Dashamir Shehi ka qenë i ftuar në emisionin “Top Talk” ku foli në lidhje me propozimin për rritjen e pagave.
Kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi, shprehet se opozita do dyfishojë pagat, kur të vijë në pushtet.
“Edhe pse nuk jemi më pjesë e parlamentit, në mendjen tonë ndërtojmë buxhetin që do bënim ne. Është ende e vlefshme ajo tezë që kam thënë një vit më parë, ne do i dyfishojmë pagat brenda një mandati.
Me rrogë më të larta do balancojmë pagën minimale me vendet e tjera ballkanike.
Kjo lloj reforme do të përmirësojë edhe situatën e pensioneve. Është bërë e domosdoshme, dhe jashtë kësaj skeme nuk ka zgjidhje tjetër”, tha Shehi në studion e Top Talk.
Ish deputeti ka folur edhe për ndërprerjen e protestave duke u shprehur se opozita merr hapa siç i merr çdo opozitë në botë, duke reflektuar mbi realitetin dhe interesat e Shqipërisë.
“Ne duhet të bëhemi gati për një politikë serioze. Ne i ndaluam proceset se kishte gjëra me të rëndësishme, integrimi në Europë. Integrimi është detyrë për gjithë palët e politikës.
Integrimi është ndihmë jo vetëm për shqiptarët por edhe për opozitën se është një lloj kontrolli”, tha Shehi.