Na mbyllet dera e Europës para hundës, Basha “sfidon hapur” Ramën: Nëse s’ke frikë nga vota, hapi rrugë zgjedhjeve të lira!

0
125

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha në një intervistë në Vizion Plus pëe gazetaren Olta Blaceri, i pyetur për përgjegjësitë e qeverisë në dështimin e hapjes së negociatave, u shpreh ndër të tjera se ‘Shqipërisë i duhen zgjedhje të parakohshme shumë më shumë sesa Maqedonisë. Vendimi i Maqedonisë tregon sesi veprojnë drejtuesit me një fije përgjegjësie ndaj vendit, ata që kanë një fije përgjegjësie ndaj vendit dhe që vendosin interesat e vendit para interesave të veta. Në rastin e Shqipërisë, zgjedhjet e parakohshme janë e vetmja rrugë për të kthyer legjitimitetin e një parlamenti, që tashmë është dëshmuar që është produkt i bashkëpunimit të Partisë Socialiste, të Edi Ramës me bosat e krimit të organizuar.’

Basha tha po ashtu se ‘Nëse Rama nuk ka frikë nga vota e qytetarëve, le t’i hapë rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme sipas kushteve të Bundestagut. Vendit i duhet një qeveri kujdestare për zgjedhjet, siç e ka në Kushtetutë edhe Maqedonia e Veriut.’

Pjesë nga intervista:

Pyetje: Zoti Basha, më 18 tetor Këshilli Europian vendosi të mos hapë negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Pse mendoni ju që është faji i qeverisë, përgjegjësia e qeverisë? Pse kërkoni ju zbatimin e skenarit maqedonas për shkuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme?

Lulzim Basha: E para, nuk e them unë. E thotë vetë Bashkimi Europian që, në rastin e Shqipërisë, nuk pati konsensus, por, përkundrazi, kishte një numër të madh vendesh, jo vetëm Franca, që ishin kundër. Arsyet po kështu, këto vende i kanë bërë të qarta: luftë e pamjaftueshme kundër krimit dhe korrupsionit. Pra, krimi dhe korrupsioni mbeten shqetësim i madh, ndarja e pushteteve është cituar si problematikë. Por, mendoj se, në vend që të mbështetemi tek deklaratat e 18 Tetorit apo pas 18 tetorit, le të marrim dokumentin e shkruar që nuk lë vend për abuzime, që është rezoluta e Bundestagut, e cila fare qartë tregon rrugën për të hapur negociatat. Kjo rrugë kalon përmes zgjidhjes së krizës politike, përmes dënimit të atyre që shkatërruan zgjedhjet e vitit 2016 dhe vitit 2017, përmes një reforme të vërtetë zgjedhore me pjesëmarrje të gjithë forcave politike dhe zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.  Pa plotësimin e këtyre kushteve, Gjermania nuk është në gjendje të thotë “Po”.

Pyetje: Pse na duhen zgjedhje të parakohshme në fakt, si në Maqedoni? Pse është zgjidhja kjo?

Lulzim Basha: Në fakt, Shqipërisë i duhen zgjedhje të parakohshme shumë më shumë sesa Maqedonisë. Vendimi i Maqedonisë tregon sesi veprojnë drejtuesit me një fije përgjegjësie ndaj vendit, ata që kanë një fije përgjegjësie ndaj vendit dhe që vendosin interesat e vendit para interesave të veta. Në rastin e Shqipërisë, zgjedhjet e parakohshme janë e vetmja rrugë për të kthyer legjitimitetin e një parlamenti, që tashmë është dëshmuar që është produkt i bashkëpunimit të Partisë Socialiste, të Edi Ramës me bosat e krimit të organizuar. Këtë nuk e thotë thjesht dhe vetëm opozita shqiptare apo ato pak zëra të pavarur tëmedias shqiptare, tashmë, këtë e thonë politikanët europianë, e thonë vendimmarrësit europianë, e thotë media europiane.

Pyetje: Jeni gati ju të shkoni në zgjedhje të parakohshme? Kushtetuta e parashikon për 45 ditë. Apo duhet të plotësojmë kushte të tjera?

Lulzim Basha: Ne jemi gati të shkojmë në zgjedhje të parakohshme që nesër. Kushti i vetëm i opozitës, për të cilën kemi bërë një betejë, është që shqiptarëve t’u garantohet liria e votës.

Pyetje: Si?

Lulzim Basha: Duke garantuar standardet minimale zgjedhore, për të cilat Partia Demokratike dhe aleatët kanë propozuar një sërë masash.

Pyetje: Ka një debat që po bëhet tashmë prej 9 muajsh, me Edi Ramën kryeministër? Pa Edi Ramën kryeministër?

Lulzim Basha: Secili duhet t’i bëjë pyetjen vetes:një njeriu, i cili është kapur duke vjedhur edhe veten e tij, siç ndodhi me 30 Qershor, mund t’i besohet se do të organizojë një palë zgjedhje të lira dhe të ndershme? Një njeriu që nuk e lëshon pushtetin edhe kur është shkaktari i refuzimit për herë të katërt të hapjes së negociatave, pra, që ka pushtetin më të shenjtë se çdo gjë tjetër, a mund t’i besohet organizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme?Po të lexojmë në raportet e OSBE/ODHIR-it përgjigja është e thjeshtë: Jo!Po të lexojmë kushtet e Bundestagut, përgjigja është e qartë: Jo!Po të shikojmë shembullin e fqinjit tonë lindor, edhe aty, 100 ditë para zgjedhjeve do të kemi një kryeministër tjetër dhe një kabinet kujdestar, i cili do të garantojë që do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme.Pra, përballë janë dy interesa të ndryshme, interesi i qytetarëve për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme, që është edhe interesi i opozitës, dhe interesi i Edi Ramës për ta mbajtur pushtetin e marrë me krimin pa zgjedhje apo, në rastin më të mirë, të jetë përsëri ai që të diktojë rezultatin dhe jo qytetari shqiptarë. Kjo, natyrisht, është e papranueshme, kjo vetëm e thellon krizën.Prandaj, ne jemi fare të qartë dhe të vendosur në kërkesat tona, sepse nuk po kërkojmë asgjë për veten tonë. Po kërkojmë që shqiptarët të vendosin qeverinë që meritojnë me votë. Në qoftë se zoti Rama nuk ka frikë nga vota e qytetarëve, le t’i hapë rrugë një procesi zgjedhor të lirë e të ndershëm, të paraprirë nga një reformë zgjedhore, siç e kërkon Bundestagu, me një qeveri kujdestare që garanton vullnetin e munguar në të paktën tre palë zgjedhje, që janë edhe arsyeja kryesore, janë rrënja e së keqes është arsyeja kryesore përse, në mënyrë të përsëritur, na mbyllet dera e Europës para hundës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here