Një lojë adoleshentësh e raportuar si një rrëmbim, i denjë për skenar filmash Hollywood-n alarmoi policinë e kryeqytetit dhe shqetësoi mbarë opinionin publik.
Ishte ora 15:15 minuta e së premtes, kur një vajzë 13-vjeçare bashkë me motrën e saj dhe disa të rinj të tjerë stisën një rrëmbim që zgjati më pak se katër orë.
Çastet e rrëmbimin ishin menduar deri në detaje.
E ëma e vajzës 13-vjeçe dhe shumë kalimtarë të çastit në rrugën ‘Ndre Mjeda’, deklaruan në polici se vajza ishte marrë forcërisht dhe ishte detyruar të hipte në një automjet ngjyrë të kuqe. Nëna apelonte që vajza të kthehej sa më parë, pasi e mitura vuante nga sëmundja e diabetit.
Skena u bë më e besueshme për policinë dhe grupin hetimor kur gjyshja e vajzës u deklaroi uniformave se kishte parë gjithçka nga pallati.
Ajo përforcoi edhe më shumë pistën e rrëmbimit të mbesës së saj, por pa e ditur se kishte rënë në grackën e adoleshentëve që kërkon të merrnin vëmendje maksimale.
Uniformat blu u vunë në gatishmëri maksimale. Madje në njoftimin Policisë së Tiranës, në orën 18:12 minuta, thuhej se ‘vajza 13-vjeçe ishte marrë jashtë dëshirës së saj në automjet nga një person i paindetifikuar dhe është larguar’.
Në vendngjarje shkuan Drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupaj dhe ai i Departamentit të Policisë Kriminale, Tonin Voçaj, të cilët dhanë lajmin se adoleshentja ishte me disa miqtë e saj në një qendër tregtare afër Zogut të Zi.
Të gjithë ngjarjen të rinjtë e ndiqnin nga televizori dhe nëpërmjet mediave sociale.
Gjatë dëshmisë se dhënë para oficerëve, 13-vjeçarja me iniciale S. B., kishte pohuar se prindërit e privonin nga pjesa tjetër e shoqërisë dhe kjo ishte arsyeja që kishte krijuar këtë lojë që për 4 orë tronditi mbarë opinionin publik. /Tvklan