Rama për të maskuar regjimin e tij të Oligarkisë dhe sistemin e Karteleve ka hedhur në treg mashtrimin e radhës, atë të KÇK, për t’i hedhur hi syve shqiptarëve e ndërkombëtarve se ROK po lufton kundër KÇK.
*
Shqipëria është një vend autoritar i drejtuar nga një pakicë përfaqësuese e interesave të Oligarkisë, Korrupsionit e Trafiqeve. Ky regjim i qeverisjes ka marrë formë të organizuar me ardhjen e Ramës në krye të qeverisë në vitin 2013, ndërkohë që ekzistenca e mëparshme e korrupsionit dhe paaftësia për të eleminuar krimin e organizuar, kishin krijuar terrenin e përshtatshëm që Rama të aplikonte modelin e regjimit të Oligarkisë e të Karteleve në Shqipëri. Paralelisht me ngritjen e forcimin e Oligarkisë, Rama i ka dhënë jetë edhe ngritjes së Karteleve që merren kryesisht me kultivimin e drogave të buta e trafikun e drogave të forta. Deri më sot, regjimi oligarkik dhe sistemi i karteleve kanë bashkëjetuar duke qenë nën drejtimin dhe kontrollin e Ramës; por kohët e fundit kartelet në luftën të hapur mes tyre por edhe me pushtetin oligarkik të Ramës po tentojnë të krijojnë organizmin/pushtetin e tyre të pavarur. Për momentin Kartelet mirëkontrollojnë pushtetin vendor dhe kanë me Ramën një marrëdhënie pengmarrjeje reciproke. Por kjo situatë tranzitore duket s’do të vazhdojë gjatë. Shumë shpejt, nëse Rama do të vazhdojë të drejtojë vendin, do të vijë dita kur në Shqipëri do të kemi një peizazh tre-polar: i) qytetarët e varfër, të papunë, të pafuqishëm e të pashpresë që gjithnjë e ma pak votojnë dhe gjithnjë e më shumë emigrojnë, ii) regjimin oligarkik unipolar të kontrolluar nga Rama dhe iii) sistemin e pavarur të Karteleve që veprojnë lokalisht, por që do të koordinohen mes tyre në nivel kombëtar. Madje shumë shpejt regjimi oligarkik i Ramës do të detyrohet t’i lërë karteleve të gjitha hapësirat për të ushtruar aktivitetet ekonomike e financiare jo vetëm në fushën e kultivimit dhe trafikimit të drogës si dhe për të përforcuar pushtetin e tyre të pavarur, territorial e politik. Deri më sot, aliazhi i Oligarkisë me Kartelet i ka shërbyer Ramës si mekanizëm për të fituar e mbajtur pushtetin, përmes blerjes së votave apo kërcënimit të votuesve, ndërkohë që të gjithë pjesëtarët e këtyre mekanizmave janë shpërblyer nga Rama përmes favoreve të siguruara nga zhvatja e pasurisë kombëtare dhe pronës.
1. Drejtuesi i këtij regjimi, ose Kryeoligarku, është Edi Rama
Rama është ideatori i ngritjes së këtij regjimi e konstruktori i saj kryesor, themelet e të cilit Rama i ka hedhur që kur drejtonte Bashkinë e Tiranës. Kjo “ndërtesë” ka marrë formë në mandatin qeverisës 2013-2017, kur Rama ka drejtuar vendin. Rilindja ishte kupola politike e Oligarkisë Shqiptare, e cila u maskua nën emrin e PSSH dhe u mbajt në këmbë nga votat e socialistëve. Aktualisht Rama po përpiqet përmes sjelljes së Anonimatit në qeverisjen e vëndit të eleminojë edhe Rilindjen dhe të kontrollojë i gjithëpushtetshëm, i vetëm, regjimin oligarkik unipolar të cilin deri më sot e drejtonte/kontrollonte përmes Kupolës së Oligarkisë që ishte edhe Kupola e Rilindjes.
2. Kupola e Oligarkisë në Shqipëri….
Kjo kupolë e drejtuar nga Kryeoligarku Edi Rama ka në përbërjen e saj: i) Politikanë, ministra të korruptuar të qeverisë Rama, kryetarë bashkish të korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar, deputetë me pasuri të paligjshme, drejtorë të rëndësishëm në administratën publike; ii) Biznesmenë me pasuri të dyshimtë të krijuar përmes lidhjeve klienteliste me politikën; iii) “Manjatë” të medias që kanë ngritur perandoritë e tyre mediatike përmes lidhjeve klienteliste me politikën; dhe iv) Individë me rekorde kriminale të lidhur me politikën, të cilët kanë filluar të krijojnë Kartelet e Mafias.
3. Kriteret e përcaktimit të Oligarkisë shqiptare.
Ka një debat në median shqiptare, nëse Oligarkia është realitet apo sajesë politike. Për t’i dhënë një përgjigje të qartë e shterruese kësaj pyetjeje, dhe për ta vendosur debatin në terrenin se si duhet çmontuar ky regjim, mjafton të hetohet se si është vendosur i) Pasuria e ministrave, kryetarëve të bashkive kryesore dhe 30 deputetëve më të pasur të Kuvendit në periudhën 2009-2019; ii) Pasuria e 10 kryetarëve më të pasur të bashkive në tre mandate e fundit; iii) Pasuria e 20 biznesmenëve më të pasur të vendit, sidomos pjesa e pasurisë e vendosur nga marrëdhëniet me shtetin, pra e krijuar përmes lejeve të ndërtimit, tenderave me fondet publike dhe koncensioneve; iv) Pasuria e 5 pronarëve të medias kryesore, sidomos pjesa e krijuar nga lejet e ndërtimit dhe nga përfitimi i tenderave publikë; v) Pasuria e paligjshme e individëve me rekorde kriminale të dënuar apo të dyshuar për lidhje klienteliste me ministra, deputetë, apo drejtues të administratës publike.
4. Kartelet
Paralelisht me ngritjen dhe fuqizimin e regjimit qeverisës të Oligarkisë, Rama ka ngritur, ushqyer dhe përdorur për pushtetin e tij personal edhe Kartelet e Drogës. Fuqinë politike fillestare këta Kartele e kanë marrë kur Rama kandidoi një pjesë të rëndësishme të këtyre individëve më rekorde kriminale, të lidhura me krimin e organizuar me veprimtari brenda e jashtë vendit si dhe trafikantët e drogave e të prostitucionit. Fuqinë territoriale e morën këta individë në momentin kur Rama iu shpërndau territoret e kultivimit e të shpërndarjes/shitjes së marijuanës. Më vonë, pasi i siguruan Ramës, përmes blerjes së votave edhe tepsinë e timonin e pushtetit, Rama u detyrua t’i shpërblente edhe edhe me llokma të majme të tortës jo vetëm ekonomike e financiare, por edhe nga pronat publike e private. Këto Kartele, pasi kanë siguruar pushtetin ekonomik, financiar, territorial e politik, kanë filluar betejën me Oligarkinë e drejtuar nga Rama i gjithëpushtetshëm për të fituar pavarësinë e tyre, ndërkohë që në këtë fazë tranzitore janë në marrëdhënie pengmarrjeje reciproke, e në disa raste edhe në përplasje mes tyre.
Shënim: Në mënyrë që lexuesi shqiptar të kuptojë se çfarë përfaqëson “regjimi oligarkik shqiptar” është e nevojshme t’i bëhet me dije edhe “eksperienca” e vendeve të tjera ish-komuniste, një nga më tipiket është Ukraina. Ky model duhet njohur e madje studiuar në thellësi po të kemi parasysh ngjarjet që pasuan vendosjen e regjimit oligarkik në Ukrainë. Ky model duhet analizuar edhe për të evidentuar ngjashmëritë e dallimet mes tij dhe modelit shqiptar. Sistemi oligarkik në Ukrainë është “modeli” i përsosur për të kuptuar sesi sistemi demokratik në vendet ish-komuniste ka degjeneruar në Demokraci Oligarkike. Fati i Ukrainës tashmë dihet, fat të cilin nuk mundën as Revolucioni Portokalli dhe as ngjarjet e 2013-2014 ta ndryshonin. Ukraina tashmë ka humbur Krimenë dhe e ka sovranitetin të cunguar. Shumë mbështetës të qeverive oligarkike në vendet ish-komuniste nuk e pranojnë krahasimin me Ukrainën dhe aq më pak ngjashmëritë me lindjen dhe ecurinë e Demokracisë Oligarkike ukrainase; por nuk ka asnjë dyshim që edhe demokracitë e tjera oligarkike ish-komuniste kanë lindur pothuajse në të njëjtën mënyrë dhe janë zhvilluar me të njëjtat synime, mënyra e mjete, me të njëjtat tipe burimesh njerzore dhe kanë shkelur në të njëjtat shtigje e ka progresuar pothuajse me të njëjtat ritme. Modeli ukrainas është i ngjashëm me atë të Shqipërisë. Sistemi oligarkik në Ukrainë fillon të formohet menjëherë pas rënies së Bashkimit Sovjetik, por përfundimisht u ngrit me vendosmëri gjatë gjysmës së dytë të viteve 1990, gjatë periudhës kur president i vendit ishte Leonid Kuçma (Leonid Kuchma). Për këtë arsye ai konsiderohet si babai themelues i këtij sistemi. Ky sistem lindi që prej viteve të fundit të ekzistencës së BRSS, pasi filloi perestrojka, kur anëtarët e nomenklaturës së lartë e të mesme komuniste filluan të grumbullonin kapital. Kur Ukraina fitoi pavarësinë, ky kapital i mundësoi atyre të blinin ndërmarrjet industriale me çmime të ulëta gjatë privatizimit të tyre. Grupet e para të biznesit (të cilët u quajtën klane) filluan të lindnin gjatë periudhës së transformimit politik dhe ekonomik të vëndit. Faktori që i bashkoi në grupe ishte ose territori i përbashkët, ose sektori i përbashkët në të cilin ata vepronin (për shembull sektori i gazit apo i metalurgjisë). Varësia e ndërsjellë midis përfaqësuesve të biznesit dhe politikës u krijua paralelisht. Anëtarët e aparatit shtetëror nxirrnin përfitime nga mbështetja e biznesmenëve, ndërkohë që ata mbyllnin sytë ndaj dhunimeve të ligjit, të përhapura gjërësisht gjatë procesit të privatizimit dhe ushtrimit te bizneseve. Në marrëdhëniet midis përfaqësuesve të biznesit dhe politikës u mbivendosën edhe lidhjet me grupet e botës kriminale. Betejat e ashpra për ndikim në mesin e viteve 1990 çuan në një numër vrasjesh të famshme të zyrtarëve të shtetit (për shëmbull, ajo e Vadym Hetman, ish-drejtues i Bankës Kombëtare të Ukrainës), të biznesmenëve të njohur (për shembull, Yevhen Shcherban) dhe të bosëve të mafias (Akhat Bragin). Ardhja e Kuchmës në pushtet në vitin 1994, dhe miratimi i Kushtetutës e cila vendosi sistemin presidencial në Ukrainë, bëri të mundur të organizohej një sistem i varësisë së ndërsjellë midis politikës e biznesit, i cili tashmë ishte formuar. Klanet e bazuara në industrinë rajonale, të cilët ishin të shpërndara në mënyrë disproporcionale në të gjithë vendin, u krijuan në mandatin e parë të Leonid Kuchmës. Kompanitë më të mëdha industriale ishin të përqendruara në dy rajonet lindore, në Pellgun e Donecit (rrethet e Donetskut dhe Lunanskit) dhe në zonën përreth Dnipropetrovskit (kryesisht rrethet e Dnipropetrovskit dhe Zaporizhias). Qëndrat e tjera industriale, të tilla si Kharkov, ishin diçka më pak të rëndësishme. Presidenti, nisur nga autoriteti i lartë që zotëronte, do të shërbente si arbitër gjatë lindjes së grupeve oligarkike. Ai u kujdes të ruante balancën midis këtyre grupimve duke i kontrolluar dhe i mbështetur, por duke e parandaluar për një kohë të gjatë krijimin e karteleve të pavaruara.