Një analizë e publikuar në Scientific American hedh dyshime mbi teknologjinë e transmetimit të të dhënave, duke pohuar edhe rreziqet ekzistuese
Të flasësh për rreziqet e mundshme te shëndeti nga rrjeti 5G – gjenerata e re e transmetimit të të dhënave mobile, cilësohet shpesh si një komplot. Por nëse frika mbi dëmin që shkaktohet nga 5G e jo vetëm, publikohet nga një revistë si Scientific American do të thotë se vetëm me komplot nuk kemi të bëjmë. Le t’i marrim me radhë.
Siç shpjegon Joel M. Moskowitz, në një artikull të publikuar së fundmi, Komisioni Federal i Komunikimit në SHBA, ka ripohuar kufijtë e sigurisë në lidhje me ekspozimin e njeriut ndaj rrezatimeve elektromagnetike, të cilat janë të njëjtat në fuqi që nga fundi i viteve ’90. Por, që prej atëherë, më shumë se 250 shkencëtarë kanë publikuar kërkimet mbi efektet biologjike dhe shëndetin të rrezatimeve elektromagnetike jo-jonizuese, duke firmosur edhe një peticion për të kërkuar kufij shumë më të rreptë. Në të lexohet: “Publikime të shumta, të publikuara kohët e fundit në revista shkencore, tregojnë se si fushat elektromagnetike ndikojnë në jetën e organizmave të gjallë, edhe në nivele më të ulëta se sa ato të pranishme në udhëzimet kombëtare dhe ndërkombëtare.
Këto pasoja përfshijnë edhe rrezikun për t’u prekur nga kanceri, stresin qelizor, rritjen e radikaleve të lira të dëmshme, dëmtime gjenetike, ndryshime strukturore dhe funksionale në sistemin riprodhues (…). Pasojat shkojnë shumë përtej racës njerëzore dhe tregojnë se një sërë provash në rritje kanë efekte të dukshme edhe te bimët e kafshët”. Sipas Moskowitz, shkencëtarët që mbështesin këto frikëra janë pjesa më e madhe ndër ekspertët mbi pasojat e rrezatimeve të jo-jonizuara. Nga ana tjetër, që këto rreziqe janë të pranishme, nuk është diçka e re. Agjencia Ndërkombëtare për Kërkimin mbi Kancerin (AIRC, pjesë e Organizatës Botërore për Shëndetësinë) i ka klasifikuar rrezatimet elektromagnetike si “ndoshta kancerogjene për njerëzit” që prej vitit 2011.
Vitin e kaluar, një studim prej 30 milionë dollarësh, i kryer nga National Toxicology Program (Programi Kombëtar i Toksikologjisë në SHBA) gjeti
“prova të dukshme” se dy vjet ekspozim ndaj rrezatimeve që emetohen prej celularëve rrisin rrezikun ndaj kancerit te minjtë meshkuj dhe shkatërrojnë ADN tek minjtë e të dy sekseve. Scientific American nënvizon se këto rezultate janë vërtetuar edhe nga Instituti italian Ramazzini. Në të gjitha këto është e nevojshme të theksojmë se si Food & Drug Administration ka dërguar para pak kohësh një letër tek Autoriteti i Komunikimeve, ku shkruhet: “Provat shkencore deri më sot nuk e mbështesin frikën që lidhet me pasojat e dukshme te shëndeti për shkak të ekspozimit, brenda kufijve në fuqi”. Po atëherë, çfarë roli luan 5G?
“Teknologjia e fundit celulare, 5G, do të përdorë, për herë të parë valë milimetrike që u shtohen mikrovalëve që përdoren për teknologjitë celulare nga 2G deri te 4G”, lexohet në Scientific American. “Për shkak të gamës së kufizuar, 5G do të kërkojë antena të vendosura çdo 100 apo 200 metra, duke ekspozuar shumë njerëz ndaj rrezatimeve të valëve milimetrike”. Moskowitz thotë se ekspozimi në afat të gjatë ndaj valëve milimetrike “shfaq rreziqe për lëkurën (melanomën), për sytë (melanomën okulare) dhe testikujt (steriliteti)”.
Duke qenë se 5G është një teknologji e re dhe për këtë arsye nuk janë kryer ende studime të thelluara, a kemi të bëjmë me përfundime të thjeshta? Në të vërtetë, jo, pasi “është parë një lloj rritjeje e tumoreve në tru dhe në qafë, që mund t’i atribuohen pjesërisht përhapjes së rrezatimit nga telefonat celularë. Këto shifra në rritje përputhen me rezultatet e studimeve të kontrolluara që lidhen me rreziqet ndaj tumoreve te përdoruesit që përdorin shumë telefonin”. Sikur të mos mjaftonin këto, duhet theksuar se 5G nuk do ta zëvendësojë 4G. Për një kohë të gjatë, në fakt, të dy teknologjitë do të bashkëjetojnë. Me pak fjalë, jo vetëm teknologjitë aktuale celulare mund të paraqesin rreziqe të konsiderueshme, por ardhja e 5G mund të përkeqësojë ndjeshëm situatën.
Për këtë, thotë në fund Moskowitz, duhet mbështetur peticioni i firmosur nga 250 shkencëtarë e mjekë për një moratorium për implementimin e 5G dhe për t’u kërkuar qeverive fonde të nevojshme për kërkime të tjera të thelluara. Por, duke marrë në konsideratë xhiron e regjistruar rreth 5G (llogariten 2.200 miliardë dollarë në ekonominë botërore në 15 vjet) të shpresosh që kjo makinë të ndalet në pritje të fjalës së shkencës është e kotë.