Presidenti Ilir Meta ka akuzuar sot kryeministrin Rama se nuk ka asnjë interes për stabilitetin e vendit, duke dhënë edhe argumentat pse sipas tij ky është një fakt.
PJESË NGA INTERVISTA
Gazetari: Zoti President, çfarë biseduat me z. Rama? A ju dha ai një argument ai për qëndrimin që mbante?
Presidenti Meta: Unë dua të them disa gjëra. Unë nuk e kam menduar kurrë sinqerisht deri në 10 qershor apo qoftë edhe një ditë më mbrapa që Edi Rama vërtetë e mendonte që të shkonte në zgjedhje vendore pa opozitën. Mendoja që ky do të fitojë kohë, t’i vërë këto ndoshta në një situatë pak si më të vështirë, duke afruar 30 qershori dhe pastaj ky do të vijë edhe vetë dhe do të thotë të gjejmë një mundësi, të caktojmë një datë dhe pastaj vijnë apo nuk vijnë ata, kjo është punë e tyre. Pra, mendoja që ky do ta bënte një përpjekje sido.
Gazetari: E kishit analizë këtë gjë apo e kishit biseduar?
Presidenti Meta: E kisha biseduar disa herë dhe më thoshte kemi kohë. E vërteta kjo është, sepse kemi biseduar disa herë.
Gazetari: Ju thoshte se kemi kohë?
Presidenti Meta: Po, më ka thënë kështu. Unë nuk di të gënjej, nëse ti ke ndonjë politikan në Shqipëri që të thotë se Ilir Meta më ka gënjyer, në rregull. Por unë nuk di të gënjej. Më thoshte se kemi kohë.
Gazetari: A e pranonte zoti Rama në bisedat private që vendi ishte në krizë?
Presidenti Meta: Ai nuk e pranon edhe sot, thotë që është Europa në krizë, nuk jemi ne. Ne po shkëlqejmë, ne po lulëzojmë…. Ai po ta kishte pranuar këtë gjë dhe po të kishte atë ndjenjë përgjegjësie, që duhet të ketë, jo një Kryeministër, i cili ka shumë përgjegjësi ndaj vendit, por një qytetar normal kurrë nuk do të ishin këto situata.
Gazetari: A kishte frikë nga përplasjet civile Edi Rama? Flas për atë që është shprehur në takimet me ju…
Presidenti Meta: Unë nuk e di se nga çfarë kishte frikë ai, por është gjëja më e lehtë kur të tjerët të vijnë e të bëjnë miting para Presidencës unë të iki në Skrapar dhe të mbaj fjalime kundër atyre që bëjnë miting këtu.
Gazetari: Në takimet private a kishte Rama frikë për destabilitet në vend?
Presidenti Meta: Unë nuk mendoj tani pas gjithë këtyre zhvillimeve që atij i dhimbset shumë stabiliteti apo destabiliteti i Shqipërisë. Nuk e mendoj, sepse po t’i kishte këto ndjenja të përgjegjshme ai nuk do ta kishte lënë kurrë situatën të vinte deri në këtë pikë. Ai është i vetmi Kryeministër në këto 30 vjet që nuk pranon dhe nuk merr asnjë përgjegjësi për asnjë nga krizat dhe pasojat që ai prodhon.
Gazetari: Sepse ai konsideron krizë artificiale të krijuar nga opozita me ndihmën tuaj…
Presidenti Meta: Po, patjetër. Nga opozita, media, armiqtë ndërkombëtarë, të gjithë këta bashkë.
Gazetari: Ndërkohë me zotin Basha a keni biseduar gjatë kësaj kohe?
Presidenti Meta: Mendoj se kam diskutuar dhe qëndrimet e mia kanë qenë të qarta për të.
Gazetari: Por ai vetë si reagonte?
Presidenti Meta: Reagimet e tij kanë qenë dhe janë publike, unë nuk i heq asnjë presje atyre që kam thënë, edhe për opozitën. Dhe nuk kam pasur qëllim…
Gazetari: Por ju e shihnit që opozita nuk hynte në zgjedhje me Ramën kryeministër dhe shtyrja e zgjedhjeve nuk e zgjidhte këtë gjë…
Presidenti Meta: Po opozita e re? Do të kishte kohë të vendoste kandidatë në të gjithë Shqipërinë apo jo? Të jemi seriozë. Sepse ti në shumicën e bashkive nuk kishe formalisht asnjë kandidat alternativ dhe në pjesën tjetër, në 20 e ca bashki ti kishe kandidat nga një parti e cila sipas raportit të OSBE/ODIHR-it është regjistruar në mënyrë të paligjshme. Atëherë zgjedhje me një kandidat? Dhe unë nuk e kuptoj PS-në se është e pakënaqur pse unë bëra këtë dekret, sepse ata donin t’i merrnin zgjedhjet ashtu siç ishte pa opozitë, pas asnjë kundërshtar dhe kjo është gjëja më e lehtë kur mendon pa përgjegjësi për vendin, për komunitetet kudo, sepse ky konflikt do të shtrihej kudo e kështu me radhë. Por unë nuk i kuptoj këta të opozitës së re ç’patën me Presidentin? Sepse në kushtet kur ti mendon se kjo opozita tjetër nuk do ta shfrytëzojë këtë mundësi, ti ke mundësi të regjistrohesh, të fitosh hapësirë, të zgjedhësh disa kandidatë të tjerë.
Gazetari: Zoti President, a ka pasur një marrëveshjes mes jush dhe zotit Berisha për të rakorduar lëvizjet mes opozitës dhe Presidentit të Republikës? Zoti Rama ka folur për këtë…
Presidenti Meta: Asnjë marrëveshje. Ju thoni se me zotin Rama gjithmonë i kam pasur marrëdhëniet e këqija. Por zoti Rama para pak muajsh tha se ky është Presidenti më i mirë dhe më bëri me turp apo jo? Para pak muajsh e tha, doni ta nxjerr atë deklaratën t’i them Blushit tim të bëjë një kërkim dhe t’ua japë atë deklaratë publike.
Gazetari: Keni qenë i mirë atëherë kur u bë ajo deklaratë…
Presidenti Meta: Atëherë, i shkon pas avazit dhe je i mirë. Kur mban një qëndrim, ku preken interesat e tij dhe jo të vendit, jo të qeverisë, jo të shtetit, jo të Partisë Socialiste, por të atij personalisht, sigurisht që je komplotist.