Kryetari i PD Lulzim Basha deklaroi se, sjellja e kryeministrit Edi Rama dje në parlament tregon se, nuk i ka lexuar dhe nuk i njeh rekomandimet e Bundestagut gjerman.
“Ishte shumë rëndë zoti Rama në insertin që publikuat. Duket që nuk njeh rekomandimet, s’i ka lexuar. E gjithë është pjesë e shfaqjes prandaj flet si lac. Mund të gënjejë opozitën farsë, por jo ndërkombëtarët dhe shqiptarët. Ata që kanë blerë votat janë në krah të Ramës. Është çështje e vullnetit politik.
Ne kemi një plan të qartë për të gjitha rekomandimet. Duket se pala tjetër nuk ka vullnet dhe për ta futur në rrugë duhet një dëshmi e fortë ndërkombëtare që ti përmbahet pasi një reformë e tij zgjedhore do ta çarmatosë PS nga mundësia për të blerë votat”, u shpreh Basha për Syri Tv.
I pyetur për mundësinë e depolitizimit të administratës zgjedhore, lideri i opozitës dha këtë përgjigje:
“Po, është një rekomandim. Në një vend ku palët nuk gjejnë një prokuror të depolizituar, të gjesh mijëra të tilla është përtej utopisë”.
Sa i përket deklaratës së kryeministrit Edi Rama se është i gatshëm të shkojë edhe në selinë e PD-së, Basha u shpreh se askush nuk e ka ftuar.
“Po kush e ka ftuar? Pse duhet të vijë? Kë po e djeg malli për të? Është përgjegjësi i krizës. Me kë do vijë? Me Tomën? Me Dakon? Me Avdylajt? Nuk mund të lajë zhulin e fajit me një foto të re me kryetarin e opozitës”, deklaroi Lulzim Basha.