Netëve të vona dëgjoja Radio Prishtinën, krysisht muzikë popullore qytetare, kryesisht gjakovare, dhe sidomos një program që jepej ditëve të shtuna, në ora 24.00 me titull “Muzika dhe Poezia”.
Nuk e mbaj mend se kush ka qenë moderatori i programit, por e shtuna duke ardhë e diela, për mua ishte koha më e bukur e jetës time, sepse, atyre netëve unë dëgjoja zanin e prajshëm të folësit, poezi të autorëve kosovarë dhe autorëve të huaj dhe muzikë të zgjedhur, bash ajo muzika që mua më shtinte në të thella, për të kuptuar ma mirë se çka ishte bota jonë, kjo e këndej dhe ajo përtej kufirit, dhe pse, pse jetojmë të ndarë në dy shtete, dhe pse, pse po vuejm kaq shumë?!
At’botë unë nuk e kuptoja, edhe pse isha fort i ri, por edhe se kisha mungesa informacioni se çka ishte Kosova, por mbaja mend përmendësh tregimet e babës për Kosovën, por edhe tregimet e nanës, kur një mbramje vere, si një çikë 12 vjeçe, nana e saj (gjyshja ime) si bijë Gjakove, kishte dashtë me e lanë te dajtë e saj për nja dy javë, por nana, çika e vogël 12 vjeçe, kishte vrapue me te tana forcat, dhe e kishte arritë gjyshen, tuj qajt i kishte thanë se nuk donte me ndejtë te dajat, por do të kthehej në Shqipni
Pas nja një jave, kufini Kosovë – Shqipni ishte ba efektiv, i fortë dhe i gurtë. Fati i nanës teme, i babës tem dhe i imi: e unë kam ardhë në këtë botë, e jam kështu qysh jam, se përndryshe, Zoti e di se çka do të isha.
Ma vonë, kujtimet e mia për Kosovën pasurohen me muzikë, letersi, kangatarë, poetë e shkrimtarë. Ndërkohë kam shëtitë pothuaj të gjitha qytetet katundet e Kosovës, sidomos Rrafshin e Dukagjinit.
Tashti mund të them lirisht se Kosova asht e imja. KREJT.
***
Shpesh mendoj se disa gjëra rregullohen vetiu, prej Zotit. Përndryshe, kur mendoj se Kosovës i erdhi një prijës si Ibrahim Rugova, me siguri këtu duhet të ketë dorë Zoti; sepse burra të tillë si Ai lindin rrallë. Në këtë kuptim mund të thuhet se shqiptarët janë popull me fat. Sepse trashgimia e Tij po e mban gjallë urtësinë e shqiptarve të Kosovës. Zgjedhjet e fundit, qytetaria dhe dinjiteti i ka rrënjët bash në urtësinë e Presidentit Ibrahim Rugova.
Në të vërtetë, zgjedhjet e 6 Tetorit në Kosovë ishin njësoj si zgjedhjet e zhvilluara në Gjermani, Francë dhe Angli. Një perfeksion si ky është i denjë për demokraci qindra vjeçare. Në Kosovë, partitë politike e duan me gjithë mend vendin. Edhe PDK e Kadri Veselit, edhe LDK e Isa Mustafës, edhe VV e Albin Kurtit. Ndërsa Ramush Haradinaj është bash shpirti i paepur i Kosovës. Përndryshe, edhe ata mund të silleshin si kolegët e tyre në Shqipëri.
Sfidat e Kosovës janë të mëdha. Bash për këtë arsye, Kosovës i duheshin këto zgjedhje, jo vetëm për të verifikuar vullnetin e qytetarëve, por edhe për të treguar se shqiptarët e Kosovës meritojnë shumë më tepër respekt nga Europa dhe SHBA. Kosova meriton gjithçka që bota demokratike ka bërë, madje meriton shumë më shumë. Ata meritojnë njohje të plotë ndërkombëtare, lëvizje të lirë, anëtarësim në NATO dhe në Bashkimin Europian.
Kosova meriton mbështetje nga e gjithë bota përballë Serbisë. Kosova meriton përfundimisht të respektin më të thellë prej të gjithëve.
***
Mbrëmë, ndërsa ndiqja përditësimin e rezultateve të zgjedhjeve, një dhimbje e pakuptueshme kaploi krejt qenien time. Minutë pas minute më kujtoheshin farsat tona me zgjedhjet, kërcënimet, shantazhet, shitjet dhe blerjet, çunat e fortë, lakejtë, droga dhe trafikantët, vrasjet, tenderat, PPP-të, vetting-u, Edi Rama, Damian Gjiknuri, Mark Frroku, Tom Doshi, “opozita e re”, Top Channel, Sokol Balla, Mero Baze, Baton Haxhiu, Gent Cakaj…
Dikur u lodha dhe më erdhi pështirë nga fakti që jam shtetas i një shteti kaq pervers. Nuk e di se çka ka ndodhë me shqiptarët e Shqipërisë, por ka nja 75 vjet që karriera politike dhe pasuria janë privilegj i ndyrësirave të kombit.
Sepse Kosova është shteti që meritojnë shqiptarët