Nga Floida Kërpaçi
-“Një shoqja ime,iku në Gjermani,ka filluar punë në profesion me pagë shumë të mirë dhe i del dhe për të kursyer shumë mënjanë”.
-“Po pres ditën për të aplikuar për llotari Amerikane,që të largohem nga Shqipëria”.
Këto të sipërmet janë histori të vërteta e si këto raste më ndodh të dëgjoj shpesh gjatë ditës në komunikim me të rinjtë anë e mbanë Shqipërisë.
Mijëra të rinj po kërkojnë të pashpresë largimin e menjëhershëm nga vendi ynë.
Betoni i oligarkëve apo paraja e pisët mund ti shërbejnë 4-5 vetave të pushtetit, ndërkohë ikja e rinisë është një fat i zi për të gjithë.
Duke e lënë rininë pa arsim cilësor, të pa punë ose me paga qesharake, pa mundësi reale të ndërtimit të së ardhmes në vend (familja e re, martesa, rritja e një fëmije janë sot jo emocione të bukura që mezi i presin por ankthe për shkak se nuk i përballojnë dot), rilindja ka ndikuar në krizën demografike të shpopullimit të vendit nga të rinjtë, nga profesionistët e sotëm e të ardhmes.
Jam e bindur se nëse për të rinjtë Shqiptar,do të kishte arsim cilësor, punësim i mirëpaguar dhe në profesion dhe mundësi reale për ti mbështetur për të mbajtur familjen,të rinjtë do ti ushqenin ëndrrat e tyre në vendin tonë!
Ndaj kjo situatë alarmante e largimit masiv të të rinjve duhet të marrë fund. Jo vetëm për të siguruar mundësi ekonomike më të mira, por për ta kthyer Shqipërinë në një “shtëpi” ku të gjithë ndihen mirë dhe ka vend për të gjithë!