Teksa iu përgjigjur disa prej shqetësimeve të të rinjve të pranishëm në takim, kreu i selisë blu premtoi se Partia Demokratike do të frenojë emigrimin e të rinjve, duke u përmirësuar kushtet në vendin tyre. Ndaj ai premtoi se do të rimbursojë 100% tarifën e studimit për studentët, të cilët vijnë nga familjet me të ardhura mujore nën 64 mijë lekë në muaj. Ndërsa për studentët që vijnë nga familjet me të ardhura mujore mbi 64 mijë lekë në muaj, rimbursimi do të jetë 50%.
“Për ne, prioriteti numër 1 është rimbursimi i tarifave. Çdo student nga familje me të ardhura nën 640 mijë lekë në muaj, do të përfitojë rimbursim 100% nga tarifa e buxhetit të shtetit me PD-në nesër në pushtet. Për studentët që vijnë nga familje me mbi 640 mijë lekë të ardhura në muaj, do të përfitohet 50% e tarifës përsëri nga buxheti i shtetit”, tha Basha.
Teksa theksoi mungesën e vendeve të punës për të rinjtë që përfundojnë studimet, Basha tregoi edhe një tjetër prioritet që lidhet me orientimin e studentëve në degët për të cilat ka nevojë tregu i punës. Për 10 mijë studentët më të mirë çdo vit, shteti do të paguajë stazhin e tyre.
“Do të orientojmë universitet publike drejt tregut. Në të gjitha degët, ne do të zbatojmë modelin gjerman të trajnimit të dyfishtë, gjysma e kohës do të shpenzohet në auditorët e universitetit, gjysma tjetër, praktikë pune. 10 mijë më të mirët, çdo vit, do të marrin një vit stazh të paguar nga buxheti i shtetit”, vijoi Basha. Po ashtu,kreu i opozitës tha se i njëjti investim që do të bëhet për rimbursimin e tarifave të studimit dhe për stazhet për 10 mijë studentët me të mirë, do të investohet edhe për modernizimin e universiteteve dhe afrimin e profesorëve të kualifikuar. Paratë për të gjitha këto premtime, Basha tha se do t’i sigurojë nga taksat e qytetarëve, të cilat aktualisht shkojnë për koncesionet.
TAKSAT
Në fjalën e tij, kreu i selisë blu tha se PD-ja e ka prioritet kryesor ndryshimin e modelit ekonomik. Basha akuzoi Kryeministrin Rama se ka ndjekur politika kundër përthithjes së investimeve të huaja. Për të konfirmuar akuzën, kreu i selisë blu mori shembullin e Serbisë, e cila aplikon taksën e sheshtë dhe vetëm vitin e kaluar hapi 40 mijë vende të reja pune ndërkohë që, sipas liderit të PD-së, Shqipërisë në vitin 2018 i ikën 38 mijë të rinj. Sakaq, përmendi zotimet për biznesin e vogël. “Përjashtim nga skema e TVSH-së për bizneset me xhiro vjetore nën 140 milionë lekë. Reduktim i taksave në 1 taksë të vetme, që do të jetë 0.5 për qind e xhiros vjetore. Të gjitha taksat dhe tarifat e tjera do të eliminohen. Do të zhdukim bandat e inspektorëve tatimorë, që terrorizojnë biznesin. Me pullën te dera, biznesi nuk do të shohë më fytyrën e asnjë tatimori në derën e tij, por do të jetë i lirë të punojë e të krijojë mirëqenie”, u shpreh Basha.
EMIGRIMI
Kryedemokrati Lulzim Basha akuzoi Kryeministrin Edi Rama se ka dështuar me politikat për të rinjtë. Sipas Bashës, emigrimi i tyre nuk është zgjedhje, por detyrim, për shkak se në Shqipëri nuk gjejnë mundësi për të pasur një jetë të mirë dhe të sigurt. Ndërkohë, teksa përmend shifrat e një studimi me financim britanik për emigrimin e shqiptarëve, kreu i selisë blu tregoi edhe dëmin ekonomik që i ka shkaktuar vendit largimi i kësaj kategorie. “Zotimi kryesor i Partisë Demokratike dhe i imi personal është të kthejmë shpresën në vendin tonë. T’ju japim fuqinë juve përmes mundësive dhe kushteve për punësimin, përmes klimës së mirë për biznesin. Humbja potenciale për ekonominë vetëm nga emigracioni, për vitin 2018, është 559 milionë euro apo 4.6 % e Prodhimit Bruto të Shqipërisë. Vitin e kaluar janë larguar nga Shqipëria 38 mijë të rinj. Kjo është hemorragji. Nëse nuk e ndalim këtë, shumë shpejt nuk do të ketë Shqipëri. Prandaj, prioriteti më absolut është ndalja e kësaj hemorragjie”, tha Basha.