Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka ngritur akuza të forta ndaj drejtorit të Komunikimit me Median në Kryeministri, Endri Fugës.
Sipas Kryemadhit, Fuga i ka fshirë asaj videot dhe intervistat që ka dhënë në televizione nga rrjetet sociale.
“Ne një video na del në televizion dhe kompani e cila është e licensuar nga Endri Fuga na e heq të drejtën, fytyrën time, zërin tim, paska ai të drejtën e autorit të dhënieve të mia se ç’them unë në televizionin tuaj dhe nuk e paskam unë. Ma heq mua nga Facebooku dhe rrjetet sociale. Me ç’të drejtë, ky sepse nuk do që të shpërndahet një video e një opozitari. Ama kur janë videot apo intervistat e qeveritarëve apo e njerëzve të Edi Ramës nuk paska ai të drejtën e autorit”, tah ajo në Report tv.
Gjithashtu kryetarja e LSI-së ngriti akuza edhe ndaj PS-së, teksa tha se degët e tyre në qarqe drejtohen nga grupe kriminale.
Pjesë nga fjala e Kryemadhit:
Që të jemi të sinqertë, socialistët e vërtetë, sepse ka dy tre grupime sot në Partinë Socialiste dhe nuk më takon po them që t’i bëj analizën asaj. Socialistët e vërtetë ndihen jo vetëm të zhgënjyer, por edhe të përdorur. Kur një socialist, i cili ka mbi 30 vjet që punon dhe voton për Partinë Socialiste, i kërkohet nga zyrat e shtetit 25 mijë euro bakshish për të marrë një leje ndërtimi apo për të marrë një zhvillim, është shumë e rëndë. Ndihet shumë i fyer, se hajde kur ja kërkon dikush i një partie tjetër, se ne u mësuam me këtë metodë pune. Por pastaj Rilindja, që vjen pa asnjë lloj kontributi, pa asnjë lloj background-i politik, pa asnjë lloj po themi respekti ndaj historisë së Partisë Socialiste, sigurisht që ata nuk ndjejnë asnjë lloj dhimbjeje. Do ta mjelin. Siç milet lopa, dhe pastaj do të marrin qumështin dhe do të ikin e nuk do e kthejnë më kokën pas. Pastaj janë grupet kriminale të cilët po e përdorin partinë Socialiste si një mburojë dhe një trampolinë për të implementuar paratë e tyre në ekonominë shqiptare dhe për t’i legalizuar ato. Pra janë 3 grupe, që për hir të së vërtetës do ta kenë shumë të vështirë që të mbijetojnë me njëri tjetrin.
Grupi i parë i socialistëve po vjen duke u pakësuar dhe reduktuar çdo ditë e më shumë, edhe pse pas mbijetesës së fortë të individëve të caktuar në Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste, për shkak të kohës, për shkak të historisë, për shkak të memories, për shkak të origjinës familjare. Dhe çdo ditë e më shumë po reduktohen e po tkurren. Grupi i dytë është grupi i cili po shtrihet si një lloj metastaze që vjen pa asnjë lloj kontributi, mjafton të shikosh qeverinë e Ramës të cilët janë njerëz pas asnjë lloj kontributi, pa asnjë lloj përgjegjësie dhe pa asnjë lloj angazhimi ndaj elektoratit që kanë votuar socialistët. Dhe grupi tjetër që është një grup drejtues sot aktualisht, që të gjitha degët e Partisë Socialiste në qarqe dhe në rrethe drejtohen nga këto lloj grupe kriminale në zonat e influencës, nëpërmjet emërimeve në postet dhe drejtoritë kyçe, të njerëzve të tyre, për të zhvilluar dhe për të ecur më pas pastaj me planet e tyre për të ardhmen.