Rriten pagesat për shërbimin e borxhit/ Nuk e dinit?! Çdo shqiptar ka…

0
145

Shqiptarët kanë 9.15 miliardë euro borxh, rriten pagesat për shërbimin e borxhit. Qeveria zgjat afatin e borxhit për t’ia kaluar pagesat qeverisë tjetër. Ulen interesat, por rriten shpenzimet për shërbimin e borxhit, për shkak të obligacionit 500 milionë euro.

Kuvendi është në diskutim të buxhetit faktik për vitin 2018. Të dhënat e konsoliduara të publikuara nga Kuvendi, tregojnë se në fund të vitit 2018, Borxhi Publik u vlerësua në nivelin 1,107.3 miliardë lekë, ose rreth 9.15 miliardë euro dhe e shprehur në vlerë relative, sa 67.2% e PBB, ose 3210 euro për çdo banor.

Qeveritë kanë rritur gjithmonë afatet e shlyerjes së borxheve për t’ua pasuar pasardhësve kostot e huamarrjes publike për të mbuluar diferencën mes shpenzimeve dhe të ardhurave. Sipas relacionit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë “në portofolin e borxhit të brendshëm është ulur pesha e borxhit që maturohet brenda një viti dhe pesha e titujve me norma interesi të ndryshueshme, duke mundësuar reduktimin e ekspozimit ndaj riskut të rifinancimit dhe atij të normave të interesit”.

Për sa i përket borxhit të brendshëm shtetëror, gjatë vitit 2018, ashtu si edhe gjatë vitit paraardhës, në përputhje me politikat menaxhuese për uljen e ekspozimit ndaj risqeve, ka vazhduar tendenca e rritjes së peshës së titujve afatgjatë (kryesisht titujt me afat maturimi mbi 5 vite). Gjithashtu, pesha e titujve me norma interesi të ndryshueshme është reduktuar, pasi edhe gjatë vitit 2018 nuk ka pasur asnjë emetim të këtyre titujve.
Kostot e borxhit për njësi janë ulur, kryesisht si rezultat i normave të interesit në nivele ende të ulëta, si dhe zëvendësimit të një pjese të borxhit që maturohet me borxh më pak të kushtueshëm. Megjithatë, krahasuar me një vit më parë, shërbimi i borxhit në vlerë absolute është rritur, si rrjedhojë e rritjes së stokut të borxhit, si dhe për shkak të parapagimit të interesave dhe primit që burojnë nga procesi i parablerjes së pjesshme (buyback) të Eurobond-it ekzistues.

Niveli i borxhit publik në raport me PBB ka shënuar rënie prej 2.9 pikë përqindje, duke vazhduar të qëndrojë në trajektoren rënëse, e cila ka nisur që prej vitit 2016. Faktorët kryesorë që kanë ndikuar në uljen e nivelit të borxhit në raport me PBB kanë qenë konsolidimi fiskal dhe mbiçmimi i monedhës vendase në raport me monedhat e tjera të portofolit të borxhit.

Niveli i borxhit të brendshëm dhe atij të jashtëm, në raport me totalin e borxhit publik, janë përkatësisht rreth 52% dhe 48%, duke ruajtur pothuajse të njëjtat raporte me fundin e vitit të kaluar, si dhe duke qenë në linjë me objektivat e vendosura në Strategjinë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit në kuadër të menaxhimit të riskut të kursit të këmbimit.

Për sa i përket kompozimit të portofolit të borxhit publik, sipas instrumenteve, më shumë se gjysmën e peshës e mbajnë instrumentet e tregtueshme (bono thesari, obligacione, eurobond), ndjekur nga huatë e huaja me destinacion financimin e projekteve dhe huatë në formën e mbështetjes buxhetore.

Qeverisja vendore merr vetëm 0.1% të borxhit

Borxhi i pushtetit lokal vazhdon të qëndrojë në nivele të ulëta (rreth 715.7 milionë lekë ose 0.1% e totalit të borxhit publik), kryesisht për shkak të kapaciteteve të ulëta që kanë njësitë e qeverisjes vendore për të akumuluar borxh. Gjatë vitit 2018 nuk ka pasur asnjë kërkesë të re për huamarrje vendore.

Portofoli i borxhit shtetëror, pavarësisht diversifikimit të viteve të fundit drejt instrumenteve të tregtuara në tregjet e huaja, gjatë vitit 2018 vazhdon të dominohet mbi 50% nga titujt shtetërorë të tregtuar në tregun vendas. Diversifikimi i portofolit drejt instrumenteve të huaja reflekton politikat e huamarrjes gjatë viteve të fundit, të cilat nisur edhe nga kufizimet e tregut të brendshëm, kanë pasur si qëllim uljen e presionit të huamarrjes së brendshme për të lehtësuar procesin e ristrukturimit të portofolit të borxhit të brendshëm.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here