Komisioneri për Zgjerim i BE-së Johannes Hahn është i mendimit se qasja në procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës duhet të ndryshohet. Ai beson se takimet individuale në Dialog nuk janë të mjaftueshme për të arritur një zgjidhje përfundimtare.
“Unë personalisht besoj se në një moment, negociatat duhet të zhvillohen siç veprohet për zgjedhjen e Papës. Të organizohet një lloj konklave, derisa të kemi ‘tym të bardhë’, “theksoi Johannes Hahn, për RSE.
Hahn ishte optimist se Joseph Borell, Përfaqësuesi i Lartë i ardhshëm i BE-së, do të ishte plotësisht i përkushtuar në dialog, siç e ka konfirmuar tashmë ai, dhe se vizita e tij e parë zyrtare do të ishte një vizitë në Prishtinë.
Prandaj, sipas komisionerit që po largohet nga posti, sapo zyrtarët e rinj të marrin poste të reja në institucione, BE do të jetë në gjendje të marrë rolin që i takon në dialogun Kosovë – Serbi.