Në vetëm tri ditë, që nga mëngjesi i së martës së tmerrit deri pasditen e vonë të së enjtes, mbi 300 persona janë drejtuar në Spitalin e Traumës për të marrë ndihmë mjekësore.
Nga këta, mjekët e kanë parë të arsyeshme të shtrojnë vetëm 34, një prej të cilëve i është drejtuar shtetit fqinj, Italisë, për mjekim më të specializuar. Të dhënat i jep drejtori i Spitalit të Traumës, Arben Zeneli.
“Numri total i rasteve të paraqitura në spital ka arritur në 338, nga të cilat në total janë shtruar 39. Aktualisht janë vetëm 34, për shkak se disa prej tyre, pasi kanë marrë trajtimet përkatëse, janë larguar nga spitali. Ndërsa një pacient është larguar dje drejt Italisë, për shërbime të mëtejshme shëndetësore dhe pjesa tjetër vazhdon të marrë shërbim në spital”.
Në gjendje kritike për jetën, sipas doktorit, janë katër pacientë, të cilët mbahen në observim. Midis tyre, Zeneli veçon një rast specifik, Xhesika Biçikun, e ardhur nga Kombinati, e cila rezulton të jetë rëndë.
“Janë probleme që ne i konsiderojmë politrauma. Domethënë, dëmtime në disa sisteme organesh. Një prej tyre është rasti edhe më i vështirë. Pas konsultave me stafin që erdhi nga Italia për mundësinë e transferimit në një spital tjetër, u vendos përfundimisht të mos transportohet. Perspektiva që mund t’i ofrohej në një spital tjetër nuk do të ishte më e mirë sesa këtu”, sqaron drejtori i Spitalit të Traumave të rënda.
Edhe pse fokusi janë pacientët e shtruar, spitali pret e përcjell ende pacientë që preken nga lëkundjet e pandalshme. Me thyerje kockash pas humbjes së ekuilibrit apo të lënduar për shkak të panikut të tërmetit të djeshëm të shkallës 5.1 rihter, pacientë të shumtë mësynë Traumën edhe dje. Vetëm në 24 orët e fundit numërohen mbi 108 raste të reja.