Nga Agim Xhafka
Që ditën kur u muar vendimi që Shqipërisë të mos i hapen negociatat e anëtarësimit në BE opozita, media, shoqëria civile bëjnë me faj kryeministrin Rama dhe këtij i kërkojnë dorëheqjen.
Si për ta vënë në sedër i sjellin precedentin Zaev, kryeministrin e Maqedonisë së Veriut që dha dorëheqjen paçka se u vlerësua ku e ku më lart se Rama. Por ja, ikën tre ditë e maxhoranca e majtë fajin ia hodhi Macronit, madje-madje gruas së tij jo aq të hijshme dhe aspak të re.
Ndaj lufta anti-Francë tani është ndezur keq e shyqyr që e kemi të ndryshkur nëndetësen 105 se do e kishim çuar urgjent në portin e Marsejës me kokainë surrogato,që mos iu shqitej për një muaj dhimbja e kokës francezëve.
Në fakt them se fajin e ka Majko. Jo thjesht ai se duket si humor. Por bashkë me Xhafajn, Ruçin, Finon, Braçen, Klosin, Servetin, Doklen…E plot të tjerë. Faji i këtyre themeluesve të PS nis nga dita kur vota socialiste prodhoi qeveri Mjaft-oniste.
Ministra u bënë ata që kishin luftuar e tallur të majtën. Nuk u ndjenë, heshtën e kështu i dhanë flatra marrëzive të Ramës. U guxua të bëhet kryebashkiak i Tiranës kryetari i G99 që nga populli mori 0,1% vota. Sërish Majko e Co qepën gojën. Pra aprovuan atë njeri që i qesëndiste rrugëve.
E bënë për një karrige deputeti. Më pas nisën PPP-të, grabitja e pasurive të atdheut. Majko & CO jo vetëm heshtën, por e votuan vjedhjen.
Siç votuan që Saimiri të mos prangosej për hashashizimin e vendit dhe më tej zhdukja e gjykatave të quhej reformë.
Nga krimi në krim po fuqizohej Rama dhe PS u bë lecka që fshinte këpucët e tij. Do duhej vendimi i Macronit që të kuptohej se fama e qeverisë mafioze kishte kapërcyer kufijtë.
Kur pritej që të falënderohej presidenti francez nisi lufta ndaj tij, gruas dhe Francës. Mos u çuditni kur ndonjë ditë te sheshi me gungë të digjen psh librat e Hygoit ose të Balzakut.
Majko dhe themeluesit e PS kanë vite që heshtin.
Ngjajnë si Pilo Peristeri e të tjerët dikur. Që edhe kur shkojnë të shurrosin i marrin leje Ramës. Heshtja e tyre dje na la jashtë negociatave për në Evropë.
Nesër nuk do na qasin në asnjë shtet të Ballkanit. Do mbyllemi si në kohën e merhumit, sikur të kemi kolerën.
E do vendosim kanaçe të televizori që të shohim si bota ecën dhe progreson.
Nuk iu ndamë fundit…