Drejtori i Përgjithshëm i Doganave Arlind Gjokutaj është shkarkuar nga detyra. Gjokutaj kishte vetëm 7 muaj i emëruar në detyrë, por duket se rezultatet e dobëta në mbledhjen e të ardhurave dhe realizimin e planit, e kanë fundosur. Mësohet se vendin e tij përkohësisht e ka zënë Gjon Bardhi, Zv,Drejtori i Përgjithshëm.
Gjokutaj, para se të ngjitej në krye të Doganave, ishte Drejtor të Përgjithshëm në Drejtorinë e Parandalimit të Pastrimit të Parave. Kur ai nisi si Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, iu dërgoi punonjësve një letër ku shprehte synimet e tij. Në letër shkruante:
“Më lejoni t’Ju drejtohem direkt nëpërmjet e-mailit për të ndarë me ju disa fjalë dhe mendime të miat për punën dhe sfidat tona të përbashkëta.
Por kjo punë ka edhe vështirësi, të cilat ju i dini shumë më mirë se unë. Vështirësi me të cilat ndeshemi çdo ditë e të cilat vetëm duke qenë së bashku dhe duke ndarë vizionin, qëllimin dhe objektivat do të mund t’i tejkalojmë, duke bërë të mundur që e bukura të triumfojë mbi të vështirën.
Jam i bindur që të gjithë së bashku do të dimë ta bëjmë këtë, pasi Dogana shqiptare ka shumë profesionistë dhe njerëz të ndershëm e të devotshëm për tu përballur dhe për të qenë në lartësinë e sfidave që i presin.
Fatkeqësisht, në mesin tonë, kemi edhe një pakicë që na nxin faqen e na turpëron. Një mish i huaj që duhet ta nxjerrim sa më parë jashtë vetes e ta flakim aty ku e ka vendin.
Cilido prej jush që e ndien veten të aftë profesionalisht, që ka performancë dhe rezultate në punë, që ka integritetin dhe motivimin e duhur, është aset i vyer i kësaj administrate dhe e ftoj të vijojë pa u shqetësuar punën e të jap kontributin e tij. Ju siguroj mbi të gjitha që do bëjmë përpjekjet maksimale për krijimin e një ambienti motivues, duke nxitur karrierën bazuar në aftësitë dhe performancën e secilit.Ama, cilido nuk e gjen veten apo do të konstatohet jo në përputhje me ato kritere të përmendura më lartë, duhet të konsideroj seriozisht largimin nga kjo administratë. Ju siguroj që do të jem i pamëshirshëm me cilindo që nuk bën sa më sipër dhe që do evidentohet në shkelje (sot, nesër dhe në të shkuarën).
Hiqni dorë nga dërgimi i miqve, apo i mënyrave të tjera, për të kërkuar favore të ndryshme të pamerituara dhe të paargumentuara. Do të penalizoheni për këtë. Secili ka të drejtën të kërkojë dhe pretendojë dhe kjo nuk do t’i mohohet kurrë. Miku dhe armiku më i mirë që keni karshi meje janë vetëm vetja, karakteri dhe aftësitë tuaja.
Askush të mos ushqejë kot shpresën apo bindjen që kontributet në forca politike të çdo krahu do t’i shërbejnë si mbrojtje ndaj paudhësive dhe shkeljeve…”