Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha në një prononcim për “Bota sot” ka dhënë gjykimin e tij për prezantimin, nga ana e kryeministrit Edi Rama, të një harte të Ballkanit me Kosovën si pjesë të Serbisë.
Postimi i plote
Prononcim i imi dhene per “Bota Sot”:
“Sali Berisha jep alarmin, zbulon prapaskenat e një marrëveshjeje mes Ramës dhe Vuçiqit kundër Kosovës!”
Një video e publikuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në të cilën paraqitet harta e Ballkanit shfaq Kosovën si pjesë të Serbisë, shkaktoi reagime të shumta. Një veprim i tillë i Ramës është quajtur skandaloz dhe provokim për Kosovën.
Lidhur më këtë çështje, ish kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se me një akt të tillë Rama e dëshmon për të shumtën herë fytyrën prej albanofobi primitiv të Kosovës, dhe vlerëson se një akt i tillë nuk është i paqëllimshëm.
Për tepër, Berisha duke iu drejtuar Ramës me ‘Zografi bis’ përmend edhe pjesëmarrjen e këtij të fundit në samitin për “Shengenin Ballkanik”, duke thënë se nënshkroi për Paktin për Minijugosllavinë apo de facto Serbinë e madhe në Nish me Vuçiç.
“Një akt i tillë nuk mund të jetë kurrë i paqëllimshëm. Por ky akt në të cilin dëshmon për të shumtën herë fytyrën prej armiku të egër, prej albanofobi primitiv të Kosovës, por edhe të mbarë shqiptarë është vetëm akti i fundit që shpalosi Zografi Bis pas firmosjes së Paktit për Minijugosllavinë apo de facto Serbinë e madhe në Nish me Vuçiç”, ka deklaruar për “Bota sot”.
Më tej, Berisha është shprehur se pakti i përgatitur në Beograd kishte synim defaktorizimin e Kosovës dhe vasalizimin e Shqipërisë, e këtë e kanë konfirmuar edhe nga Serbia.
“Pakti me 718 nene i përgatitur në fshehtësi të plotë në Beograd kishte dhe ka synim të plotë defaktorizimin e Kosovës, vasalizimin e Shqipërisë. Zëvendës ministri serb i mbrojtjes në takimin e SEDMI-t i tha zëvendës ministrit të Shqipërisë në prani të 7 vetëve se kryeministri i juaj ka rënë dakord në Nish me presidentin Vuçiç që Kosova të mos ftohej në Nish, mbasi si ç’e shihni atë e përfaqëson Beogradi”, ka thënë ish kryeministri shqiptar për “Bota sot”.