Durrësi dhe banorët e tij, gjatë dhe pas çdo rrebeshi shiu, përballen me pasojat e ujërave që vërshojnë nëpër rrugë, banesa e njësi shërbimi duke krijuar kaos, vonesa të theksuara në qarkullim dhe dëme materiale për të cilat nuk përgjigjet askush.
Reshjet e nëntorit e rikthejnë në vëmendje problematikën e përmbytjeve dhe shkaktarët e tyre, që lidhen kryesisht me gjendjen ende problematike të sistemit të kanalizimeve dhe kapacitetin e ulët të stacioneve të pompimit. Në lagjet periferike, siç është Shkozeti, gjendja paraqitet edhe më kritike. Jo vetëm rrugët, po dhe shtëpitë notojnë në ujë pas çdo rrebeshi shiu. Ujërat tërhiqen me vështirësi nga rrugët e banesat, ndërsa ankesat e banorëve bien në vesh të shurdhër.