Intervista e plotë e gazetarit dhe analistit Erl Murati për MAPO-WEEKEND për krizën në Gjykatën Kushtetuese.
Presidenti dhe mazhoranca janë përplasur fort për krijimin e Gjykatës Kushtetuese, si e parashikoni këtë debat, kush fiton e kush tërhiqet?
Dinamika e krizës është mjaft komplekse për të dhënë një përgjigje shteruese. Por, duke parë që presidenti po përplaset, sepse nuk kërkon asnjë gjë më shumë se lejimin e ushtrimit të së drejtës së tij kushtetuese (pra, caktimin e 3 anëtarëve “të tij” në Gjykatën Kushtetuese) mendoj se në fund, është mazhoranca ajo që do të tërhiqet.
Megjithatë, duhet thënë se nga pikëpamja formale, mazhoranca ka pak përgjegjësi për situatën: faji i mbetet Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe kryetarit të saj, i cili tentoi ta vendosë presidentin në një pozicion antikushtetues.
Në fund të kësaj përplasjeje të re, do të kuptojmë se debati ka qenë absurd dhe i evitueshëm. Do të mjaftonte që çdo institucion të zbatonte Kushtetutën dhe ligjet në fuqi që 1. kriza e re të mos ekzistonte dhe 2. të kishim një produkt konkret, pra krijimin dhe më në fund, nisjen e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese. Tentativa e KED për ta vendosur kreun e shtetit në një pozicion antikushtetues, është një puç i pastër institucional.
Por, kjo e ka një arsye. Jemi pothuajse 3 vite e gjysmë pas miratimit me konsensus të “Reformës në Drejtësi”, 3 vite e gjysmë pas miratimit të Kushtetutës së re. Kjo “reformë” po vonon të japë efektet e pritshme. Ndaj, në pamundësi për të dalë para shqiptarëve me një bilanc apo produkt konkret të kësaj reforme, aktorët dhe faktorët janë bërë bashkë në përpjekje për ta lënë faturën e dështimit të saj, në dyert e Presidencës.
Mazhoranca ka nisur procedurat e shkarkimit të presidentit në Kuvend, a besoni se do të shkarkohet?
Mendoj që iniciativa për shkarkimin e presidentit është vetëm një nga aktet e komedisë politike që po shohim. Nga njëra anë, presidenti lë të kuptohet që mund të shpërndajë parlamentin, nga ana tjetër, parlamenti e kanos atë me shkarkim. Të dy palët nuk i kanë seriozisht këto kërcënime, madje kam dyshime për të kundërtën.
Pra, që do të zgjohemi një ditë dhe si me magji do të jemi dëshmitarë të qetësisë e normalitetit. Do na duket sikur s’ka ndodhur asgjë. Historia politike Rama-Meta na ka mësuar që kanosjet dhe betejat ndaj njëri-tjetrit i kanë mbyllur me marrëveshje politike ku të gjitha palët kanë mbetur të kënaqur. Ndaj, më vjen të qesh kur lexoj për “beteja finale”, për “big bang”, për “asgjësim politik, ose njëri, ose tjetri”.
Në çdo rast, pra edhe sikur PS ta ketë seriozisht nismën për shkarkimin e presidentit, ky veprim kërkon jo thjesht vullnetin e mazhorancës, por edhe vendimin final të Gjykatës Kushtetuese. Ne jemi dëshmitarë se kjo gjykatë jo vetëm është e paplotë, por në mungesë të kandidatëve, funksionimi i saj duket mjaft i largët.
Nga ana tjetër, Meta me anë të takimeve publike dhe me paralajmërimin e një turi takimesh nëpër rrethe po nis një aksion politik të mirëfilltë kundër qeverisë, si e shikoni këtë lëvizje të presidentit? Çfarë mund të sjellë ajo?
Nuk mendoj se Meta do të konsumohet në “Rrugëtime” apo “Dialogë me Shqipërinë” për t’iu shpjeguar njerëzve të thjeshtë të drejtën që i takon nga neni 179, pika 2 e Kushtetutës. Për shkak të pozicionit politik, Meta president nuk mund ta luajë rolin e opozitës.
Debati mes palëve ka përfshirë dhe trupin diplomatik në vend. Sa e drejtë duket zgjidhja e ofruar nga ambasada amerikane për t’i zgjidhur debatet ligjore për Kushtetuesen në Komisionin e Venecias? Po sulmet e kreut të shtetit ndaj ambasadorëve si i shikoni?
Rekomandimi për t’iu drejtuar komisionit të Venecias do të vlente nëse palët politike do ta pranonin atë si arbitër e si rrjedhojë, do t’i zbatonin vendimet e saj. Ne jemi para faktit që komisioni i Venecias ka vlerësuar se presidenti i Republikës nuk mund të shkarkohet për dekretet e zgjedhjeve, e megjithatë PS-ja e injoron këtë rekomandim dhe thotë që ka ndërmend ta shkarkojë Metën.
Ka disa sugjerime për zgjidhjen e krizës: PD thotë zgjedhje para kohe, PS thotë “Venecia”, presidenti thotë referendum. Unë them që mjafton të zbatohet Kushtetuta, pra që presidenti të zgjedhë 3 anëtarët “që i takojnë”, Kuvendi 3 anëtarët “që i takojnë” dhe gjykata e Lartë 3 anëtarët “që i takojnë”.
Por, nëse një aktor përpiqet t’i imponohet tjetrit: unë do zgjedh 4 e ti do zgjedhësh 2, atëherë ky është një puç institucional dhe s’ka nevojë për ndonjë interpretim të hollë juridik.
Për sa u përket sulmeve të presidentit ndaj ambasadorëve, do të preferoja që presidenti i vendit tim, cilido qoftë ai, të mos hynte në një trajektore përplasjeje me partnerët ndërkombëtarë. Kjo kërkon që presidenti të moderojë gjuhën ndaj tyre, por kërkon edhe që ambasadorët të mos bëhen palë në përballjet politike dhe luftën për pushtet të aktorëve vendës.