“M’i bëj të fala Majlinda Halilajt!” Gafat e “pafalshme…” Rudina Hajdari mendon se ajo dhe deputetja do të përmirësohen

0
172

Fjalimi i deputetes Majlinda Halilaj bëri xhiron e rrjetit, fatkeqësisht për gafat e “pafalshme”. Rudina Hajdari nuk mbetet pas për gabimet më shumë se trashanike gjatë fjalimeve të saj në seancat plenare në Kuvend, por edhe në intervista apo debate të ndryshme në studio televizive. Por kjo e fundit nuk ka ngurruar “ta mbrojë” deputeten Halilaj ndoshta duke dashur edhe të heqë një pjesë “të peshës së fajit” nga vetja.  

E ftuar në “Wake Up”, Hajdari u pyet nga Ori Nebijaj në lidhje me fjalimet e saj dhe si i ka përjetuar kritikat.

“Dëgjo…edhe njëherë…Për shembull fjalimet janë një pjesë goxha impenjative dhe kërkojnë goxha përgjegjësi që ti të dalësh aty dhe të flasësh dhe të thuash shumë gjëra. Unë e kam parë në një lloj prizmi që vërtet më kanë dhënë emocionin pak më të ngarkuar se çdo njeri tjetër,” u shpreh ajo.

Në vijim, Hajdari sqaroi se nga nisin emocionet e saj gjatë fjalimeve. “Shpesh kur hyj në atë Parlament, kujtoj shumë gjëra. Kujtoj që në atë podium ka qëndruar im atë, në atë podium kanë ndodhur shumë gjëra, në atë Parlament ka patur shumë ngjarje që mua më emocionojnë gjatë gjithë kohës,” tha Rudina.

“Mendoj gjithashtu që edhe pritshmëria është shumë e lartë. Të mos harrojmë që unë erdha nga një realitet shumë ndryshe, pra nga një vend si Nju Jorku që qëndrova goxha gjatë, dhe u hodha në një realitet tjetër që kërkonte shumë gjëra prej meje.”

Në vijim, ajo u shpreh se “nuk pretendon se është përfekte”. “Mundohem gjatë gjithë kohës që ta shtyj veten. Nuk pretendoj se jam perfekte. Kam mangësi, patjetër, por kam edhe shumë vullnet për të vetëkorrigjuar veten[…] të përmirësoj veten në çdo fushë.”

Në fund të intervistës, Isli Islami bëri një kërkesë. “M’i bëj të fala Majlinda Halilajt!” tha ai dhe sa të gabuar jemi nëse themi që ishte ironi? Aspak.

“Faleminderit shumë,” u shpreh Rudina Hajdari. “Edhe ajo patjetër do të ketë përmirësimin e vet me kohën,” përfundoi ajo, fjali që u pasua nga një “po, po patjetër” e Orit.

Për të gjithë ju që nuk keni lexuar asgjë se ç’është bërë: Rudina Hajdari njihet për lapsuset, rrëshkitjet, marrjen e gojës dhe gafat gjatë fjalimeve në Parlament, ndërkohë që Majlinda Halilaj është deputetja që zëvendësoi Lulzim Bashkën pas djegies së mandateve nga opozita, njohur si deputetja që nuk artikulonte dot fjalën “korporatë” për “arsye shëndetësore të problemit me syrin”.

Mesa duket, Hajdari është pozitive në lidhje me fjalimet e ardhshme, ndërkohë që kushdo tjetër, që e konsideron veten mjaftueshëm të përmirësuar për të qenë në Parlament, të presë se ka radhë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here