Presidenti i Republikës, Ilir Meta në një prononcim për mediat nga Thumana, teksa shprehu mesazhe ngushëllimi për familjarët e viktimave, foli edhe për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.
Meta tha se shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme është një hap pozitiv.
Pyetje: Zoti President, sa e vështirë shfaqet aktualisht situata në vendin tonë? A keni një informacion të saktë se sa është numri i saktë i personave që ndodhen ende nën rrënoja?
Presidenti Meta: Për një numër më të saktë duhet t’i drejtoheni zyrtarisht Ministrisë së Mbrojtjes si institucioni përgjegjës zyrtar.
Ajo që është prioritare, e theksoj edhe një herë, është të vazhdohet puna me këmbëngulje deri në fund për të gjetur të gjithë qytetarët tanë që janë nën rrënoja dhe të mos humbasim shpresën për të shpëtuar edhe jetë të tjera, ashtu sikurse ndodhi mbrëmë në mesnatë te ish-hotel Palma i shkatërruar, ku edhe fati na ndihmoi, por edhe puna e ekipeve tona dhe ekipeve të specializuara greke, bëri të mundur që Klajdi 24-vjeçar të shpëtonte mrekullisht. Kjo është kryesorja.
Për të tjerat padyshim që do të merren të gjitha masat për t’i rikuperuar këto dëme katastrofike.
Pyetje: Do të kërkojë shumë kohë ky aksion rikuperimi pas këtyre dëmeve?
Presidenti Meta: Padyshim do të bëhet një vlerësim total dhe natyrisht kjo kërkon kohë.
Nuk mund të shmanget vëmendja nga kërkimi i njerëzve që janë nën rrënoja.
Nevojitet shpresë dhe vendosmëri për të shpëtuar çdo jetë që mundet.
Patjetër që çdo gjë do të bëhet në mënyrën më transparente, duke filluar nga përllogaritja e dëmeve dhe angazhimeve. Fakti që është shpallur gjendja e jashtëzakonshme për dy qarqe për momentin tregon që…
Pyetje: A mos është shpallur me vonesë gjendja e jashtëzakonshme? A duhej shpallur menjëherë pas tërmetit?
Presidenti Meta: Fakti që është shpallur gjendja e jashtëzakonshme për dy qarqe është një hap pozitiv i angazhimit në këtë drejtim.
Pyetje: Si po ecën koordinimi mes njësive policore dhe atyre ushtarake, duke pasur parasysh se kanë ardhur shumë ekipe nga jashtë në ndihmë të Shqipërisë?
Presidenti Meta: Sigurisht, ne kemi një institucion përgjegjës që është Ministria e Mbrojtjes dhe Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, që nxjerrin në mënyrë të vazhdueshme komunikata për shtyp lidhur me situatën, por edhe lidhur me koordinimin e të gjithë forcave vendase, por edhe forcave të specializuar ndërkombëtare që kanë ardhur në vend.
Ajo që mund të them është që reagimi ka qenë i menjëhershëm dhe i jashtëzakonshëm nga të gjitha vendet që u është kërkuar kjo ndihmë.
Shpresojmë që edhe me ndihmën e tyre të përfundojmë prioritetin e parë dhe të kemi bilancin përfundimtar sa u takon viktimave, që shpresojmë të mos shtohen më.
Pyetje: A keni një koment për ndihmën që ka ardhur nga Kosova?
Presidenti Meta: Ndihma nga Kosova është shkëlqyer. Unë kam shprehur disa herë falënderime, nga dje paradite e deri në mesnatë, ku bashkë me Zv.Kryeministrin Limaj vizituam Thumanën dhe takuam trupat e specializuara të Kosovës. Ndihma është e jashtëzakonshme në të gjitha drejtimet. Në drejtimin profesional, pra me ekipe mjaft të specializuara, që kanë bërë një punë mjaft të shkëlqyer, por edhe në aspektin humanitar.
Nga Kosova kanë ardhur që dje ndihma shumë të konsiderueshme dhe po vazhdojnë. Pak më parë pata edhe një bisedë telefonike me Ambasadorin e Kosovës në Tiranë. Janë ndihma në të gjitha aspektet, të jashtëzakonshme dhe impresionuese. Një mbështetje plotësisht vëllazërore.
Pyetje: Zoti President, a ke informacion nëse këto tre persona që po kërkohen janë viktima apo ka ende shpresë që të jenë të gjallë?
Presidenti Meta: Nuk është detyra ime të jap informacione kaq të detajuara, por ne shpresojmë dhe nuk do ta humbasin shpresën deri në fund për të mos pasur viktima të tjera. Faleminderit!