Zbardhet debati/ Fino kundër Kushtetueses e KLP ‘thumbon’ dhe Qefalinë…

0
213

Buxheti i vitit 2020 për institucionet e drejtësisë ka vënë përballë drejtuesit e tyre me deputetin socialist, Bashkim Fino, gjatë paraqitjes në Komisionin e Ligjeve.

Gjykata Kushtetuese, Prokuroria, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Kolegji i Posaçëm i Apelimit dhe me radhë të gjitha institucionet e tjera të drejtësisë kanë parashtruar ankesat e tyre për buxhetin që qeveria ka planifikuar t’u vërë në dispozicion. Më fortë, debati ishte mes përfaqësuesve të Prokurorisë, Gjykatës Kushtetuese dhe KLP-së me deputetin e PS-së, Bashkim Fino.

Përfaqësuesit e këtyre tri organeve të drejtësisë paraqitën mangësitë e buxhetit, por që nga Fino nuk u pranua, pasi sipas këtij të fundit fondet e parashikuara nga qeveria ishin më se të bollshme. Prokuroria e Përgjithshme me anë të Luan Abazit, drejtor ekonomik në këtë institucion u ankua për heqjen e 60 punonjësve, por Fino kundërshtoi, duke thënë se këta punonjës nuk i hiqen Prokurorisë, por i kalojnë SPAK-ut.

komisioni i ligjeve

Ndërsa Eugen Papandile, nga Gjykata Kushtetuese, apeloi për rritjen e investimeve për këtë institucion, pasi sipas tij, kushtet e punës nuk janë të denja edhe pse zyrat e tyre janë ngjitur me ato të Kuvendit.

Kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi, shtroi shqetësimin e mangësive në personel që edhe në buxhetin e vitit të ardhshëm nuk janë parashikuar për të rregulluar. Në të njëjtën linjë ishin edhe drejtuesit e organeve të vetingut, por që po njësoj u rrëzuan nga Bashkim Fino, që theksoi se fondet që jep qeveria janë më të larta se sa duhet në realitet.

Gent Ibrahimi

DEBATI NË KOMISION

Luan Abazi (Prokuroria): Për zërat e veçantë në buxhet, Prokuroria e Përgjithshme është me ulje. Për vitin 2020 është menduar që Prokurorisë së Përgjithshme t’i shkurtohen 60 punonjës. Ne nuk jemi dakord me këtë gjë. Problematike është e ulja e shpenzimeve operative në masën 60 mln, gjë e cila na vendos neve në vështirësi. Për investimet, ministria ka menduar të japë një fond prej 130 mln, kurse ne kërkojmë 650 mln.

Bashkim Fino: Projektbuxheti i Prokurorisë së Përgjithshme është shumë i saktë. Këto që tha përfaqësuesi i Prokurorisë për mua nuk qëndrojnë me përjashtim të investimeve. 60 veta që ikin nga Prokuroria e Përgjithshme kalojnë te SPAK dhe këto ikin bashkë me fondin e pagave. Buxheti si fond pagash për Prokurorinë është shumë herë më i madh se ishte për vitin 2019.

Ulsi Manja: SPAK është prokurori karriere dhe prokurorët që marrin pjesë në të janë karriere dhe zgjidhen nga numri i përgjithshëm i prokurorëve që ka sot sistemi.

Eugen Papandile(GjK): Po fillojmë me zhgënjimin që kemi për buxhetin e 2020-ës. Është ulur nga tavani i dakordësuar një 3 mln lekë të reja. Janë hequr nga shpenzimet operative. Sa i përket investimeve, po ju paraqes një kërkesë që ne ia kemi çuar edhe ministrisë. Është një kërkesë shumë e vjetër që nuk është marrë parasysh. Jemi në të njëjtën godinë ku ndodheni edhe ju si ligjvënës, por ambientet e Gjykatës Kushtetuese janë të amortizuara dhe është e vetmja që ka mbetur pa u rikonstruktuar në këtë godinë. Ambientet janë rënduar edhe nga goditja për së dyti dhe nga tërmeti. Mendoni kushtet në të cilat anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese kanë filluar punë dhe do ta vazhdojnë atë punë. Kemi kërkuar rikonstruksion dhe nuk është miratuar kërkesa. Mbledhja e gjyqtarëve në 2017-ën ka miratuar 72 punonjës, jemi 62 sepse 10 të tjerë që kemi kërkuar nuk janë miratuar. Kjo do të ndikojë në keqfunksionimin e mëtejshëm të gjykatës, duke marrë parasysh fluksin që do të ketë gjykata.

Bashkim Fino: Mendoj që buxheti për Gjykatën Kushtetuese është në rritje dhe i mjaftueshëm për të realizuar aktivitetin. Mjaftojnë vetëm dy shifra, pasi në buxhetin e 2019, totali i shpenzimeve është 114 milionë lekë dhe në 2020-ën ne japim 161 milionë lekë. Marrim mallrat dhe shërbimet. Në buxhetin e 2019-ës kanë qenë 34.5 milionë lekë. Në këtë 10- mujor janë harxhuar 17 mln. Nuk besoj se do të harxhohen gjysmat për dy muaj dhe me të drejtë Ministria e Financave ka parashikuar mallra dhe shërbime 31.5 milionë lekë. Ka rënie prej 3 milionë, por duke parë ecurinë e këtyre shpenzimeve, mendoj se është e pranueshme. Sa i përket investimeve, unë jam kundër investimeve që u jepen, më mirë të jepet një investim tamam. Por prapë Ministria e Financave u jep dhe 4 milionë lekë të reja për 2020. Këta qenkan dorëlëshuar se për mua nuk duhet të jepen fare. Pse t’ia jep një institucioni kur nuk është efektiv për të bërë investimin? Duhet të bëni një analizë financiare. Ministria e Financave është treguar dorëlëshuar, për mua nuk duhet t’u jepte fare.

Andi Përmeti: Duke qenë se jeni i vetmi organ kushtetues që keni dy punonjëse për të njëjtin ven, a keni kërkuar specifikisht rritje buxheti për të dhënë dy rroga për të njëjtin vend, dy karrige, dy kompjuter dhe nëse po, sa është kjo rritje? Nëse jo, merrni guximin dhe thoni atë që presin shqiptarët nga ju, të dilni dhe të refuzoni këtë turp dhe luftë politike të dy personave për të kapur drejtësinë. A keni kërkuar buxhet shtesë?

Eugen Papandile(GjK): Buxheti kërkohet për të 9 anëtarët, jo për kërkesa të veçanta. Kjo është e ezauruar besoj. E dyta, unë kam ardhur për buxhetin. Ftesa më ka ardhur për buxhetin e shtetit dhe nevojat e Gjykatës Kushtetuese. E shikoj se Gjykata Kushtetuese mbetet opozitë gjithmonë, jo për shkaqe politike, por për shkaqe të buxhetit. Për zotin Fino. Investimet janë kryer 100%, bashkë me muajin e fundit, që ju nuk e keni… kemi investuar edhe atë 4 milionëshin modest, që është bërë dhe do t’ua paraqesim. Nëse ne nuk kemi dhe nuk meritojmë investime, okej, kjo ishte kërkesa ime dhe e GJK, por mendoj se e kemi shumë të nevojshme. Unë harrova t’ju bëj foto nga zyrat e plasaritura. Jemi në një godinë, por s’kemi të njëjtin trajtim.

Bashkim Fino: Nuk thashë se nuk meritoni investime, absolutisht fare, fare. Unë të dhashë dy shifra dhe pres me padurim të më vërtetoni se janë realizuar. Më vjen mirë nëse e ke realizuar dhe më vjen mirë që Ministria e Financave të ka vënë edhe 4 milionë për 2020-ën. Unë flas si ekonomist.

Xhemal Qefalia: Unë e kisha për atë që tha z. Fino, pasi nuk ka një përditësim të shifrave. Kam një sugjerim për ministrinë e Financave që të përditësojë shifrat. Bashkim Fino: Këta po bëhen të gjithë ekspertë në fushën e financës. Unë nuk bëhem ekspert në fushën e sigurisë ku është Qefalia. Më vjen keq që futet në punët e mia, se jam i zoti ta bëj. Këtu janë evidencat e fundit të tetorit nga Thesari, që është hallka e fundit që lëshon paratë.

Xhemal Qefalia: Je i vonuar, z. Fino, je shumë mbrapa.

Bashkim Fino: Situata e letrave është shumë e saktë. Këto fonde zerohen, nuk transferohen për 2020-ën. Ky është thelbi i diskutimit tim. Lëre, zoti Qefalia tani.

Gent Ibrahimi(KLP): Kërkohet një shtesë prej 4 sekretarësh. Ideja është që këta sekretarë të funksionojnë secili pranë njërit prej komisioneve të Këshillit. Një shtesë tjetër ka të bëjë me numrin e shoferëve, që aktualisht janë vetëm 7, kërkojmë 6 shoferë shtesë. Një tjetër shtesë është edhe për specialistin e IT, është vetëm 1.

Bashkim Fino: Ngela pak i zhgënjyer, për shkak se para pak kohësh kam qenë relator për strukturat e KLP dhe KLGJ. Ju e keni strukturën me 65 veta dhe kemi diskutuar disa herë për këtë. Kërkesat tuaja për mua janë absurde. Ju kërkoni 4 sekretarë shtesë, 7 shoferë dhe rritjen e punonjësve për informacion dhe për tre anëtarët që nuk kanë marrë pagën, siç ju thanë. Ju keni 7 shoferë dhe më duket se është e mjaftueshme dhe është absurde. Është gjynah të ulim nivelin e bisedës për buxhetin. Buxheti për KLP është 73% më shumë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here