“Djegia e mandateve ishte gabim i opozitës?” Tabaku: Kjo qeveri e ka çuar vendin në regres!!!

0
184

Jorida Tabaku, ish-deputetja e PD-së, u shpreh në A2 se Shqipëria pengoi edhe Maqedoninë e Veriut për hapjen e negociatave dhe për këtë, ajo theksoi se është Edi Rama përgjegjës.

Kjo qeveri, tha Tabaku, e ka çuar vendin në regres që në momentin që ka ardhur në pushtet.

“Shqipëria penalizoi Maqedoninë e Veriut”
“PD nuk ndjen asnjë lloj kënaqësie që gjendemi në këtë situatë. Deri në momentin e fundit, kemi shfrytëzuar çdo mundësi për të lobuar që të kishte një “Po” për Shqipërinë. Unë dua të shfrytëzoj mundësinë dhe dua të them se nuk ishte kjo ajo që meritonin shqiptarët. Por duke u kthyer realitetit, shqiptarët nuk e meritojnë, por qeveria ka bërë çdo gjë që ne të arrijmë në këtë situatë sot. Dorëheqja e Ramës ka qenë e panegociueshme që para se të largohemi nga parlamenti. Akti i Zaev ofroj vetëm një bazë krahasimi se çfarë bënë një politikan i përgjegjshëm. Mund të duket egoizëm, por shyqyr që nuk na ndanë, pasi më tej ne do të bënim pjesë në grupin e Bosnjës ku do të kishim një procedurë tjetër për negociatat. Fakti është që ne e penalizuam Maqedoninë e Veriut”.

Luftë replikash në distancë mes Bashës dhe Ramës…
“Sado të përgjigjet Rama me çdo lloj citati apo propagande, është e pamundur të mbulojë faktin që të gjithë liderët e BE e cituan në fjalën e tyre, duke filluar nga Kancelarja me deklaratën pas samitit, deri te lideri i Holandës se kemi dy situata të ndryshme me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut. Qershia mbi tortë ishte deklarata e Macron, i cili tregonte se pjesa më e madhe e vendeve nuk ishin dakord për Shqipërinë. Kishte një unanimitet për Maqedoninë, por nuk ishin dakord për Shqipërinë, si rezultat i këtyre kushteve. Edhe nëse do të kishim pasur një “po”, kjo do të kishte qenë e shoqëruar me një sërë elementësh që duhet t’i plotësonim deri në konferencën e parë ndërqeveritare. Edhe me një “po”, Shqipëria do të kishte tjetër rrugë nga Maqedonia e Veriut”.

“Cakaj nuk mban përgjegjësi politike”
“Zoti Cakaj nuk mban asnjë përgjegjësi politike, pasi nuk është as deputet, as ministër me mandat të plotë dhe mund të thotë çdo lloj broçkulle që dëgjon nëpër Tiranë. Situata është e tillë që zotin Cakaj, zonjën Hysi dhe zotin Rama, negociatat janë hapur që vjet, ky është realiteti. Kur këta kanë ardhur në qeveri kemi pasur një regres që nuk e kishim në 10 vitet e fundit”.

“Rama, i pari në listën e Prokurorisë për vjedhjen e votës”
“Nuk ka opozitë brenda dhe jashtë parlamentit. Ka një opozitë të votuar me votat e shqiptarëve. Ato janë vota të PD, me të cilat disa individë kanë zgjedhur të qëndrojnë atje. Opozita dhe aleatët e saj janë pjesë përbërëse e reformës zgjedhore dhe nuk ka asnjë institucion që e përjashton opozitën nga ky proces. Duke treguar vullnetin tonë politik, që nuk ka asnjë në dorë të opozitës që e pengon të ardhmen europiane, por përkundrazi do të bëjmë çdo gjë edhe duke u ulur në tryezën për reformën zgjedhore. Por ju kujtoj se personi i parë në listën e Prokurorisë për vjedhjen e votës është kryeministri Rama. Të gjitha kërkesat e opozitës, kauza që ne i kemi pasur, gjejnë reflektim në Bundestag”.

Djegia e mandateve ishte gabim i opozitës?
“Absolutisht që jo. Është konfirmuar më shumë se kurrë fakti që në Parlament, sot po ndodh vetëm një fasadë që ne nuk kemi pse të jemi pjesë atje. Para pak ditësh, u miratua ligji për korporatën e investimeve. Po të kishim qenë ne në Parlament dhe të kishim bërë 30 amendamente, siç kemi bërë për buxhetin, për ligjin e pronave, për shumë ligje, a do të ishin marrë parasysh? Do të ishin refuzuar me forcë. Pse duhet të ishim pjesë e asaj fasade. Opozita e re është atje sa herë nevojiten votat”.

“Korporata e investimeve, një nga projektet korruptive”
“Korporata e investimeve është një nga projektet korruptive me vlerë të jashtëzakonshme për buxhetin e shtetit, pasi përfshin burime pronësore tokash të pushtetit lokal, të pushtetit qendror. Por krijon edhe rrezikun shumë të madh për të marrë prona nga privati për t’i vënë më pas në dispozicion të një organizate që do të krijohet nën drejtimin e Kryeministrit”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here