përpunuese (9 gjithsej). Numri i kompanive koncesionare pritet të shtohet, teksa në 15 vitet e ardhshme (2019-2032), qeveria është angazhuar në projekte PPP, për të cilat do të duhet të paguajë në total 2 miliardë euro, të cilat do të vijnë nga paratë, që mbledh nga taksapaguesit.

Nga 10 më të mëdhenjtë në Shqipëri, tre janë tregues nafte (biznes pa vlerë të shtuar për ekonominë). Në gjithë listën e Monitor 200, mbizotëron tregtia, që në pjesën më të madhe financon importet. Ka 56 subjekte tregtare dhe 29 të tjera që tregtojnë hidrokarbure. Nuk mungojnë as sipërmarrjet e ndërtimit dhe të lidhura me të, me 33 gjithsej, në një vend ku po vazhdon të ndërtohet pa asnjë kriter.

Maqedoni, industria mbështetëse e automjeteve punëson 8,400 persona

Në garën rajonale për të tërhequr investime në sektorin mbështetës të automjeteve, Maqedonia ia ka dalë të jetë konkurruese, duke shfrytëzuar avantazhin e zonave të lira ekonomike dhe fuqisë punëtore të kualifikuar. Shteti fqinjë ka tri kompani që merren me prodhimin e pjesëve të automjeteve ndër 11 më të mëdhatë për nga qarkullimi vjetor, të cilat po rriten me shpejtësi dhe po zgjerojnë ndjeshëm numrin e punonjësve. Të tria kanë rreth 8,400 të punësuar.

Disa prej tyre kanë shfaqur paraprakisht interes edhe për Shqipërinë, por investimet nuk kanë arritur të materializohen asnjëherë.
“Johnson Matthey DOOEL”, prodhuesi maqedonas i katalizatorëve dhe pjesëve të makinave, vijon të jetë më i madhi i Maqedonisë, me të ardhura 1.7 miliardë euro në 2018-n, me një rritje prej 18% me bazë vjetore, sipas të dhënave zyrtare nga Tatimet. Numri i të punësuarve arriti në 882, ose 118 më shumë se një vit më parë. Ky subjekt është dhe eksportuesi më i madh në Maqedoni. Të ardhurat e tij janë sa 70% e gjithë eksporteve shqiptare (që ishin rreth 2.5 miliardë euro në total në vitin 2018, sipas INSTAT).

Kompania është degë e sipërmarrjes britanike, “Johnson Matthey Plc”, më i madhi në botë për prodhimin e katalizatorëve për makina. Sipas faqes zyrtare të internetit, kompania mëmë e zgjodhi Maqedoninë për megafabrikën në Europë për prodhimin e katalizatorëve që kontrollojnë emetimet, në konkurrencë me 13 shtete të tjera të rajonit, përfshirë Republikën Çeke, Hungarinë dhe Sllovakinë. Fabrika e “Johnson Matthey’s”, në zonën e lirë të Shkupit, është projekti më i madh i vetëm i investimit dhe më e sofistikuara e fabrikave të “Johnson Matthey” në botë. Investimi fillestar në vitin 2007 ishte 80 milionë euro dhe numri fillestar i punonjësve, 350.

Në vitin 2012, kompania një tjetër investim prej 60 milionë eurosh, çeli një fabrikë të dytë në zonën e lirë tregtare të Shkupit, duke hapur edhe 500 vende pune. Në atë periudhë, kompania shfaqi interes për t’u zgjeruar edhe në Shqipëri, por Maqedonia u tregua më e “shkathët” dhe arriti t’i tërhiqte dhe për ndërtimin e fabrikës së dytë.

KROMBERG & SCHUBERT MAKEDONIJA DOOEL Bitola, me aktivitet në prodhimin e sistemeve elektrike për automjetet, kishte të ardhura prej 223 milionë eurosh dhe renditej në vend të gjashtë në 2018-n. Kompania është në rritje të shpejtë, teksa të ardhurat u zgjeruan me 47% me bazë vjetore, ndërsa numri i punonjësve nga 4300 arriti në më shumë se 6,400.

Qeveria maqedonase nënshkroi një kontratë me kompaninë gjermane “Kromberg & Schubert” në dhjetor të vitit 2011 dhe dy vjet më vonë, në tetor 2013, ata hapën një fabrikë për prodhimin e kabllove të makinave, të vendosura në zonën industriale Zhabeni, pranë Manastirit. Investimi ishte rreth 20-26 milionë euro. Qeveria maqedonase e ka cilësuar fabrikën “Kromberg & Schubert” në Zhabeni si investimin më të madh, për numrin e punonjësve, në historinë e Maqedonisë vitet e fundit.

Në fund të vitit 2011, qeveria i dha ndihmë shtetërore “Kromberg & Schubert”, në mënyrë që të mbështeste projektin e investimit të kompanisë. Shuma e asistencës financiare nuk u bë e ditur, por kompania përfitoi përjashtim nga tatimi mbi të ardhurat personale të punonjësve dhe gjysmën e kontributeve të sigurimeve shoqërore të punonjësve. Bashkia investoi në infrastrukturë dhe ndërlidhje, ndërsa qeveria solli energjinë dhe ndërtoi një linjë transmetimi prej 4.5 kilometrash. Sipas përfaqësuesve të kompanisë, arsyeja kryesore që i nxiti ata të investonin në Maqedoni ishte kostoja e lirë e fuqisë punëtore. “Kosto e lartë e fuqisë punëtore në Gjermani na detyroi që, në tri dekadat e fundit, të kërkonim për vende me fuqi të lirë punëtore”, tha kompania në atë kohë në një deklaratë.

Fabrika e autobusëve të “Van Hool” në Shkup, e përuruar në vitin 2014, renditet në vendin e 11, me të ardhura prej 189 milionë eurosh dhe rritje 32% me bazë vjetore. Numri i punonjësve u rrit me 302 në 2018-n, duke arritur në total në 1030 të punësuar. Një porosi e madhe nga tregu amerikan për 500 autobusë nxiti prodhuesin belg të autobusëve të investonte 25 milionë euro në Maqedoni. CEO, Filip Van Hool, e ka shpjeguar kështu zgjedhjen e Maqedonisë, në momentin që vendosën të bënin investimin: “‘Van Hool’ dëshiron të vazhdojë të luajë një rol të rëndësishëm në tregun amerikan”. “Nga fillimi ishte e qartë se ne nuk mund të ndërtonim 300 autobusë standardë në Belgjikë: kosto ishte e shtrenjtë, mbi të gjitha për shkak të pagave të larta për ndërtimin e autobusëve të standardeve bashkëkohore.

Pas një analize të detajuar të disa mundësive, vendosëm të ndërtojmë një fabrikë të re në Maqedoni. Vendi, megjithëse nuk është anëtar i BE-së, është megjithatë shumë i orientuar drejt Europës. Klima e favorshme e investimeve, së bashku me kushtet e punës dhe aftësitë e fuqisë punëtore të motivuar, na nxitën që të bëjmë një investim prej 25 milionë eurosh në Maqedoni”, pohoi ai në momentin e përurimit. Sot, fabrika ka rreth 400 të punësuar. Zhvillimi i industrisë së automjeteve ka nxitur eksportet e vendit. Eksportet e mallrave dhe shërbimeve në Maqedoni ishin gati sa 50% e Prodhimit të Brendshëm Bruto në 2016-n, referuar të dhënave të Bankës Botërore, ndërsa në Shqipëri, ky tregues është gjysma, rreth 27%.

Image

Serbia, e orientuar nga industria dhe prodhimi

“JP EPS BEOGRAD”, kompania shtetërore e energjisë, është më e madhja në Serbi, me një qarkullim vjetor prej 2.3 miliardë eurosh.
“NIS A.D. NOVI SAD”, me 2.2 miliardë euro të ardhura, është i dyti më i madh. Sipas faqes së saj të internetit, NIS është kompania më e madhe e energjisë e integruar vertikalisht në Europë, me aktivitet kryesor në shfrytëzimin, prodhimin e rafinimin, shitjen dhe shpërndarjen e një sërë produkteve të naftës, si dhe zbatimin e projekteve të energjisë.

Kompania problematike e nxjerrjes dhe shkrirjes së bakrit, “Zijin Bor Copper”, pasi u privatizua në 2018-n nga kinezët e “Chinese Zijin Mining Group”, renditet e treta më e madhe në vend, me të ardhura prej 1.3 miliardë eurosh, ndërsa i është kthyer fitimeve prej 760 milionë eurosh. Kompania kishte pasur probleme prej vitesh, duke rezultuar me humbje dhe detyrime prej rreth 1 miliard eurosh, derisa në 2017, qeveria e Serbisë u detyrua të gjente një partner strategjik ose blerës, në bazë të një memorandumi me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

“FCA SRBIJA D.O.O. KRAGUJEVAC”, që është prodhuesi i makinave FIAT, nuk ka pasur një vit pozitiv në 2018-n. Kompania pa rënie të të ardhurave me 22%, në 773 milionë euro, ndërsa norma e fitimit ishte minimale prej 1.6%. Kompania shkurtoi 84 punonjës, duke çuar numrin e tyre në 2280. Mes grevave të punonjësve, për shkak të shkurtimit të ditëve të punës, rënies së kërkesës nga tregjet europiane dhe reduktimit të prodhimit, kompania rrezikon të bëhet jofitimprurëse, sipas mediave vendase, apo dhe të largohet fare nga Serbia.

Në një intervistë të dhënë për mediat serbe, në mes të këtij viti, Zoran Markoviç, presidenti i Sindikatës së Pavarur të “Fiat Chrysler Automobiles Serbia” (FCA), tha se, në të ardhmen, punonjësit e FCA do të vinin për të punuar vetëm nëse do të thirreshin, duke shtuar se “kjo nuk do të thotë fundi i fabrikës së ‘Fiat’ në Kragujevac”. Ai shtoi se “bisedimet midis qeverisë serbe dhe ndërmarrjes po shkojnë në një drejtim pozitiv dhe të dy kanë dëshirën dhe qëllimin që FCA të kryesojë ekonominë serbe. Besoj dhe shpresoj që FCA të qëndrojë në Kragujevac për një kohë shumë të gjatë”.

“Tigar Tyres”, prodhuesi i gomave, që prej vitit 2007 është në pronësi të francezes “Michelin”, renditet në vendin e 11, me të ardhura prej 691 milionë eurosh, me rritje 13%. Kompania ka mbi 3,300 të punësuar. Serbia është e orientuar nga industria dhe prodhimi, teksa në renditjen e më të mëdhenjve mbizotërojnë sipërmarrjet në fushën e minierave, gazit, industrisë së çelikut, prodhimeve farmaceutike etj.

Serbia vijon të jetë e preferuar për investitorët e huaj. “FDi Intelligence”, një njësi e gazetës me bazë në Londër, “Financial Times”, tha se Serbia tërhoqi 70% të investimeve të gjelbra në Ballkanin Perëndimor në 2018. Serbia, vendi më i madh i Ballkanit Perëndimor nga madhësia dhe popullsia, e drejtoi rajonin në vitin 2018 me një rekord prej 5.98 miliardë dollarësh (5.33 miliardë euro) të investuar në 105 projekte të gjelbra. Në raportin e tij “Trendet globale të investimeve të gjelbra”, “FDI Intelligence” tha që Serbia tërhoqi investime kapitale prej 6 miliardë eurosh vitin e kaluar, ose 3% të totalit të Europës.

Image

Edhe Bosnja mbahet me tregti e naftë

Bosnjë-Hercegovina, që ka të ardhura për frymë të përafërta me Shqipërinë (rreth 30% e mesatares së Bashkimit Europian) dhe në gjithë renditjet është në nivele të krahasueshme me ne, ka strukturë të ngjashme edhe të kompanive.

Ndër 10 më të mëdhatë mbizotërojnë energjia, tregtia dhe nafta.
Në vendin e parë në renditjen e vitit 2018 ka kaluar “Holdina d.o.o. Sarajevo”, një nga kompanitë më të mëdha për shitjen e naftës dhe nënprodukteve të saj në tregun me shumicë dhe pakicë në Bosnjë.

Kompania kishte një qarkullim vjetor prej 602 milionë eurosh dhe 472 punonjës. Menjëherë, në vendin e dytë, kompania “Bingo” e Tuzlës, me aktivitet në tregtimin me pakicë, është më e madhja private në vend, me 567 milionë euro të ardhura. Ajo është dhe një nga punëdhënësit më të mëdhenj në vend, me rreth 6,800 të punësuar. Operatori shtetëror i energjisë, “Elektroprivreda BiH” ka kaluar në vendin e tretë, me të ardhura prej rreth 541 milionë eurosh.

Vendi i katërt është mbajtur nga “RS Optima Group d.o.o.” Banja Luka, që operon në industrinë e naftës, me të ardhura prej 469 milionë eurosh. Në renditjen sipas fitimit, në vend të parë është zinxhiri më i fuqishëm tregtar në BiH – “Bingo”, me një fitim prej 39 milionë eurosh, që është ngjitur nga vendi i tretë ku ishte vitin e kaluar. “BH Telecom” është e dyta me fitime më të larta, në 29.2 milionë euro.

Image

Mali i Zi, i orientuar drejt tregtisë me pakicë e supermarketeve

Në renditjen e kompanive më të mëdha të Malit të Zi, sipas qarkullimit vjetor, mbizotërojnë subjektet e tregtimit me pakicë e shumicë dhe rrjetet e supermarketeve, me tre të tilla ndër 10 kryesoret.

Teksa Mali i Zi është një vend i orientuar nga shërbimet dhe turizmi, që nxit konsumin, ky sektor është shumë më i zhvilluar se në Shqipëri, ku zinxhiri më i madh i supermarketeve ka gjysmën e qarkullimit vjetor të atij në Mal të Zi, që vepron në vend me një popullsi rreth katër herë më të vogël se të Shqipërisë.

Si kompania më e madhe në vitin 2018 u rendit operatori i energjisë, “Elektroprivreda”, me 326 milionë euro të ardhura. “China Road & Bridge Corporation”, e cila po ndërton projektin madhor të autostradës Veri-Jug, është në vend të dytë me të ardhura prej 294 milionë eurosh.

“Voli Trade” është një tregtues me pakicë, me aktivitet kryesor në linjat e supermarketeve. Me mbi 2000 të punësuar, ai është punëdhënësi më i madh në Mal të Zi, sipas burimeve të veta zyrtare. Të ardhurat e kompanisë ishin 230 milionë euro në 2018-n (gati dyfishi i “Big Market”, që është më i madhi në Shqipëri).

Dy zinxhirë të tjerë të mëdhenj supermarketesh në Mal të Zi, që renditen përkatësisht në vend të pestë dhe të gjashtë në dhjetë sipërmarrjet më të mëdha janë “Hard Discount Lakovic”, zinxhiri malazez i hipermarketeve, me 150 milionë euro të ardhura dhe “Mercator”, linjë e zinxhirit slloven, që në 2018-n raportoi 120.7 milionë euro të ardhura.

Image

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here