Lutjet e shqiptarëve për t’u kthyer nga Siria në vendlindjen e tyre kanë qenë në format nga më të ndryshme. Përveç videove dhe audiove të transmetuara, në redaksinë e Top Channel kanë mbërritur dy letra; një nga një nënë 72 vjeçare dhe tjetra nga gruaja 38 vjeçare ku kërkojnë me ngulm nga shteti shqiptar që t’I largojnë nga terrori i luftës në kampin Al- Hawl. Me vrasjen e Shkëlzen Dumani-t në luftën krah grupit militant të shtetit islamik, e ëma Mentija Dumani shkoi të qëndronte pranë nipit dhe mbesës në Siri. Gjyshja 72 vjeçare prej 5 vitesh përballet me varfërinë e tejskajshme në kamp si dhe frikën e vdekjes.
“Unë Mentije Dumani, nënshtetëse shqiptare me nipin tim të dashur Endri Dumani 11 vjeç të lindur në Tiranë, kërkojmë që të na largojnë nga Siria sa më shpejt; të kthehemi në Shqipëri se jam një gjyshe 72 vjeç, dua që të vdes në vendlindjen time. Këto kërkesa që bëjmë, ju lutemi që t’I vlerësoni. Ka 8 muaj që kemi ardhur në kampin Al- Hol, duam sa më shpejt që nga ky vend të na largoni”.
Ndërsa mamaja e 3 fëmijëve që u largua nga Tirana në 2014 shkruan rrezikun që i pret në ditët në vijim. “Unë Klotilda Refat Zani, nënshtetase shqiptare bashkë me 3 fëmijët e mi, Adni Etjon Zani, Jasemin Etjon Zani dhe Selma Etjon Zani ndodhemi prej 8 muajsh në kampin Al Howl, Siri. Prej një kohe të gjatë jemi në pritje të tërheqjes sonë në Shqipëri, duke qenë në kushte të vështira jetese dhe ekonomike dhe duke menduar e ardhjen e shirave dhe të ftohti do t’a bëjnë jetesën tonë më të vështirë. Kërkoj prej jush kthimin në familje, ju lutem!”
Veç këtyre letrave të ardhura nga Siria, edhe familjarët e tyre që gjenden në Shqipëri i janë drejtuar autoriteteve shqiptare. Gjyshja 70 vjeçare Asije Shuli në një letër drejtuar kryeministrit shkruan për ankthin e pritjes prej 6 vitesh të kthimit të 5 nipërve dhe mbesave që gjenden të vetëm në Siri, pas ndarjes nga jeta të prindërve Krenarit dhe Adelinës.