Presidenti i Republikës, Ilir Meta e shikon arsyen e ngecjes së Shqipërisë drejt integrimit në BE tek politika dhe situata konfliktuale.
Gjatë një takimi me studentë ekselentë, kreu i shtetit shqiptar u shpreh se Shqipëria ka humbur shumë kohë në procesin e integrimit.
“Është zgjedhur konflikti si një mënyrë drejtimi por edhe shmangie të llogaridhënies”, tha Presidenti Meta.
Meta: Jemi ende në një moment ku presim çeljen e negociatave. Kemi humbur shumë kohë. Ne si popull dallohemi që humbasim shumë kohë.
Në 2001 – 2002 ne kemi qenë me të njëjtin ritëm se Kroacia dhe kemi qenë shumë përpara se Serbia dhe Mal i Zi. Tani ku jemi? Ata janë shumë përpara me kapitujt e negociatave dhe ne luftojmë për të marrë një autorizim, pastaj që të marrim edhe datën. Kjo nuk është një përgjegjësi e qytetarëve. Shohim që politika është toksike dhe është artificiale, nuk është se ka një bazë reale. Është zgjedhur konflikti si një mënyrë drejtimi por edhe shmangie të llogaridhënies.
Gjithë ky tension artificial e bën të pamundur qytetarët të shohin si menaxhohen taksat e tyre, si ushtrohen përgjegjësitë etj.
Ndaj në këtë drejtim është kjo situatë konfliktuale që na ka sjellë këtu ku jemi, që na krijon ato probleme me 30 qershorin që i dimë. Kemi edhe shumë probleme të tjera që janë në kushtet e Bundestagut
Interesi politik afatshkurtër ka dominuar mbi një interes më të madh të vendit, por edhe një iluzion i gabuar që gjërat mund të zgjidhen me lobingje. Jo çdo gjë zgjidhet me lobingje.
Euroskepticizmi nuk është ndihmues, por të mos harrojmë si ndodhi liberalizimi i vizave. U plotësuan shumë kritere.
Sa kohë kanë ata të Bundestagut që kanë ngritur çështjen e hetimit të dosjeve të zgjedhjeve. Sa herë kanë folur për këtë çështje? Sepse çështja e zgjedhjeve është çështje themelore.