Nisja nën ritëm dhe problemet I përkasin së shkuarës. Barcelona është kthyer dominuese në La Liga, duke treguar forcën me një fitore të madhe 4-0 ndaj Sevilla. Messi ka gjetur formën, ndërsa Suarez po shënon me vazhdimësi. Ishte pikërisht sulmuesi uruguajan që hapi serinë e golave në “Camp Nou” me një gjest të shkëlqyer teknik.
Nga ky moment ndeshja u bë në zbritje për katalunjasit, që dyfishuan shifrat me Vidal në të 32-ën. Vetëm tre minuta më pas Dembele ndali sërish topin në rrjetën e Sevilla, duke vrarë garën që në pjesën e parë. Fitorja e Barcelonës u vulos nga Leo Messi, që vendosi firmën e tij në golin e katërt. Mbrëmja e shkëlqyer e kampionëve të La Liga u zbeh nga kartonët e kuq të Araujo dhe Dembele, që detyruan skuadrën e tyre të mbyllë takimin me nëntë lojtarë. Gjithese nuk kishte kohë për Sevilla që të prishte festën e Barcelonës, e cila ngjitet në vendin e dytë me vetëm dy pikë më pak se Real Madrid.
Skuadra e Zinedine Zidane ruajti kryesimin me fitoren e së shtunës 4-2 kundër Granada. Benzema dhe Hazard vendosën fatin e pjesës së parë, ndërsa silura e Modric pas pushimit dha përshtypjen e një fitore të lehtë për madrilenët.
Por këto pritshmëri u rrëzuan, pas dy golave të shpejtë të Granada. Për të qetësuar atmosferën në “Bernabeu” mendoi James Rodriguez që vulosi suksesin e vendasve me golin e katërt.
Nuk mban ritmin e rivalëve direktë Atletico Madrid. Skuadra e Diego Simeone barazoi pa gola në transfertën e Valladolid, duke zbritur në vendin e tretë të renditjes së përgjithshme të La Liga.