Ish-deputeti i PD-së, Tritan Shehu thotë se e rëndësishme është se si do të jenë marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë, sesa kush do të jetë kryeministër. Shehu mendon se partneriteti shumë i ngushtë duhet të vazhdojë duke u bazuar në përmbushjen e standardeve të Bashkimit Europian nga ana e të dy palëve.
”Për të krijuar strukturat e përbashkëta të ngjashme me njëra-tjetrën, bazuar mbi modelin e BE, duke punuar që hap pas hapi, në rrugën e integrimit europian të zhvlerësojmë kufijtë për të arritur t’i zërojmë ata. Shpresoj që të dilet nga elementët populistë, propagandistikë të rrezikshëm. Marrëdhëniet duhet të jenë të ngushta, por gjithmonë si qëllim final integrimin në BE”, tha Shehu në Ditarin e mëngjesit në A2.
Sipas tij, ky rezultat zgjedhor dha edhe një mesazh: ”Pavarësisht kush do të dalë fituesi, goditi një teori të rrezikshme për Kosovën, për sigurinë e rajonit. Një teori e vjetër serbe që u tentua të rigjallërohej përsëri, që është shkëmbimi i territoreve. Rezultati tregoi se Kosova nuk e pranon këtë teori, Kosova është për një marrëveshje të drejtë që do të përfundojë me njohjen reciproke të dy vendeve. Përfshirja amerikane në zgjidhjen e problemeve jo vetëm mes Serbisë dhe Kosovës, por në të gjithë rajonin, është thelbësore për stabilitetin e rajonit, paqen dhe procesin e integrimit europian”.