Mungesa e doktorit, i ka detyruar disa banorë të fshatit Rakickë në Devoll të kthehen në mjekë për bashkëfshatarët. Ata thonë se injeksionet dhe trajtimet e tjera ia bëjnë njeri-tjetrit, duke rrezikuar kështu edhe më shumë shëndetin. Ndërsa për urgjenca u duhet të udhëtojnë rreth 30 km drejt Bilishtit.
Mungesa e mjekut i ka detyruar banorët e Rakickës në Devoll të trajtojnë njëri-tjetrin.
Disa prej tyre, prej hallit siç thonë banorët, u bëjnë gjilpërat apo mjekimet të sëmurëve.
“Më bën çupa gjilpërën, çupa viziton, i mat tensionin plakave”
Teksa në raste urgjencash ata duhet të udhëtojnë drejt Bilishtit. Por derisa të mbërrijnë në qytet, thonë se janë në dorë të Zotit.
“Jemi malësi, këtu doktori duhet”
Kostot e udhëtimit janë shqetësim më vete.
“E përballon nuk e përballon po u sëmurë do ikësh”
Të revoltuar dhe zemëruar ata bëjnë apel pasi zona ku ata jetojnë prej vitesh është lënë në harresë.
“As doktor, as infermierë asgjë”
Qendra shëndetësore e fshatit, siç duket është në gjendje të mirë, por sipas banorëve mjek e infermier nuk ka prej gati tre vitesh.
Anëtarët e 50 familjeve thonë se kanë mbetur të harruar në zonën malore të Devollit.