Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, raportohet se ka pasur një incident mbrëmjen e djeshme, në një zonë pranë qendrës së Tiranës. Sikundër raportohet, Tahiri është sulmuar fizikisht nga 3 persona, ndërsa ndodhej në zonën e Tregut Elektrik. Ky nuk është rasti i parë që në media raportohen lajme mbi incidente lidhur me ish-ministrin e Brendshëm. Ish-Kryeministri Sali Berisha disa herë ka raportuar mbi incidente të ngjashme me Tahirin.
“Brenda tyre ka një egërsim dhe një luftë të Brendshme. A e more vesh se e kanë rrahur Saimir Tahirin para një jave. Qëkur filloi të flasë për çati dhe për themele, e rrahën paq. Asnjë media nuk e dha. Bandat e Edi Ramës e rrahën. Sa filloi ti përmendte Edi Ramës çatinë, atë e rrahën. ‘Çatia’ ishte fjalë kod’”, shprehej Berisha në tetor të 2018.
Tahiri është dënuar nga gjykata e Krimeve të Rënda, me 3.4 vite burg, që është konvertuar në shërbim prove.
Ja çfarë shkruan Publik.Live:
“Mbrëmë rreth ores 19:40 në afërsi të ‘Tregut elektrik’ është sulmuar fizikisht nga tre persona. Policia ka mbërritur menjëherë në vendgjarje pa arritur të kapë autorët. Gjatë natës punonjës policie kanë kontrolluar në ‘Kompleksin Grand’ për identifikimin e autorëve. Pritet deklarata e policisë. Sipas burimeve tona, ish-ministri Tahiri është në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk ka bërë denoncim deri në këto momente”.