Takimi i Ramës me Vuçiç e Zaev, Vetëvendosja: ‘Mini-Schengen’, emri i ri i sferës së Serbisë në Ballkan

0
156

Lëvizja Vetëvendosje, Qëndra në Shqipëri ka reaguar pas takimit të Ramës me Vuçic e Zaev ku edhe është firmousr nje marrveshja që po reklamohet si një “mini-Shengenit ballkanik”. Ragaimin vetvendosja e ka shprëndarë me një postim në faqen e saj në facebook.

Ja postimi i plotë

“Mini-Schengen”, emri i ri i sferës së Serbisë në Ballkan

Javën e kaluar në Serbi u mbajt një takim i kryeministrave të Shqipërisë, Maqedonisë Veriore, Serbisë, dhe Presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiç. Temë e këtij takimi ishte krijimi i “mini-Shengenit ballkanik”, proces ky që sipas Vuçiçit, Ramës dhe Zaevit, nënkupton krijimin e lehtësirave në lëvizjen e njerëzve dhe mallrave në Ballkanin Perëndimor, duke filluar nga këto shtete nënshkruese me shpresën që më vonë, do t’iu bashkëngjiten edhe shtetet e tjera të rajonit.

Projekti që sot quhet në mënyrë eufemike si “mini-Schengen”, është projekt i propaganduar prej përfundimit të luftës në Kosovë. Në atë kohë është quajtur krijimi i “jugosferës” e së fundmi është quajtur edhe projekt në frymën e një “Jugosllavie të Re”. Këto emërtime kanë ngjallur rezistencë, kështu që përfaqësuesit e Serbisë pas një kohe e kanë ndryshuar gjuhën, për aq sa kjo gjë u mundëson të arrijnë të njëjtat qëllime. Ata kanë rënë dakord ta quajnë simbolikisht këtë marrëveshje si “mini-Schengen”, ndërkohë që përmbajtësisht marrëveshje të tilla thjesht vendosin edhe formalisht nën sferën e influencës së Serbisë vendet e tjera të rajonit. Serbia është vendi që e dominon ekonomikisht rajonin, duke krijuar deficite tregtare me vendet që e rrethojnë. Për të arritur këtë ajo përdor praktika tregtare ilegale si dampingu. Këto praktika ilegale të Serbisë e shkatërrojnë në mënyrë të planifikuar prodhimin vendas të ekonomive të shteteve të rajonit. Përmes subvencionimit, produkteve serbe u mundësohet që të shiten nën kosto, duke eliminuar nga tregu produktet vendore të shteteve të rajonit.

Ajo çka e bën më të rëndë situatën është edhe fakti se Tirana zyrtare nuk ka nxjerrë mësime këto vite në lidhje me Serbinë, e cila nuk i ka ndryshuar politikat e saj ekspansioniste ndaj shqiptarëve, nuk e pranon dhe nuk kërkon falje për të shkuarën e vet kriminale, dhe vazhdon të mos e njohë dhe ta luftojë shtetin e Kosovës. Sakaq, realiteti politik në Kosovë ka ndryshuar pas zgjedhjeve të fundit parlamentare që i kanë hapur rrugën koalicionit të ri qeveritar LVV – LDK të qeverisë Kurti. Të dy këto subjekte e kanë bërë të qartë gjatë fushatës zgjedhore se do të kërkojnë e do të vendosin masa reciprociteti të plotë politik dhe ekonomik ndaj Serbisë. Tani që këto subjekte kanë fituar zgjedhjet dhe janë në prag të formimit të qeverisë së re Kurti e kanë bërë të qartë publikisht se këto masa reciprociteti do të jetësohen, pasi Serbia nuk ka ndryshuar dhe nuk ndryshon duke iu përulur ekspansionit të saj. Tirana zyrtare e ka ditur këtë gjë por nuk është asnjëherë vonë të tërhiqet nga marrëveshje që dëmtojnë interesat kombëtare. Shqipëria dhe Kosova kanë nevojë ta unifikojnë politikën e tyre të jashtme dhe atë tregtare në dobi të interesave dhe ekonomisë kombëtare drejt bashkimit dhe zhvillimit të prodhimit vendas.

Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Tiranë mban qëndrim kritik dhe kundërshtues ndaj kësaj iniciative për këto arsye:

1. Interesat kombëtare kërkojnë që Shqipëria të përfshihet në iniciativa diplomatike rajonale me Kosovën dhe duke marrë parasysh qëndrimet e kësaj të fundit. Shqipëria dhe Kosova nuk janë të lidhura vetëm historikisht, kulturalisht dhe emocionalisht me njëra tjetrën, por edhe ekonomikisht dhe në nivel diplomatik sa u takon marrëdhënieve ndërkombëtare me shtetet e tjera.

2. Tirana zyrtare gabon kur vepron në drejtim të normalizimit ndërkombëtar të Serbisë, para se Serbia të normalizojë vetveten. Duhet që Serbia të njohë të shkuarën e vet, të ballafaqohet me të dhe të nisë “demillosheviçizimin”. Ajo duhet të kërkojë falje për krimet, të dënojë kriminelët, të dëmshpërblejë viktimat dhe të njohë Kosovën. Këto janë kërkesa minimale që çdo pushtet që në Tiranë ka parasysh interesat kombëtare duhet t’i çojë përpara ndërkombëtarisht sa herë që mundet.

3. Iniciativat e tilla, të tregtisë së lirë, nuk janë formale. Ato kanë pasoja ekonomike. Nuk duhet që në emër të shtetit të nënshkruhen marrëveshje, pa u bërë më parë një analizë e hollësishme e përfitimeve dhe e kostove, si dhe pa u konsultuar në mënyrë transparente me grupet e interesit, që në këtë rast janë prodhuesit vendas në Shqipëri e Kosovë.

4. Shqipëria dhe Kosova duhet të konkretizojnë e zbatojnë sa më parë marrëveshjet e nënshkruara mes dy qeverive, duke krijuar një treg të përbashkët, ku prodhuesit e Shqipërisë dhe Kosovës mbrohen e drejtohen për të zhvilluar avantazhe në sektorë strategjik me potencial ekonomik.

Përfaqësuesit e qeverisë Rama që e mbrojnë “mini-Schengenin” me pretendimin se qëllimi përfundimtar është heqja e barrierave kufitare edhe mes Serbisë e Kosovës janë duke shtrembëruar të vërtetën, aq më shumë kur bëjnë referenca historike si në rastin e Gjermanisë dhe Francës pas Luftës së Dytë Botërore. Në atë kohë, barrierat kufitare janë hequr pasi ka ndodhur njohja e pasi janë pranuar dëmshpërblimet e luftës. Historia na mëson se kjo duhet të jetë rruga edhe mes Shqipërisë e Kosovës, nga njëra anë, dhe Serbisë, nga ana tjetër.

Tiranë, 18 tetor 2019

Lëvizja VETËVENDOSJE!
Qendra në Shqipëri

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here